“Të shpëtosh jetë në det”, profil i një vrojtuesi plazhi

Sep 18, 2019 | 19:04
SHPËRNDAJE

Alfred-Papuciu

ALFRED PAPUÇIU/ Të rinj me profesione të ndryshme i kanë dedikuar gjithë periudhën e verës bregdetit. Jo si pushues, por si vrojtues plazhi.

Vrojtuesi Bledar Grepi
Vrojtuesi Bledar Grepi

Me një punë të përkohshme, në dukje të thjeshtë, ata shpesh bëjnë mrekulli duke shpëtuar jetë njerëzish. Ne kemi vendosur t’i japim zë një prej këtyre heronjve të heshtur. Ai është Bledar Grepi. Përmes një rrëfimi për gazetën, ai tregon se si arriti të kthente në jetë një turist, i cili nuk kishte as puls, as frymëmarrje.

I certifikuar vetëm para pak kohësh, atij iu desh të përballej me vështirësitë e punës së një vrojtuesi dhe për fat ia doli mbanë më së miri. Personit që shpëtoi falë Bledarit, i kishte rënë të fiktë në det, ku për rrjedhojë pësoi vdekje klinike nga mbytja. Bledari e konstatoi menjëherë dhe arriti ta sillte në jetë, duke i bërë masazh dhe duke i dhënë ndihmë mjekësore, derisa zemra rrahu sërish…

Gjatë ndërhyrjes për të shpëtuar turistin në Durrës
Gjatë ndërhyrjes për të shpëtuar turistin në Durrës

Por kujdesi për të vazhdoi deri sa mbërriti ambulanca e Spitalit Rajonal Durrës. Për fatin e tij të mirë, personi është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Bledarit i duhet të mësohet me përgëzimet e shumta që i vijnë pafund nga të gjithë. Faleminderit Bledar Grepi je një hero! Nuk është hera e parë që Bledari ndodhet në një situatë të ngjashme, kur i duhet të japë ndihmesën e tij të çmuar.

Një ditë, teksa vrojtonte buzë detit pranë hotelit ku ishte punësuar, vuri re një fëmijë të vogël që u rrëzua nga varka, në të cilën ndodheshin edhe prindërit e tij. Nuk iu desh të mendohej dy herë për t’i shkuar në ndihmë për ta shpëtuar të voglën. Një pakujdesi e vogël e prindërve që mund të ishte fatale për vajzën e tyre, pa ndihmën e çmuar të vrojtuesit vigjilent. Nuk nevojiten shumë vite shkollim e kualifikim për të bërë këtë punë. Mjafton trajnimi dhe certifikimi nga shoqata, vigjilenca dhe një zemër e madhe për t’i ardhur në ndihmë çdo personi në rrezik.

Bledar Grepi ka mbaruar shkollën e lartë në mësuesi dhe masterin profesional te universiteti “Vojo Kushi” në Tiranë dhe përveç punës së përkohshme si vrojtues plazhi, është edhe arbitër futbolli në Federatën shqiptare si dhe instruktor palestre. Në të kaluarën është angazhuar me ekipin e Teutës. Ndërsa tani shpreson të fillojë punë në profesionin e tij si mësues. Si pak profesione, ai i Bledarit e shumë të tjerëve nuk është thjesht një punë, por mision.

Kundrejt shifrave për persona të mbytur në plazhe të ndryshme përgjatë muajve të verës, duhen përmendur edhe ata që arrijnë të shpëtojnë jetë. Shpesh, Federata Shqiptare “Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë” u bën thirrje të gjitha subjekteve private që marrin në përdorim një stacion plazhi, që të zbatojnë kriteret për sigurinë në stacionet e plazhit, të punësojnë vrojtues plazhi me qëllim parandalimin e rasteve fatale. Po ashtu, edhe institucioneve shtetërore të ngarkuara me përgjegjësi, u kërkohet të monitorojnë situatën me qëllim shmangien e fataliteteve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura