“Të rriten taksat për makinat, pagat dhe biznesin e vogël”, ja çfarë rekomandon FMN-ja

May 23, 2018 | 9:10
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Në raportin e parë pas monitorimit të ekonomisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandon qeverisë rritjen e disa taksave sipas inflacionit, kthimin e tatimfitimit për biznesin e vogël dhe uljen e pragut deri në 24 mijë lekë për pagat.

Përfaqësuesja e FMN në konferencë për shtyp në Tiranë
Përfaqësuesja e FMN në konferencë për shtyp në Tiranë

Në vlerësimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, rritja e taksave rekomandohet si një nga masat për të ulur borxhin publik. Pavarësisht uljes së borxhit publik në nivelin 70 për qind në fund të vitit 2017 dhe planit të qeverisë për të vijuar me këtë trend, Fondi Monetar Ndërkombëtar përsëri vlerë- son se niveli mbetet i lartë për ekonominë shqiptare.

Bordi i FMN, në raport, vlerëson progresin për vendosjen e taksës së pronës në bazë të vlerës, por kërkon kujdes në zbatimin e metodologjisë së re.

“Konsolidimi fiskal duhet të mbështetet nga masat shtesë të të ardhurave tatimore. Me hapësirë të kufizuar për reduktimin e shpenzimeve, stafi rekomandoi përpjekje të vazhdueshme në politikat e administrimit të taksave, veçanërisht nëpërmjet indeksimit të normave të akcizës ndaj inflacionit, taksave mjedisore, zgjerimin e bazës tatimore dhe reduktimin e informalitetit. Misioni mirëpriti progresin në krijimin e një kadastre fiskale dhe hapat drejt taksimit të pronës me vlerë të bazuar, por theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme përgatitore për të siguruar zbatimin e duhur. Për më tepër, këto reforma nuk duhet të dëmtohen nga masat e reja që rrënojnë bazën tatimore”, thuhet në raport. FMN vlerëson si rrezik edhe dobësitë e institucioneve publike dhe gjyqësore.

“Pavarësisht mjedisit të favorshëm dhe perspektivës pozitive afatshkurtër, mbeten rreziqe dhe dobësi, që rrjedhin nga borxhi i lartë publik, hua me probleme në sektorin financiar dhe dobësi në institucionet publike dhe në sistemin gjyqësor”, thuhet në raport.

RRITJA E TAKSAVE

FMN i rekomandon qeverisë të ndryshojë që nga taksa e regjistrimit të makinave, tatimfitimit të biznesit të vogël dhe deri në uljen e pragut për mostatimin e pagave. Referuar raportit të Fondi Monetar Ndërkombëtar, i sugjerohet qeverisë të indeksojë taksën e qarkullimit, akcizën e karburantit dhe të regjistrimit të makinave me inflacionin. Gjithashtu, Fondi i rekomandon qeverisë të shtojë bazën e TVSH-së tek ilaçet, shitjen e banesave të reja dhe arsimit.

Po ashtu, bordi i FMN-së i rekomandon qeverisë të kthejë tatimfitimin për biznesin e vogël. Bizneset me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë, janë të përjashtuara nga tatimfitimi. Tatimi për të ardhurat aktualisht është zero për pagat deri në 30 mijë lekë. FMN rekomandon uljen e pragut të tatimit zero sa niveli i pagës minimale, pra, deri në 24 mijë lekë. Po ashtu, në raport rekomandohet edhe shtimi i taksave mjedisore.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura