Të rejat në politikë në varësi të Reformës në Drejtësi

Mar 31, 2018 | 21:30
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ/ Duke parë pingpongun e luftës politike për çfarë po ndodh e pritet të ndodhë në Shqipëri përgjatë legjislaturës në vazhdim, shumica e njerëzve të interesuar dëgjohen të bëjnë pyetjen e thjeshtë, “çdo të bëhet?”, që përmbledh shumë e shumë nënpyetje të tjera, në vartësi edhe të pozicioneve politike të atyre që i bëjnë.

prec zogaj

A do të paguajë qeveria për faktin se shumë prej zyrtarëve të mesëm e të lartë të saj, që rasti apo ndonjë hetim sporadik i nxjerr të përfshirë në abuzime ekstreme të shëmtuara, njihen dhe janë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryeministrit Edi Rama?

A do të rritet dot opozita në kushtet kur edhe përfaqë- sues të saj të niveleve të ndryshme, qoftë nga PD dhe akoma më shumë nga LSI, janë nën akuzë për shpërdorime dhe korrupsion? Kush mund t’i fitojë zgjedhjet vendore? A do të ketë rrotacion të pushtetit? Kur? Këto janë vetëm disa prej nënpyetjeve të pyetjes-ombrellë “çdo të bëhet?”, për të cilën nuk është kurrë e lehtë të japësh një parashikim.

Duhej të na ndihmonin sondazhet. Që nuk i kemi siç i ka Perëndimi. Ato pak sondazhe që janë bërë kohët e fundit, të publikuara dhe të pabublikuara, fotografojnë një gjendje pak a shumë statike të mbështetjes së qeverisë dhe opozitës, me një rritje gjithnjë e më të konsiderueshme të abstenimeve. Në thelb, ndeshja politike mes opozitës dhe qeverisë duket se reflektohet shumë pak në ndryshimin e pëlqimeve politike të qytetarëve. Si është e mundur? Është bukosur mendja e qytetarëve?

Po tregohet e paaftë opozita? Apo ka diçka tjetër, që as shpërthimi në rrafshin ndërkombëtar i kanabizimit masiv dhe i skandaleve të tjera qeveritare nuk po sjell një tronditje domethënëse të statuskuosë politike në vend?

Shpjegimi, sipas meje, lidhet me Reformën në Drejtësi. Pritshmëritë që ka ngritur kjo reformë me bashkautorësi amerikane dhe europiane e kanë shtyrë në plan të dytë në këtë periudhë, përballjen politike klasike në demokraci, atë mes opozitës dhe qeverisë.

Edhe më shumë do ta shtyjnë kur të fillojnë nga puna institucionet e kësaj reforme, SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit, e tjerë. Kjo ka qenë e parashikueshme, qëkurse kjo reformë vuri në shënjestër padëshkueshmërinë në sferat e larta dhe u ndërtua e tillë, sui generis, me qëllim që të mos dështonte.

Pandëshkueshmëria është ana tjetër e medaljes së korrupsionit në sistem në Shqipëri. Është gangrena e demokracisë sonë, prej nga kanë rrjedhur shumica e të këqijave të tjera, përfshirë zakonin e ndyrë të manipulimit dhe blerjes së zgjedhjeve. Reforma në Drejtësi është konceptuar për të vendosur ndëshkueshmërinë ligjore ndaj të paprekshëmve të derisotëm që e kanë bërë hak.

Ky është premtimi solemn i reformës dhe i bashkautorëve të saj për qytetarët shqiptarë, të cilët presin e shpresojnë që ashtu si pandëshkueshmëria u ngulit nga të gjitha qeveritë, kush më shumë e kush më pak, edhe ndëshkueshmëria të jetë e paanshme. Kjo situatë ka bërë që dikotomia apo ndeshja klasike të mos ngjisë pa parë produktin e Reformës në Drejtësi.

Megjithëse ka fytyra të reja e zëra të rinj, në gjithë artikulimin politik, jehon kolona zanore e ndeshjeve të vjetra që pandëshkueshmëria i ka kompromentuar si teatrale. Në mbështetje të këtij pohimi, vjen edhe ky fakt: tonin absolut debateve koherente po ua japim akuzat kush ka abuzuar më shumë, kush ka grabitur e vjedhur më shumë. Katandisja këtu e debatit ka bërë të mos shihen diferencat politike programore.

Reforma në Drejtësi, e zbatuar drejt dhe në mënyrë të paanshme, është e vetmja që mund t’i japë sens dhe zgjidhje ligjore kësaj korride sterile.

Kjo është arsyeja që bashkë me zgjidhjen e problemit të pandëshkueshmërisë, Reforma në Drejtësi premton një ristartim të jetës politike dhe institucionale në vend, me një mendësi të re për liritë dhe shtetin e së drejtës, me një politikë të re demokratike dhe kombëtare në suazën e aleancës me Perëndimin, me politikanë të rinj apo me përvojë, që nuk kanë abuzuar me pushtetin.

Fati i vendit do të hyjë në një rrjedhë normale zhvillimi në të gjitha fushat. Nëse zbresim nga ky vështrim mbipartiak në rrafshin e efekteve që mund të këtë reforma në jetën dhe synimet e forcave politike, unë kam pasur e kam bindjen se PD e ka pasur dhe e ka në favor. Kështu siç kanë ardhur punët, zbatimi i përpiktë i Reformës në Drejtësi i hap rrugën PD-së të vijë në pushtet.

Së pari, sepse zbatimi i reformës do të ishte zgjidhja për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të lira, duke hequr nga skena peshqit e krimit dhe korrupsionit me lidhje qeveritare, pra, vetë skemën e dhunimit dhe blerjes së zgjedhjeve nga partia në pushtet. PD kishte programin më të mirë në zgjedhjet e kaluara, por programi është si fara në parabolën e farëhedhësit në librin e shenjtë: ajo nuk zë në një tokë zhur. Së dyti, zbatimi i Reformës në Drejtësi do ta pastronte edhe vetë PD-në nga ish zyrtarët e korruptuar brenda saj, largimi i të cilëve ka gjithnjë vështirësi të bëhet nga kryetari apo forumet e partisë, duke qenë se këta të fundit nuk janë gjyqtarë. Pastrimi nga të korruptuarit që kanë abuzuar me detyrën, përveçse i shëndetshëm, është edhe elektoral si i tillë, pra, shton vota. Rama, nga ana e tij, është përpjekur të shfaqet si flamurtar i reformës dhe ta bëjë atë kalin e tij të betejës, duke u sinkronizuar apo konformuar në pamjen e jashtme me bashkautorët amerikanë dhe europianë.

Ai ka ndjekur ndërkohë, sa herë ka mundur, politikën e provokimit të opozitës me bishtat që i ka vënë reformës dhe me impostimin e gabuar që është munduar e mundohet t’i japë, sikur ajo drejtohet me përparësi kundër opozitës. Kjo i ka ecur deri diku me prokurorë dhe gjyqtarë të kësaj periudhe kalimtare, të cilët përçojnë selektivitetin politik të Kryeministrit, edhe kur ky nuk ka nevojë t’u përcjellë porosi të drejtpërdrejta.

Por organet e reja vepruese të Reformës në Drejtësi nuk janë ngritur akoma. Ramës dhe askujt, besoj, nuk do t’u ecë selektiviteti kur të ngrihen e të fillojnë nga puna organet e drejtësisë së re. Garancia janë partnerët amerikane e europianë, që e kanë konceptuar e po e çojnë përpara këtë reformë. Janë edhe shqiptarët në shërbim të saj.

Reforma do të godasë jashtë çdo dyshimi korrupsionin qeveritar, koncesionet korruptive, shpërdorimet e mëdha, lidhjet e politikës me krimin. Ngjarjet kanë treguar se kudo ku është futur dora sporadike e kontrollit apo hetimit në aferat e qeverisë 2013-2017 dhe më tej, ka kapur vetëm vjedhje të përmasave të jashtëzakonshme.

A mund të imagjinohet që SPAK-u të mos i çojë para drejtësisë këto vepra penale? Do të ishte dështim po të mos i çonte. Por dështimi përjashtohet. As PS nuk do të mund të shkojnë në zgjedhjet e ardhshme siç ka shkuar vitin e kaluar. Do të jetë mirë.

Në rrafshin elektoral, pastrimi nga të korruptuarit e dikurshëm e forcon opozitën. Goditja e të korruptuarve që qeverisin, e çon në humbje qeverinë. Si përfundim, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes së fillimit “çdo të bëhet?”, duhet pritur të fillojë nga puna drejtësia e re. Produkti i së cilës do të përcaktojë ndjeshëm ngjarjet dhe nisjet e reja politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura