Te shkëmbi i Fajkoit në Izvor ligjëron qyqja

Mar 28, 2023 | 7:51
SHPËRNDAJE

SEFER PASHASEFER PASHA

Fshati Izvor është në verilindje të qytetit të Memaliajve. Në fakt, është ish-Izvori, se është boshatisur. Shikon vetëm trumbe zogjsh e pas ca stallave të befason dikush që me fyell përhap mbi fshat melodi baritore. Një i afërt që më shoqëron më thotë se ky nuk është bari. Meloditë i nxjerrin petritët e fshatit. Zanat dhe vitat nuk ka mërguar. Të rinjtë e kanë kapërcyer me gomone kanalin e La Manshit. E gjeta këto ditë Izvorin në absurditetin e tij, pa vegime, si në një zhgjëndërr. Të moshuarit që takoj më flasin për birin e Tragjasit, Heroin e Popullit Kastriot Muço, i cili u vra gjatë luftës në Qafën e Kiçokut. Ja kanë prishur lapidarin, por izvorasit me minirrëfimet e tyre ia ngrenë lart lavdinë. Izvorasit që kanë mbetur gjithashtu më mahnisin me ato që tregojnë. Një mësues ka në duar librin “Mesazh në krahët e një future” të bijës së fshatit të tyre, e cila është poete. Quhet Hava Muçollari. Ka promovuar dy libra në Durrës këto ditë. “Mesazh në krahët e një future” dhe “Qyrku i lutjeve” kanë mbërritur dhe në vendlindjen e poetes. Mësuesi në kafenenë e fshatit flet për librin e bijës së fshatit, e cila është ekonomiste e lartë. Është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, Dega Financë. Mësuesi më flet për psikodramën e vendit që po shpopullohet. Poezia titullohet “Zemra në dy kontinente”. Poetja bën fjalë për dhimbjen e një nëne./Rrotullohet toka çdo ditë rreth diellit//Duke zgjeruar kapilarët e saj//Si mundet të jetojë e vetmuar një nënë//Me zemrën në dy kontinente të ndara/.

Megjithëse motivet për kuçedrën e La Manshit dhe për mërgimin në përgjithësi nuk janë të shumta, poetesha Hava Muçollari është brenda kësaj drame. Ajo është si të thuash një Doruntinë. Poezia e saj për të bijën që studion jashtë shtetit është nga më të ndjerat. Mësuesi i Izvorit thotë me një lloj shpotie se Hava Muçollari vërtet ka lindur në fshat, por jeta e saj i ngjan asaj të shqiponjës. Shqiponja kudo që të ndodhet në fushë, në kodër e në majë mali do ta gjejë një centimetër vend që të jetë mbi të gjithë. Kështu ka ndodhur dhe me poeteshën Hava Muçollari. Në poezinë e magjishme “E përditshmja rri pezull” midis të tjerave autorja shkruan:- /Kështu është bota//Ulje//Ngjitje// Si unë dhe ti//Si ne të dy//Zihemi se duhemi/.

Gjithsesi, poetesha paçka se nuk jeton në fshatin e braktisur të Izvorit, është me poezitë e saj në mëhallat e Izvorit. Për këtë nuk është nevoja që t’i lexosh të katër vëllimet e saj me poezitë e kërthinjta. Mjafton të ndalesh te poezia “Ma mban foshnjën nëna”, duke iu kthyer vargut shekspirian “Kush e bën këtë vend kur ikën rinia” dhe të kuptosh pse në Izvor mollët e vjeshtës po kalben në pemë, bahçet i ka mbytur gjembi, tjegullat i ka flakur era e Kiçokut, ujqërit kuisin nëpër shtëpitë e rrënuara, në yrte askush nuk punon dhe në mëhalla nuk dëgjon një klithmë fëmije. Kjo dramë e autores merret vesh te parathënia që ajo ka bërë te vëllimi poetik, “Qyrku i lutjeve”. Në 18 rreshta lexuesi gjen nostalgjinë e poeteshës për vendlindjen, për prindërit dhe gjyshërit që të vogël e kanë mbajtur në shpinë, për zogjtë, koritë, gurët, rrëketë e gurgullimën e Vjosës. Për poeteshën Hava Muçollari janë të paharruara bëmat, legjendat, përrallat, këngët, vallet, bejtet e humori spontan.

Në kujtesën e poetes ka mbetur oda e të atit, ku nuk kishin të mbaruar tregimet për Ali Pashën, i cili e kishte shkelur disa herë Izvorin. Një rrëfenjë e lashtë tregon sesi të parët e Izvorit kishin punuar si argat te Veziri i Janinës. Ata i merrnin gurët që nga gurorja e Luftinjës, dorë më dorë dhe i shpinin në Tepelenë, ku Pashahi ndërtonte kalanë. Vargu i argatëve ishte i gjatë me kilometra. Argati i parë e merrte gurin e Luftinjës dhe ia përcillte argatit të dytë. Dhe kështu vazhdonte transportimi i gurëve dorë më dorë deri te themelet ku ngrihej kalaja. Asnjë gur nuk binte në tokë. E vetmja vështirësi ishte lumi i Vjosës, sidomos kur ai kishte prurje të mëdha, që nga malet e Pindit. Argatët e zhveshur në ujë i transportonin gurët për te mjeshtrit që ndërtonin kalanë.

Tregimet e Izvorit të ngjethin. Në qendër të fshatit isha me kushëririn tim, Adriatik Xhemali. Adriatiku është prozator dhe autor i disa librave. Jeton në Memaliaj që ai në librat e tij e quan “Qyteti që vdiq”. Dy të moshuar që pinë raki në shkallët e një banese përdhese më thonë se kjo “rrebe” që erdhi pritej. Mbi Izvor thotë njëri prej tyre është një shkëmb që quhet Shkëmbi i Fajkoit. Të parët kanë rrëfyer se në muajin prill kur këndon qyqja nëse te Shkëmbi i Fajkoit këndojnë në të njëjtën kohë dy qyqe, ose do të kishte zi buke, ose pritej ndonjë luftë. Qyqet nuk i lëshojnë kurrë vezët në foletë e tyre. Ato i pjellin vezët në foletë e shpendëve të tjerë. Qyqja nuk bëhet kurrë “nënë”. Por vazhdon të tregojë izvorasi para pandemisë ishin parë në një fole vezë të qyqeve. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Dy qyqet ngrohnin vezët e tyre. Do të ndodhë ndonjë hata kishin thënë më të moshuarit. Dhe për çudi ndodhi pandemia. Dy qyqet edhe në pranverën që kaloi kënduan si “duet” te Shkëmbi i Fajkoit. Prapë do të kemi fatkeqësi, thanë njerëzit. Kjo u mor vesh kur të rinjtë me gomone po “shtegtonin” drejt Anglisë. Fshatarët që kanë mbetur nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me dy qyqet kur në Izvor të mos ketë këmbë njeriu. A do të këndojnë ato te Shkëmbi i Fajkoit? Dhe në këndofshin këngën që paralajmëron fatkeqësi nuk do t’i dëgjojë as Zoti. Mos ndodhtë shuarja e madhe!

Izvori përjeton baladën e lëngatës së një kohe të mbrapshtë. Shumë motive të qëmtuara në Malin e Tomorit, në Borsh, Sarandë, Tiranë e Durrës e rrokin këtë “kolerë”. Guri nuk po zë vend. Edhe vargu i këngës “Sazan e Karaburun janë vatanet e mia” sikur është zbehur. Mos do të vijnë të huajt të jetojnë në perlën magjike të Shqipërisë? Kush e di? Bathët nuk janë të mbara. Poetesh Hava Muçollari shkruan: – /Kërkoj pranverën te ty çdo herë//Por i ftohti i dimrit ndër vite s’të lëshon//I lutem natyrës -kohë për birësim//Një të mesme stinësh në rotacion mos gjej…./ Poetja ka qëndrim të ashpër ndaj njerëzve me vese. Ajo në poezinë “Të rrugëve janë” shprehet /Të mbytur në borxhe, lënë peng sa kanë/ /Dhe përfundojnë në rrugë, se të rrugëve janë/.

Në ligjërimet e Hava Muçollarit gjen motive nga më të arrirat duke filluar nga ato të vajzës së valëve, tragjedisë së Otrantos, botës emigrantëve në Itali e plot burime që të ngjethin.

Ishte mjaft mbresëlënës këto ditë promovimi i librit të poetes nga Izvori në Durrës. Ishin të pranishëm shumë personalitete të artit e kulturës, por dhe bashkëfshatarë të autores që thanë fjalët më të mira. U bën dhe ilustrime. Poezitë nuk janë shkruar tymthi. U këndua dhe një këngë polifonike nga vendlindja e autores. Autorja u mor si simbol i një zonje të mrekullueshme si nënë e bashkëshorte. Siç është në jetë ashtu është dhe në art. Megjithëse sot Shqipëria lëngon e vuan poetesha Hava Muçollari është optimiste se nuk do të vonojnë udhëzat e shenjëzuara të agimeve të bardha. “Sa më i fryrë Nili, aq më e madhe shpresa”, thotë proverbi arab. Optimizmi i poetes bie në sy në disa nga poezitë e saj më të mira Muçollari i ngec poezitë dhe i kallketë në lodërzat e jetës. Natyrisht ato ravijëzohen me mundim skëterre e trille hyjnore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura