Të “rrisësh” rroba në kopsht

Feb 26, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

Do të vishnit një fustan dasme të bërë nga myku? Si mund të përdoren bakteret, kërpudhat, çaji jeshil apo sheqeri për të prodhuar veshje me bazë natyrore, të cilat janë miqësore me mjedisin. Kërkimet dhe aplikimi.

Do të vishnit një fustan të rritur nga një përzierje tharmi, bakterieje, sheqeri apo çaji jeshil? Çfarë mendoni për një kombinim të materialit bimor dhe kërpudhave mikroskopike? Që këto materiale të çuditshme të jenë materialet që veshim mund të tingëllojnë si çmenduri, por mund të kenë influencë në atë se si moda është prodhuar.
“Mendoj se mundësia për të kultivuar vetë rrobat tona mund të ketë potencial të madh pozitiv”, thotë Erin Smith, artiste në rezidencë në “Microsoft Research”, e cila në këtë mënyrë përgatiti fustanin e saj të martesës. “Të rrisësh rroba në këtë mënyrë, në të njëjtën kohë mund të eliminojë emetimin e karbonit dhe të lejojë të keni një veshje të rritur sipas dimensioneve dhe specifikave tuaja precize”.

Material veshjesh i fermentuar
Smith prodhoi fustanin e saj, duke përdorur një kombinim të materialit të shpërndarë mbi pemë për ta ushqyer atë dhe micelit, një lloj i kërpudhës së bardhë natyrale. Miceli ishte “edukuar” në një vaskë mbetjesh bujqësore, duke kërkuar shumë pak energji të shtuar. Menjëherë pasi fustani të ishte veshur, mund të shpërbëhej në kopsht. Ajo mori vendimin të “rrisë” fustanin e vet të nusërisë, sepse nuk donte që ai të ishte i diktuar nga tradita dhe të ishte diçka që do të rrinte në gardërobën e saj pas dasmës.
“Koncepti mbrapa një fustani dasme të krijuar në mënyrë të tillë, ishte të përftoja një objekt që përdorej vetëm njëherë dhe të rimendoja përbërjen e tij, me qëllim që të ishte një material me jetëgjatësi të përshtatshme. Kostoja mesatare e një fustani nusërie në SHBA është afërsisht 1,200 $ (792 £), dhe mund të përmbajë rreth 11 m material fabrike”, shpjegon Smith, duke shtuar se duke bërë modën pjesë të këtij zinxhiri, jo vetëm na sjell më afër ambientit, por gjithashtu reflekton sa të panevojshme janë zakonet tona të konsumit. “Fustani i dasmës është shembulli perfekt për këtë”.
Të kultivosh një veshje nga miceli, nuk është një koncept i ri. Figura më e njohur në fushën e biomaterialeve është Suzanne Lee, themeluese e “BioCouture”, një konsulencë e dizajnit, që punon me marka, për të aplikuar teknologji të ngjashme në veshjet sportive dhe produktet e luksit. Lee ka eksperimentuar me idenë e fermentimit të rrobave për më shumë se një dekadë, dhe ka rritur lloje lëkurash bimore nga çaji jeshil, sheqeri, bakteret dhe tharmi.
Duke u kthyer pas në 2004-n, një grup i Universitetit të Australisë Perëndimore ekspozoi një xhaketë të përbërë nga indet e gjalla të minjve dhe ato njerëzore. Dhe disa vjet më parë, “Bioalloy”, një projekt kërkues bazuar në laboratorët në të njëjtin universitet prodhoi veshje nga alkooli, duke përdorur celulozë fibroze të krijuar nga futja e baktereve në verën e kuqe.
Shkencëtarët dhe disenjatorët, gjithnjë e më tepër po kërkojnë të gjejnë mënyra që mjegullojnë kufijtë ndërmjet biologjisë dhe modës. Mundet që biomaterialet të zëvendësojnë pambukun dhe lëkurën dhe kjo modë e shpejtë të vazhdojë të ‘shtrihet’ në polimerie me bazë vajore si poliestra?
Lee ka bërë të ditur se, biomateriale si celuloza mikrobike thjesht do të jenë një “shtesë e zgjuar dhe e qëndrueshme në burimet tona natyrale vazhdimisht në rritje”. Këto kanë avantazhe mjedisore, veçanërisht përsa i përket ujit. Për shembull, pas një xhakete të përbërë nga kombucha (një pije e fermentuar me çaj, sheqer, baktere dhe tharm) kërkon vetëm 60 litra ujë për një metër katror të lëkurës së saj. Në krahasim me të, duhen 20,000 litra ujë për të prodhuar një këmishë të vetme dhe një palë xhinse.
Megjithatë, pavarësisht avantazheve ka edhe disa sfida në prodhimin e veshjeve në këtë mënyrë. Një prej tyre ka të bëjë me dyshimet nëse njerëzit do të jenë të lumtur të veshin diçka të krijuar nga mbetjet?! Sipas një sondazhi, disave u duket kjo, sikur të veshin rroba të pista menjëherë pas dushit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura