Të shpëtojmë Lumin Buna nga peshkimi pa kriter, apeli i peshkatarit nga fshati Obot: Shteti të rregullojë këtë marrëdhënie mes natyrës dhe banorëve

Sep 19, 2022 | 14:48
SHPËRNDAJE

Nga perspektiva njerëzore, Peizazhi i Mbrojtur Lumi Buna – Velipojë përfshin pjesët e tetë njësive bashkiake, për të cilat sipërfaqja totale është 49,294 ha dhe popullsia totale (2011) ishte 68,128 banorë.

Collage Maker-19-Sep-2022-09.45-AM

Jetesa në zonë, në formën e prodhimit të drithërave dhe gjedhëve, peshkimit dhe turizmit, është mjaft e varur ndaj përdorimit të burimeve natyrore, të cilat gjenden brenda Peizazhit të Mbrojtur Lumi Buna – Velipojë.

Peshkimi dhe bujqësia mbeten burimet kryesore të të ardhurave për banorët e fshatrave që jetojnë përreth ekosistemit të Lumit Buna. Por shfrytëzimi i tyre pa kriter dhe në abuzim të plotë ndaj natyrës, rrezikon jo vetëm natyrën, ligatinën, florën dhe faunën e zonës, rrezikon gjithashtu dhe zhdukjen e burimit të vetëm të jetesës për këta banorë. Sfida e autoriteteve duhet të jetë jo vetëm mbrojtja e këtij ekosistemi, por dhe sigurimi i burimeve të nevojshme të jetesës për banorët e kësaj zone.

Bazuar në rregulloren Nr. 1 të datës 29.03.2005, Neni “Mbi zbatimin e legjislacionit mbi peshkimin dhe akuakulturën” (edhe me ligjet e reja të aprovuara, kjo rregullore duhet rihartuar): Neni 43/2: Ndalohet peshkimi në zonën deri në rrezen 2 km nga gryka e lumit Buna dhe 1 km nga gryka e lumenjve të tjerë shqiptarë. Por sa zbatohen këto përcaktime ligjore?

Jak Pemaj, banor i fshatit Obot, shprehet se “nuk ka asnjë burim tjetër jetese përveç peshkimit”, me të cilin ushqen familjen dhe tepricën mundohet ta shesë në treg”.

“Nëse kërkohet që të bëhet një shfrytëzim racional për të ruajtur speciet e rralla të Lumit Buna, do të ishte mirë që shteti të na krijonte mundësinë e punësimit për të siguruar të ardhura. Zona është mjaft e pasur në burime jetese, shteti duhet të rregullojë këtë marrëdhënie mes natyrës dhe banorëve”, u shpreh Pemaj.

Në Lumin Buna gjenden mbi 30 lloje peshqish, ku veçohet krapi, karasi, gjuca, njila, skorta e zezë, lloska, mëlyshi, sharmaku, barburiqi etj.

Buna është rrugë kalimi për 13 lloje e nënlloje peshqish të konstatuar që migrojnë nga liqeni për në Detin Adriatik dhe anasjelltas. Ndër to përmendim blinin që është lloj globalisht i rrezikuar, kublën, ngjalën levrekun qefullin e verës qefullin e vjeshtës (shojzën) etj. Bimët mjekësore janë një tjetër kategori e biodiversitetit shumë me vlerë për përfitime ekonomike. Nuk ka shumë të dhëna për aktivitete biznesi të grumbullimit apo të përpunimit të këtyre bimëve.

Aurora Dibra, biologe, doktore shkencash në Universitetin e Shkodrës, citon disa faktorë kërcënues për ekosistemin në zonën e Bunës. “Prania e njeriut, humbja, copëzimi dhe degradimi i habitateve natyrore nga urbanizimi është një nga faktorët me shumë ndikim në degradimin e biodiversitetit dhe vlerave të tij; Gjuetia pa kriter e kafshëve të rralla; Prerjet e drurëve si dhe dëmtimet e bimëve të nënpyllit, zjarret si faktorë degradues të ekosistemeve; lëndët ndotëse të depozituara në këto ekosisteme nga përdorimi i pesticideve; depozitime të ujërave të zeza me ngarkesa kimike e mikrobike, të cilat ndjeshëm kushtëzojnë ekuilibrat ekologjike në këto ekosisteme ujore”, shprehet zonja Dibra.

Lumi Buna përbën vërtet një çudi natyrore, sepse fundi i shtratit të tij është para se të derdhet në det dy metra nën nivelin e detit, e diku-diku edhe pesë metra nën nivelin e detit. Por, gjithsesi, e veçanta e këtij lumi është ajo se fundi i shtratit të tij, duke filluar nga gryka e derdhjes dhe tërë gjatësia e tij prej 36 km, është nën nivelin e detit.

Kjo bën që ky lumë të jetë fenomen natyror, sidomos kur kemi parasysh rrjedhjen e madhe, ku edhe pranë tij uji i detit depërton thellë e përgjatë shtratit të tij. Kjo është një veçanti dhe karakteristikë e Lumit Buna. Pra, në shtratin e tij kemi edhe ujin e detit të njelmët, si dhe ujin e ëmbël të lumit. Uji i detit, si më i rëndë, depërton nën fundin e shtratit të lumit Buna deri afër Shën Gjergjit.

Karakteristikë tjetër e Lumit Buna është ajo e ujit nëntokësor, ku shtrati i dikurshëm i Bunës ishte diku rreth 40 metra më poshtë në krahasim me kuotën e sotme të shkëmbit bazë te Fraskanjeli. Lumi Buna në mënyrë permanente ka mbushur shtratin e vjetër të tij me rërë. Përmbi rërë janë shtresuar sendimente argjilore, të cilat nuk lejojnë depërtimin e ujit ku bëhet edhe prerja e shtratit aktual të lumit Buna. Kështu që tani në të njëjtin drejtim, njëri mbi tjetrin kah deti, rrjedhin në sipërfaqe rrjedhja e lumit Buna dhe në thellësi prej 10 deri në 15 metra, rrjedhja nëntokësore e lumit Buna.

Rrjedhja nëntokësore vjen po ashtu nga veriu kah jugu dhe mund të karakterizohet si rrjedhje e ujit nëpër një tubacion të mbushur me rërë. Rrjedhja nëntokësore është e njohur edhe me burimet e Lisnës dhe të Boreve. Veçanti e tretë e lumit Buna është delta e Bunës –këtu lumi ndahet në dy krah, të cilat ndaras derdhen në det. Dhe e veçanta e katërta është ajo e oscilimit të dyfishtë të rritjes së nivelit të ujit.

Ajo që mbetet emergjente si për banorët e zonës, ashtu dhe për autoritetet shtetërore, është ruajtja e veçorive të kësaj zone të veçantë. Mbrojtja e Lumit Buna kërkon që çdo ndërhyrje duhet që të kanalizojë përdorimin e biodiversitetit dhe të ekosistemeve natyrore dhe të shtojë eksperiencat në përdorimin e qëndrueshëm të këtyre vlerave në drejtim të zhvillimit të agroturizmit dhe agrobiznesit.

© Panorama.al

Te lidhura