Të riparosh të pariparueshmen

Mar 26, 2015 | 16:00
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

   Tragjedia e përkthyesit të Sofokliut, hyri 15 e doli 47 vjeç nga burgu

Parathënia e Fatos Lubonjës për bashkëvuajtësin e tij Kujtim Aliaj që u dënua për tentativë arratisjeje.

“Jemi një shoqëri e sëmurë, s’kemi kulturën e ndjesës”

Lubonja: Xhelatët, po aq viktima të diktaturës që i shërbyen

Duke jetuar një jetë-tragjedi, nga qelitë e burgut të Burrelit, Kujtim Aliajt i vinte natyrshëm të shqipëronte tragjeditë e heronjve të antikitetit grek. Fatet e Edipit, Antigonës, Elektrës kishin diçka nga fataliteti që kishte shoqëruar jetën e tij. Së fundmi, botimet “E Përshtatshme” kanë botuar veprën “Dramat e Sofokliut”, përkthyer prej frëngjishtes nga Kujtim Aliaj dhe me parathënie të Fatos Lubonjës. Sipas Lubonjës, bashkëvuajtës i Aliajt, ky i fundit e ka gjetur këtë libër në burgun e Burrelit në vitin 1978, kur u transferua nga Spaçi aty, në një kohë kur kishte kryer 23 vjet burg, pra në moshën 38 vjeç.  Në këtë botim përfshihen veprat: “Ajaksi”, “Elektra”, “Edipi mbret”, “Edipi në Kolonë”, “Antigona”, “Trakinianët dhe Filokteti”. Në parathënien e librit, Lubonja, jo vetëm na njeh me fatin e Kujtim Aliajt, i cili u burgos për tentativë arratisjeje, në moshën 15-vjeçare, për të dalë prej andej 47 vjeç, por të të gjithë bashkëvuajtësve të tij, nevojën për t’u përballur me të shkuarën dhe për të ndërtuar kulturën e ndjesës

…Ky nuk është një ribotim i zakonshëm i Sofokliut. Është një libër shumë i veçantë, aq sa vështirë se mund t’i gjendet shoqi në krejt historinë botërore të botimeve dhe ribotimeve të dramave të Sofokliut. Këtë veçanti ia jep jeta e përkthyesit, që lidhet edhe me historinë e përkthimit të vetë librit. Madje, edhe kjo parathënie është e veçantë, pasi, ndryshe nga parathëniet e zakonshme të librave, nuk i kushtohet autorit të librit dhe veprës së tij, por përkthyesit, Kujtim Aliajt. E këtu i drejtohem lexuesit të këtyre radhëve me lutjen që të bëjë një sforco të imagjinatës, pasi më duhet të them një gjë të pazakontë, ndoshta unike: përkthyesi i këtij libri, Kujtim Aliaj, ka rënë në burg në moshën 15-vjeçare, është dënuar fillimisht 5 vjet për tentativë arratisjeje, dhe ka mbetur, imagjinoni, 32 vjet, që nga viti 1955 deri në vitin 1987, pandërprerë, në burg.
Midis fatit dhe zgjedhjes
[…]
Kur flasim për rrugën e jetës së një njeriu, shpeshherë na ndodh të ngremë pikëpyetjet: si do të kishte qenë jeta e tij sikur të mos kishte lindur këtu, të mos i kishte ndodhur ai aksident, të mos kishte takuar aksh mentor apo filantrop? Në këto hamendësime na shtyn nganjëherë “fati i mirë” që i ka ndihmuar dhe, në raste të tjera, “fati i keq” që i ka penguar. Mirëpo, sa më shumë thellohemi, aq më shumë zbulojmë se nuk është kaq e thjeshtë, se ajo e lidhjes së jetës sonë me fatin është një çështje që njeriu e ka ngritur që në krye të herës instinktivisht, por me të cilën janë marrë edhe mendimtarë e filozofë, në shekuj, pa i gjetur përgjigje shteruese. Mjaft të kesh parasysh se debati i hapur që në kohën e bashkëkohësve të autorit të këtij libri, midis stoikëve që na flasin për destinin e paracaktuar të njeriut, se ai është si një qen i lidhur pas një karroje që ka mundësi të lëvizë aq sa i lejon litari, dhe epikurianëve, që ngulmojnë se njeriut nuk i është paracaktuar asnjë fat, se nuk ka, pra, asnjë karro, se ai është i lirë të krijojë fatin e tij, ka vazhduar e vazhdon deri në kohën tonë.
Nëse do t’i referohemi tragjedianit të madh të lashtësisë që po botojmë, do të shohim se heronjtë e tij, i futen me pasion të madh bëmave në të cilat nuk dallohet mirë kufiri se ku mbaron vullneti i tyre dhe ku fillon vullneti i zotave të Olimpit. Po kështu edhe këta zota kanë karaktere të ngjashme me njeriun, kanë dashuritë dhe xhelozitë e tyre, kanë urtësitë dhe dobësitë e tyre kanë simpatitë apo antipatitë e tyre për njëri tjetrin dhe ndaj heronjve mbi tokë. Në tragjedinë më të famshme të këtij libri, shohim heroin, Edipin, që kërkon me ngulm t’i ikë fatit që i është caktuar nga zotat. Dhe Sofokliu na jep të gjitha arsyet për t’i dhënë të drejtë atij dhe jo zotave. Megjithatë, për të zezën e tij, e paracaktuara realizohet. Stoikët do të thoshin se kjo ndodh në emër të një rendi më të lartë që përfaqëson vullneti i zotave, epikurianët se është një fatalizëm absurd që provon se zotat nuk ekzistojnë.
[…]
Kur ke parasysh jetët e të burgosurve nga diktatura nuk mund të mos mendosh në termat e tragjedive klasike për jetët e tyre. Sepse jeta në diktaturë ka qenë tejet e determinuar nga ata që identifikoheshin rrejshëm me zotat, të pushtetshmit e kësaj bote. Shpesh herë sinonimi që përdorej për diktatorin ishte Zeusi. Sigurisht këta zota tokësorë dhe vendimet e tyre mizore ishte vështirë të pranoheshin në egërsinë dhe padrejtësinë e tyre. Të burgosurit kanë jetuar me bindjen se këta ishin personazhet negativë të një tragjedie, ku ata po sakrifikoheshin padrejtësisht, e se një ditë mizorët do të ndëshkoheshin. Por megjithatë, ndoshta edhe për shkak të zgjatjes në kohë të kësaj tragjedie një ndjenjë fataliteti nuk i ndahej mendjes. Pse na ra ne ky fat ndaj të cilit ndjehemi kaq të pafuqishëm? Cili prej zotave të qiellit na e caktoi këtë mundim dhe përse? – ngrinin pyetjen një pjesë. Ashtu sikurse kishte të tjerë që kishin përgjigjen më të lehtë: e quanin një provë të Zotit.
Ka një të vërtetë dy herë tragjike në varësinë e jetës nga një fat, që nuk kemi fuqi ta kontrollojmë, që na e përcaktojnë të tjerët. Aspekti i parë tragjik lidhet me jetën e tërë shoqërisë që u detyrua të jetojnë nën diktaturë, me gjithë çfarë kjo ka prodhuar. Është tragjike ta përfytyrosh atë që është humbur, që do të mund të kishte qenë, por s’mundi të ishte, jo thjesht në nivelin e jetës së individëve, por edhe në atë të jetës së shoqërisë si një e tërë. Sepse, që njeriu, prandaj dhe shoqëria, të zhvillojë potencialitetet e veta, kusht i parë është liria – dhe jetët e njerëzve që lindën në diktaturë do të kishin qenë të ndryshme në kushte lirie. Pse na ra për hise t’i përkasim botës së Lindjes ku u vendosën diktatura? Sa ndryshe do të kishte qenë jeta jonë sikur zbarkimi të ishte bërë në Durrës dhe jo në Siçili apo sikur në Jalë tre udhëheqësit botërorë t’i kishin hequr ndryshe vijat e ndarje së Evropës? Pse na ranë për hise udhëheqës kaq mizorë. Sa ishte kjo një punë rasti dhe sa e determinuar? Këto pyetje kanë munduar shumë njerëz që kanë ndjerë shtypjen e diktaturës.
Aspekti i dytë i tragjikes lidhet me fatin e zi brenda fatit të zi; d.m.th. me vetë jetën e personave të veçantë që i ka burgosur e persekutuar diktatura. Me pyetjen: pse më ra mua ky fat. Pra, s’ka mundësi të mos mendosh për fatalitetin e jetës së Kujtim Aliajt, për atë se jeta e tij do të kishte qenë krejt tjetër sikur të mos kishte jetuar në një vend që kalimin e kufirit pa leje e quante tradhti ndaj atdheut, dhe që, për një “krim” të tillë, të rriturit i dënonte nga 10 vjet deri me vdekje, kurse fëmijëve u bënte “favorin” e dhënies së gjysmës së dënimit: d.m.th. 5 vjet, siç ka dënuar Kujtim Aliajn! Dhe pastaj s’ke si të mos mendosh se, sikur të mos ishte kapur kur tentoi arratisjen, e, po ashtu, të mos i kishin ndodhur tërë ato peripeci gjatë vuajtjes së dënimit, jeta e tij nuk do të ishte konsumuar përgjatë 32 vjetëve, pa reshtur, në burg. Por, më anë tjetër, ne nuk mund të mos shtrojmë pyetjen nëse ka kuptim të imagjinojmë se si do të kishin qenë jetët tona sikur të mos kishim jetuar në diktaturë? A nuk është më e drejtë të thuhet se ne jemi një farë e hedhur rastësisht nga një dorë që s’varet nga ne, – sepse na kanë hedhur pa na pyetur, – për të mbirë në një tokë të caktuar, në një klimë të caktuar; farë që ka në ADN-në e saj potencialitetet e veta të rritjes, por se mënyra se si shfaqen këto potencialitete, kjo rritje, kushtëzohet nga toka dhe klima ku është mbjellë? A nuk është, ndoshta, më e drejtë të përgjigjemi me cinizëm: se, për mirë apo për keq, Kujtim Aliaj është ajo çfarë u rrit nga fara e tij e mbjellë në tokën dhe klimën e egër të diktaturës, dhe jo ajo që do të mund të kishte qenë sikur të kishte fryrë një erë më e ngrohtë – dhe se, përtej kësaj, s’ka asgjë tjetër. Pra se ne nuk mund t’i shpëtojmë dot fatit tonë të përcaktuar – nga zotat për disa apo nga rrethanat dhe kultura ku kemi lindur, për disa të tjerë. E ç’mund të bënte një njeri i ngujuar gjatë gjithë jetës brenda hekurave të burgut? A nuk ka të drejtë Shopenhauerit kur thotë se fati është për njeriun si era për një anije me vela: sado i zoti të jetë ekuipazhi, sado vullnet të paepur të ketë komandanti i tij, po qe se era nuk fryn në drejtimin e duhur anija nuk lëviz dot që andej ku ka ngecur?
Përsëri ka një të metë ky gjykim pasi jo gjithçka varet nga dora e padukshme e fatit në jetën tonë. Provë e kësaj janë edhe pikëpyetjet që ne ngremë përditë se deri ku mund t’i nënshtrohemi fatit, apo cila është mënyra për t’u pajtuar me të, e deri ku mund e duhet të rebelohemi ndaj tij. Në jetë ne bëjmë edhe zgjedhje për të marrë një rrugë apo një tjetër, për të ndërtuar apo ndryshuar fatin tonë. Këto zgjedhje vërtet janë të kushtëzuara por, përsëri, janë zgjedhje që përmbajnë farën e lirisë që është, edhe ajo, në AND-në tonë. Ne jemi të dënuar për të qenë të lirë për të bërë zgjedhje gjithmonë – thonë filozofë të tjerë. Një zgjedhje e tillë ka qenë edhe ajo e Kujtim Aliajt, kur krejt fëmijë, tentoi të ikte nga Shqipëria, pasi, për shkak të biografisë, iu refuzua kërkesa për t’u shkolluar atje ku donte. Por, edhe kur parakalon jetën e tij në burg, nuk mund të mos mendosh se edhe aty rrugët e jetës së tij mund të kishin qenë disadrejtimëshe. Më një anë, nuk mund të mos mendosh se, fakti që, në vend se në oborrin dhe klasat e shkollës ai është rritur në qelitë e burgut e kampet e punë së detyruar, se prindërit dhe mësuesit e tij u zëvendësuan me hetuesit, gardianët dhe të burgosurit që ka takuar në ato burgje, ka ndikuar thellësisht në formimin e tij. Por, më anë tjetër, ai është edhe bir i zgjedhjeve që ka bërë vetë edhe aty.
[…]
Në burg Kujtim Aliaj ka “shkruar” shumë poezi. E vura në thonjëza fjalën shkruar pasi në të vërtetë ai nuk i shkruante ato në letër, por në mendje. I mbante mend përmendësh me shpresën se një ditë do të dilte e do t’i shkruante e botonte. Dhe vërtet kështu ka ndodhur. Një pjesë syresh janë botuar së fundmi në vëllimin “Ndryshe nga çdo jetë”. Duke lexuar poezitë e Kujtim Aliajt, lajtmotivin e fatit dhe të zgjedhjes e gjen të pranishëm në shumë prej poezive të tij.. Kur ai shkruan në poezitë e tij “Fat” se “Komunizmi është skëterra/Ku na kanë hedhur pa na pyetur/ Një dimër i gjatë pa stinë të tjera/Vuajtje e kohës për të vdekur.” shpreh gati një nënshtrim ndaj fatit, pa bërë dallim, madje, as midis atyre që u burgosën dhe atyre që e përjetonin jashtë telave me gjemba diktaturën. Por, në momente të tjera, ai i rikthehet ndryshe, me një tjetër qëndrim këtij nënshtrimi ndaj fatit, duke e plotësuar këtë “vuajtjeje të kohës për të vdekur” me refleksionin e njeriut që kërkon, përtej vuajtjes, kuptimin e jetës.
“Shoku im fatkeq/Si t’u fikën ditët një nga një,/Pa bërë dritë e jeta të shkoi për dreq…” ngre ai me “një dhimbje të thellë” një pyetje që kuptohet se është edhe për vetveten. Duket sikur është i zhytur në dëshpërim por, kur e sheh shokun e tij “që vjen e ndrit si diell” teksa thotë: “Kurajë, është nder të jesh këtu” dhembja i lehtësohet “një lot i zbret në faqe” e “bije në gjumë me shpirtin rënë në paqe”.
Duke lexuar këta reshta të vjen të thuash, me një farë ndjenje ngushëllimi, se kjo “paqe” me veten që ka gjetur poeti dhe përkthyesi i Sofokliut, vjen ngase ai i ka gjetur një kuptim jetës edhe vuajtjes, se ai mendon se ajo që u ka ndodhur nuk është çështje fati, por çështje zgjedhjeje. Nuk ekziston erë e favorshme për marinarin që nuk di se ku do të shkojë – do t’i përgjigjej këtu Kujtim Aliaj, me Senekën, thënies së Shopenhauerit. E vërtetë, por, duke vazhduar leximin e poezive të tij, kurrsesi nuk mund të thuash se kjo “paqe” është një lot i ngrirë në kthjelltësinë e mendimit të tij. Loti që i zbret në faqe shpesh herë vjen e turbullohet e kthehet në një vërshim ndjenjash të mbushura me brenga, pengje hidhërime; mbushur edhe me mallkime ndaj të keqes, të cilën herë herë arrin dhe e identifikon me fatin e tij.
[…]Kujtim Aliaj e pranon më një anë pafuqinë ndaj kësaj të keqeje që është “fati i tij”. “Jam robi yt, se dhe hapi im/Drejtohet për atje ku e do ti.” – i thotë asaj. Por, pas një çasti, përsëri sikur çlirohet nga kthetrat e dhimbjes që i shkakton ajo dhe i thotë me një ironi gati miqësore.
“Gjithë ky zell do t’kishte një kuptim/ Po ta dija se ke rënë në dashuri”
Poezia është melhemi që ai përdor për të lehtësuar sadopak plagët e kafshimit të së keqes. Por vjen një moment kur ai sheh se këto plagë dhe poezia si melhem ndaj tyre jetojnë në simbiozë, se “dashuria” e të keqes për të dhe “dashuria” e tij për të keqen sikur vijnë e bëhen një:
[…]
“Se nuk ju mblodha në të kota/ Ëndërrime,/ Prandaj ju dua, o lulet e mjerimit.”
Dashuria për poezitë e tij, për lulet e mjerimit, është dashuria për jetën e tij. Në këtë mënyrë ai ka pajtuar fatin e tij me kuptimin e jetës së tij. Tek e fundit a nuk bëjnë të gjithë kështu në jetë? A nuk është ai në përputhje këtu me mësimin e stoikut të madh, Mark Aurelit kur na thotë se gjëja më e përshtatshme që mund të bëjmë është të duam vetëm ato gjëra që na ndodhin, ato që janë thurur me fillin e jetës sonë. A nuk mund të themi se, nëse siç na ndriçon edhe Khalil Gibran “Ne jemi të gjithë të burgosur, por disa në qeli me dritare disa pa dritare.” Kujtim Aliaj, gjithsesi, ka qenë më fatlum se shumë të tjerë pasi dashuria për poezinë dhe kulturën e ka bërë të jetojë në një burg me dritare, se ai e ka parë “karron” e tij?
Jo, ai nuk na le të ngushëllojmë veten me këto mendime.
E pariparueshmja
Në vitet e fundit të jetës, ndoshta kur ka ndjerë se po i afrohet ka shkruar një poezi ku u drejtohet të gjallëve që do të jetojnë pas tij:
Moshën e dashurisë e lashë në biruca
Dëshirat e saj e ballin pa rrudha,
Sytë e zjarrtë e flokët e gështenjë,
Që burgu m’i thithi e i zhduku me rrënjë
Atje ma kërkoni rininë time të humbur,
Ëndrrat e mija bërë hi e pluhur
Tek këto vargje ne gjejmë një të vërtetë tronditëse që i kapërcen refleksionet e mësipërme mbi çastet e dëshpërimit e të revoltës ndaj të keqes që gjejmë në disa poezi apo të identifikimit mendjekthjellët të fatit me zgjedhjen, që gjejmë në momente të tjera. Kur ka shkruar këto vargje, vjetët e kaluara në burg, që janë më shumë sesa gjysma e jetës së tij, duhet t’i jenë shfaqur si një hon i zi ku janë rrokullisur të bëra “hi e pluhur” ëndrrat e tij. Me këto vargje ai sikur na bën thirrje të hedhim shikimin drejt thellësive të këtij honi që është aty megjithatë. Këto vargje të sugjerojnë të mendosh se jeta nuk është thjesht ajo çfarë ka bërë njeriu, madje as, siç thuhet shpesh, kujtimet që na mbesin prej saj. Jeta është edhe ajo që ai nuk ka mundur të bëjë, jeta është edhe ëndrrat që ka bartur me vete dhe që janë thërrmuar vit pas viti në mokrën e “kohës për të vdekur” e që janë derdhur në këtë hon.
[…]
Është shumë e vështirë dramatike të hysh të kërkosh hirin dhe pluhurin e rinisë dhe ëndrrave të një njeriu që bije në burg në moshën 15 vjeçare dhe del prej andej i sëmurë në moshën 47 vjeçare, për të vdekur para kohe vetëm disa vjet më vonë. Është si të kërkosh të gjesh, e të përpiqesh pastaj ta riparosh, të pariparueshmen. […]Por të gjithë të gjallët, mendoj, duhet të gjejnë kurajën për t’u ndalur, me dhimbje dhe revoltë përpara të pariparueshmes që ka ndodhur. Duhet të gjejmë kurajën për t’u ndjerë fajtorë kur shohim se, të frikësuar nga takimi me të, nuk bëjmë asnjë hap që të shkojmë t’i gjejmë ëndrrat e atyre njerëzve, të transformuara në një hi e pluhur të veçantë, që vazhdon të endet në dheun dhe ajrin e atyre vendeve të mallkuara. Burgu i Tiranës, Këneta e Karavastasë, Fabrika e Çimentos në Elbasan, Superfosfati i Laçit, Fabrika e Pasurimi të Bakrit e Rubiku, Miniera e Spaçi, Burgu i Burrelit janë disa nga vendet ku ka kaluar jeta e Kujtim Aliajt dhe e shumë bashkëvuajtësve të tij. Si është e mundur që në shumicën e këtyre vendeve nuk ka as edhe një pllakë përkujtimore që të tregojë se aty endet pluhuri dhe hiri i mijëra ëndrrave dhe dashurive njerëzore të shkatërruara?
Gjykoj se kjo ndodh, më së shumti, sepse e pariparueshmja, në një formë apo në një tjetër, i ka ndodhur të gjithë shoqërisë..
… Përse ta kërkojmë të pariparueshmen nëse nuk e riparojmë dot? Përse të mos kthejmë faqe dhe të shohim përpara? Përse doni të na mbani mbërthyer në dramën tuaj? – mund të na pyesin shumë të rinj të cilëve u duket se s’kanë lidhje me atë kohë, se nuk u ka ndodhur asgjë e pariparueshme. Pasi e keqja që ne e harrojmë nuk na harron – do t’u përgjigjesha – e do t’i ftoja të kuptojnë se e keqja që ata vuajnë sot është provë e faktit se ajo, e djeshmja, që mallkon Kujtim Aliaj, nuk na ka harruar.
[…]
Ne jemi një shoqëri e sëmurë, me një kulturë të sëmurë pasi vijmë prej një shoqërie dhe kulture që, në një formë apo një tjetër, ktheu në hi dhe pluhur edhe ëndrrat e të gjithëve e ndoshta më shumë se të kujtdo të atyre që u duket se dolën të palagur, apo fitimtarë të asaj kohe. Kultura jonë e sotme dominuese, është ajo e njeriu që nuk njeh fuqinë e ëndrrës dhe idealit prandaj dhe nuk i dhemb as vrasja e tyre, që është në fakt vrasje e njeriut. Dhe të përpiqesh të riparosh të pariparueshmen nuk do të thotë të ngjallësh të vdekurit e asaj kohe, por të ngjallësh kujtimin e dhimbshëm të padrejtësisë që u është bërë atyre, ëndrrave idealet të tyre, lirisë së tyre, në emër të ruajtjes dhe mbrojtjes së ëndrrave, drejtësisë dhe lirisë tënde. Sepse vetëm duke u bërë i aftë për të ndjerë këtë dhembje njeriut mund t’i lindë aftësia për të ëndërruar, për të pasur ideale.
Të riparosh të pariparueshme do të thotë të riparosh ndjenjën e drejtësinë që vazhdon të mbesë e dhunuar në ndërgjegjen e shoqërisë, në formën e ndërgjegjes së sëmurë të fajtorëve dhe xhelatëve të asaj kohe që nuk arrijnë të kuptojnë se në thelb janë po aq viktima, në mos edhe më keq, të asaj diktature që i kanë shërbyer.
Të riparosh të pariparueshmen do të thotë t’i kthesh shoqërisë aftësia për t’u ballafaquar me krimin e saj edhe të krijosh kulturën e ndjesës. Nëse sot kemi një shoqëri që mbijeton në sajë të krimit dhe me krimin kjo vjen ngase asaj i mungon kultura që bën të mundur lindjen e një individi që di të thotë “mea culpa” duke u ballafaquar me të pariparueshmen që ka kryer. Njerëzit e rritur pa këtë aftësi d.m.th. pa këtë kulturë do të vazhdojmë të vrasin ëndrra dhe ideale me lehtësinë me të cilën i kanë vrarë ato barbarët që burgosën Kujtim Alinë nga mosha 15 vjeç deri në moshën 48 vjeç.
Dramat e Sofokliut

Kopertina e librit “Dramat e Sofokliut”
Nga një ndjenjë përpjekjeje për të gjetur dhe riparuar të pariparueshmen, ka lindur edhe sjellja në dritë e këtij libri.
Dramat e Sofokliut është një nga librat që kishte mbetur në burgun e Burrelit që nga kohë që s’mbaheshin mend, ndoshta që nga vitet 1946 kur burgu famëkeq filloi të përdorej për të burgosurit politikë dhe aty u dergjën shumë intelektualë që s’u pajtuan me diktaturën. Vështirë ta gjesh se cili ishte ai që e futi i pari këtë libër në burg.
[…]
Kujtim Aliaj e ka gjetur këtë libër në burgun e Burrelit në vitin 1978, kur u transferua nga Spaçi aty, në një kohë kur kishte kryer 23 vjet burg, pra në moshën 38 vjeç.
Pse ka vendosur një ditë të përkthejë? Pse zgjodhi këtë libër? Ndoshta përgjigjen do ta gjemë duke lexuar njërën prej poezive të tij ku ai thotë se “Poezia… Dëshira për të qenë i kulturuar” e tërhoqën në një anë dhe, nga ana tjetër, “dashuria për trimat e shkalluar”.
[…]
Sipas meje, thellë-thellë, drejt këtij përkthimi e ka tërhequr dramat e fatit të “heronjve të shkalluar” të Sofokliut pasi atje shihte historinë e raportit të jetës së tij me fatin. Duke e përfytyruar teksa e përkthen dhe pastaj duke shkruar me dashuri me dorë titujt në faqet e para të dramave më duket sikur puna mbi këtë libër është një përpjekje e tij për të pajtuar e bashkuar këto dy prirje që e kanë drejtuar në jetën e tij në burg: dashurinë për dijen dhe poezinë dhe dashurinë për trimat e shkalluar. Por ky libër ashtu si edhe poezitë e tij na flasin edhe për të pariparueshmen. Për atë pra se sa libra me poezi dhe sa përkthime do të mund të kishim pasur nga Kujtim Aliaj sikur ai të mos ishte detyruar t’i derdhte energjitë e tij në kampet e punës së detyruar, por për të zhvilluar pasionet e tij për dijen dhe poezinë në kushte lirie. Në një nga poezitë e tij ai shkruan:
Jam përkthyes i të madhit Sofokli
Megjithatë punoj në beton
Me këmbë të ënjtura me hipertrofi
Të zemrës që rrahjet mirë s’i numëron.
[…]
Më kujtohet se kur është transferuar përsëri nga Burreli në Spaç në fillim të viteve ’80 Kujtim Aliaj e ka pasur me vete dorëshkrimin e këtij përkthimi e ma ka dhënë ta lexoj. Nuk di të them nëse libri është përkthyer nga një kopje e shtypur në shtypshkronjë apo nga kopjet e tij të “shtypura” në qelitë e burgut të Burrelit. Kur, në vitin 1987 – tamam në vitin kur Kujtim Aliaj u lirua – jam transferuar prej Spaçit në burgun e Burrelit më kujtohet se e kam gjetur atje Dramat e Sofokliut. Nga leximi dhe rileximi i tij jam inspiruar të shkruaj edhe vetë romanin nën petkun e një drama “Ploja e mbrame”, një rilexim dhe riinterpretim i Edipit mbret të këtij libri. Në fakt, nëpërmjet forcës së tragjedianit të madh të antikitetit, ky libër të ngrinte nga banaliteti i përditshmërisë duke të dhënë ngushëllim dhe inspirim njëherësh. Duke të bërë të ndjeheshe qytetar i botës, ai i jepte një dimension tjetër jetës dhe vuajtjes sonë atje. Ishte prandaj një emocion shumë i veçantë të takohesha pas rreth tridhjetë vjetësh me dorëshkrimin e përkthimit të këtij libri. Kjo ndodhi falë njerëzve të familjes së Kujtim Aliajt, që ia kanë ruajtur materialet së bashku me kujtimin dhe që, pasi i kanë botuar poezitë, kanë vendosur të kryejnë edhe botimin e këtij libri.
[…]
Si përfundim mund të them se ky libër është jo vetëm një përkthim i vyer i Sofokliut, por, me të gjithë historinë e tij, është edhe një shenjë, një gjurmë më shumë, që mund të na ndihmojë ne dhe brezat pasardhës në atë udhëtim të mundimshëm që kemi detyrë të bëjmë në emër të riparimit të së pariparueshmes.

(Parathënia e botuar me shkurtime, titulli origjinal
“Të riparosh të pariparueshmen”)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura