“Të qaj nuk më sheh, të lutem s’më dëgjon”, fjalë prekëse dhe histori të dhimbshme për Polikron Çelën

Mar 13, 2018 | 15:15
SHPËRNDAJE

Një ditë pasi ka ndërruar jetë  pas një sëmundje të rëndë doktori i mirënjohur Polikron Çela, vëllai i tij një emër i njohur për publikun Mitro Çela i ka dedikuar disa fjalë prekëse.

“Të qaj? Nuk më sheh. Të lutem? Nuk më dëgjon. Të shpresoj se mund të rikthehet? Ai ishte i shënjtë. Por jo Jezusi,” shkruan Mitro.

Polikron-Cela

Ai në një postim në rrjetin social ‘facebook” ka treguar histori të dhimbshme nga fëmijria e doktorit.

Një nga historitë në të cilën ishte i përfshirë edhe polikron Çela ishte ajo kur njëri nga vëllezrit e tij vdiq pas plagosjes nga një bombë e mbetur pas luftës.

“Të dy u plagosën. Jetuan një javë. Polikroni duke qënë 13 vjeç përjetoi dhimbje dhe tmerr. Lotë dhe klithma të mamasë. Ndoshta nga ajo javë e kombëshme, i lindi dëshira për tu shëruar dhimbjet fëmijëve”, shkruan Çela.

Postimi i plotë:

HABERET E MITROS

NJË DITË PA DOKTOR POLIKRONIN

 

Një ditë pa doktor Polikronin?! Të qaj? Nuk më sheh. Të lutem? Nuk më dëgjon. Të shpresoj se mund të rikthehet? Ai ishte i shënjtë. Por jo Jezusi.

Çfarë të bëj? Si mund ta mund trishtimin. Dhimbjen. Vetminë. Mërzinë. Aritminë. Stresin. Boshllëkun. Zbrazëtinë. Ngashërimin.

Ku ta kërkoj ngushëllimin? Ta provoj me Biblën?

“Të mos trishtohemi që na iku. Të gëzohemi që e patëm.”

Polikroni lindi në Mbrezhan-Përmet. Viti 1932. Babai shofer. Shumë fëmijë. Gjashtë djem. Një vajzë. Viti 1945. Sa kishte mbaruar lufta. Vend e pa vend, kishin mbetur bomba. Fëmijët i zbërthenin dhe bënin zilka.

Dy vëllezër të Polikronit Koço dhe Simo. 10 dhe 8 vjet. Gjetën një bombë. E morën në duar…Bum! …Të dy u plagosën. Jetuan një javë. Polikroni duke qënë 13 vjeç përjetoi dhimbje dhe tmerr. Lotë dhe klithma të mamasë.

Ndoshta nga ajo javë e kombëshme, i lindi dëshira për tu shëruar dhimbjet fëmijëve

Nuk është kjo thjeshtë fantazia ime. Por edhe realitet.

Në vitin 1961 u emërua pedagog në fakultetin e Mjekësisë. E meritonte. Student i shkëlqyer. Punoi tre vjet. Një ditë shkoi në zyrën e Karaman Yllit, rektor i Universitetit të Tiranës.

-Dua të largohem nga fakulteti. Dua të bëhem pediatër.

-Ashtu?-Tha rektori-Shko të punosh në Kukës…

-Nuk kërkova vend pune. Kërkova të bëhem doktor për fëmijët…

Rektori ra në mendime. Një javë më vonë në fakultetin e Mjekësisë mbritën dy shkresa: E para shkarkim. E dyta emërim në poliklinikën e Kombinatit…

….Shkollën fillore në fshat. Pastaj në Gjirokastër. Nxënës i shkëlqyer. E thirri drejtori në zyrë:

-Urime! Të dolli bursë. Në shkollën pedagogjike!

Nuk foli. Dolli: Nga zyra. Nga shkolla. Nga Gjirokastra. Mal më mal. U ngjit në Zagorie. Zbriti në Sheper. Eci. Vetëm. Arriti në Malshovë. Përfundoi në shtëpi.

-Nga mbive? -Pyeti babai.

-Më thanë të bëhem mësues. Dua të bëhem doktor?!

… Tre muaj në fshat. Me bagëti. Një natë babai solli një haber:

-Është një bursë. Në Elbasan. Shkollë e mesme mjeksore.

Kur fëmija ëndërron, universi punon, që ëndrra të bëhet realitet.

Polikroni mbriti në Elbasan. Viti 1948. Kamdahar i ditëve tona. Varfëri. Pak ushqim për nxënësit. Më pak zjarr.

Filloi vitin e tretë. Në shkollë mbriti një mjek rumun. Drejtori i dha si shoqërues Polikronin. Shkuan në Cërrik. Peqin. Gramsh. Librazhd. Doktori rumun vizitonte fëmijë. Polikroni “vidhte” zanat. Tre muaj bashkë. Të katërtin doktori rumun u largua. Cërriku. Peqini dhe Gramshi nuk kishin pediatër. U emërua Polikroni. Doktori i vogël nisi të shëroi shokët-fëmijët.

Në Elbasan mbriti moda sovjetike. Mbrëmje vallzimi. U njoh me një vajzë. Natën. Vjedhurazi. Në krah të njeri tjetrit. Një natë, mes lotëve, vajza i thotë

-Më ngacmon djali i gjeneralit. Nuk e dua!

Mbaroi shkolla. Polikroni “poqi” letrat për student…Një ditë e thirren në degën ushtarake. I qethën kokën. E hipën në makinë. Me shumë djem nga Elbasani. Makina ndaloi në Milot.

E thirri në zyrë komandanti. Ishte përmetar. Mik i babait:

-Je futur në sinorin e “gjeneralit”. Do jesh ushtar. Tre vjet. Bën gjilpëra?

-Shëroj fëmijë….

Komandanti e mori me vete. Në shtëpi. Kishte një djalë. Digjte zjarr. Gruaja e kishte mbuluar me batanije. Ishte behar. Gruaja e veshur zhapone.

-Ke vapë,-pyeti me ironi ushtari.

-Po. Miloti ka klimë të thatë.

-Zbulo djalin. Do zhuritet i futur në lesh.

Ushtari shëroi djalin. Doli nami. Ushtari shëron. Miloti dhe Burreli nuk kishin pediatër. Ushtari në vend të pushkës mbante stretoskop…Fshat më fshat. Shtëpi më shtëpi…Ikën tre vjet. Erdhi dita. U largua nga kazerma. Por jo nga shokët-fëmijët.

Një hodhi në postë një letër. Ankesë në Parti…Nuk di pse? Ëndërroja të bëhesha doktor. U bëra ushtar…

Letra ra në dorë të Liri Belishovës. Në atë mot me shumë nishane pranë shokut Enver…E thirrën lart…

Dhe në shtator të vitit 1957 nisi fakultetin e mjekësisë. Në fakultet ra në sevda me Bafturinë.

Viti 1960. Ne jetonim në Përmet. Ishim shumë fëmijë. U hap haberi: Polikroni do marri në Tiranë familjen?!…Shaka… Thanë disa…Ku do i gjëjë paratë për të ushqyer “skuadrën” e Pilo Çelës?…I marrë- thanë të tjerë.

Por një ditë pranvere, në prag të shtëpisë mbriti një ZIS. Makinë sovjetike. U ngarkua me plaçka. Mbi plaçka hipëm ne…Mbritëm në Tiranë.

Polikroni u martua me Bafturinë. Bënë dy vajza. Mirelën dhe Enkelën.

Korrik 1990. Bafturia po ecte në rrugën “Myslym Shyri”. Kalon një motorr. Goditi dhe u largua. Baftutia përfundoi në spital. Rrojti disa orë.

Polikroni humbi jo vetëm nënën e fëmijeve, por edhe shoqen. Kolegen. Edhe ajo pediatre. Bashkë bisedoni për fëmijët e sëmure. Të dy bënë libra “Nëna dhe fëmija”.

Bafturia ishte vetë jeta në familje. Ajo “prodhonte” humor. Dashuri. Ajo e “tërhiqte” Polikronin në kafene. Në restorante. Në takime mes mjekëve.

Pas Bafturisë Polikroni i la të gjitha.Mbajti tre gjëra. Së pari. Dashurinë për vajzat. Sot njera e martuar dhe jeton në Izrael. Tjetra jeton e martuar në Pragë.

Së dyti, dashuri për mamanë (babai vdiq në vitin 1968) motrat dhe vëllezërit. Së treti, dashuri dhe përkushtim për fëmijët…

12 mars 2018. Një varr i hapur. Në krah një arkivol. Fjalën e mori Mirela. Thjeshtë. Bukur…

Arkivoli zbriti. Pas 28 vjetëve, Polikroni dhe Bafturia do të jenë bashkë. Në përjetësi. A do ngjitet në qiell shpirti i doktorit? Jo dhe jo. Ai do jetë mes nesh.

Capture

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura