Të relaksohemi përpara fundit të vitit!

Dec 17, 2012 | 13:56
SHPËRNDAJE

Është ndjesi e ngjashme thuajse për të gjithë! Muajit dhjetor nuk i gëzohemi vetëm për fishekzjarrët e festave të bukura e të shumëpritura si Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Optimizmi shpesh ia lë vendin nevojës për të bërë një bilanc, retrospektivë të ngjarjeve që lamë pas këtë vit, çfarë përjetuam ndryshe dhe kryesorja, pritshmëritë për 2013-n në prag. Por, përpara se të ngarkojmë veten me bilance dhe analiza, me larjen e perdeve, me petët e bakllavasë, me blerjet e dhuratave dhe 1001 gjëra të tjera që një femre mund t’i shkojnë nëpër mend në fundvit, është mirë të mendojmë për një mirëqenie tonën, që nis me harmoninë fizike… fillimisht, ajo pa shumë shpenzime në kushtet e shtëpisë, praktike dhe frytdhënëse, e mandej për ata që jua mban xhepi, ekzistojnë trajtimet profesionale. Masazhe relaksuese, banja turke dhe shkrydhje e të gjithë kockave të trupit, nga floku deri te gishti i këmbës, që janë të nevojshme për të rigjeneruar veten. Dhe ju do të ndiheni të gatshëm për të festuar këndshëm…
Nëse partnerit apo fëmijëve nuk u shkon mendja për një dhuratë të tillë, mos hezitoni që ta përkëdhelni ju veten me një trajtim të specializuar relaksues apo estetik. Rudina Zhuleku, një nga estetistet e masazhatoret e “Velur Spa”, thotë se këto ditë të dhjetorit janë të papërballueshme për nga fluksi i klientëve që zgjedhin të trajtohen vetëm apo në çift përmes paketave të posaçme festive. Gjithashtu, për individët praktikë, e që u rrinë larg faturave me shumë zero pas, apo edhe qëndrimit për disa orë nëpër qendra estetike, zgjidhja gjendet brenda mureve të shtëpisë, mjafton të keni disa produkte të nevojshme për realizimin e masazheve relaksuese.

Trajtime në kushtet e shtëpisë
Peeling me miell misri
Nëse doni të eliminoni qelizat e vdekura të lëkurës, në një tas hidhni një sasi mielli misri dhe një tjetër miell bajamesh. Përziejini me njëra-tjetrën, e më pas me një sfungjer dushi bëjini masazh lëkurë së trupit. Pas disa minutave do e ndjeni menjëherë ndryshimin.

Qumësht për të relaksuar trupin
Ndodh që problemi i lëkurës suaj të mos jetë i rëndë, ndaj nuk keni nevojë për trajtim special. Por, për t’u ndier të relaksuar, mjafton të hidhni disa litra qumësht në një vaskë, tri apo katër të tilla dhe të qëndroni aty përreth 25 minuta.

Sodë buke & vaj ulliri për të masazhuar trupin
Në një tas hidhni një sasi sodë buke dhe pak vaj ulliri. Përziejini me njëra-tjetrën dhe më pas me dorë filloni masazhoni trupin, nga zona e qafës e deri te gishtat e këmbëve. Do të ndiheni të relaksuar.

Foto: Vlasov Sulaj, ambienti “Velur SPA”

Trajtime profesionale
Shkëlqim festiv
Për të eliminuar lodhjen e ngarkesën fizike, zgjidhni këtë lloj trajtimi. Scrub i plotë trupi me petale trëndafili dhe shampanjë. Për trajtime luksi jo vetëm relaksuese, por edhe estetike në qendrën “Velur Spa” ky lloj masazhi i plotë për trupin realizohet me produkte specifike, që të shoqëruara me masazh dhe vaj trëndafili ju shkrydhin çdo kockë të trupit tuaj, për t’u ndier në fund të relaksuar.

Relaks në fundvit
Një tjetër lloj trajtimi që sugjerohet për trupin, është edhe ai i peeling që zhvillohet në hamam. E gjithë procedura, nga avulli e shkuma, deri në një trajtim të plotë dhe rigjenerues të lëkurës së fytyrës, e plotësojnë paketën relaksuese për këtë fundvit. Duke u kombinuar trajtimet e trupit me ato të fytyrës, përftohet një trup i çlodhur dhe një lëkurë e mirëtrajtuar.

Ndriçim luksoz i fytyrës
Një pjesë e konsiderueshme e lodhjes shfaqet edhe në fytyrë, përmes një lëkure që e ka humbur shkëlqimin e saj, elasticitetin, apo qeskat e formuara poshtë syve. Ndaj, një trajtim i plotë luksi me flori vetëm për lëkurën e fytyrës do ju qetësojë çdo qelizë të fytyrës, duke i rikthyer kësaj të fundit elasticitetin, butësinë dhe hijeshinë.

Mos neglizhoni trajtimin e duarve dhe këmbëve
Jo vetëm nevoja për të vendosur mbi to detajet apo ngjyrat e kuqe dhe festive, por edhe trajtimi përmes procesit të manikyrit dhe pedikyrit janë më se të këshillueshme sidomos në fundvit, ose në evente të caktuara. Trajtimi i duarve dhe këmbëve përmes masazhit me vajra aromatikë dhe petale trëndafili, në fund lustra me dekoracion festiv ju mbushin me ndjesinë festive, duke u ndier njëkohësisht të kuruara.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura