Të pushtuar nga stereotipet

Jun 15, 2018 | 11:45
SHPËRNDAJE

Çapajev-GjokutajÇAPAJEV GJOKUTAJ

Shqiptarët tallen e bëjnë humor me pushtuesit italianë, por gjermanët i trajtojnë me seriozitet. Më bëri përshtypje ky konstatim i Bernd Fischer në një intervistë televizive. Historiani i njohur shtonte se ky trajtim të surprizon. Gjermanët kanë qenë shumë të rreptë, kanë bërë më tepër shkatërrime e vrasje.

Kur isha fëmijë, të rriturit flisnin shpesh për luftën dhe kishin thuajse po këtë qasje: një lloj vlerësimi për rreptësinë e gjermanëve, vlerësim që ngjante sikur e zbehte disi urrejtjen, dhe tone gjithsesi komike e deri në përçmuese për italianët. Më pas, këtë diferencë do ta vija re, sa dokudo, edhe në letërsinë dhe sidomos në filmat e kohës. Mëse njëherë e kam diskutuar me të njohur, madje edhe në auditor, kur e ka prurë rasti. Interpretimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Po sjell vetëm disa prej tyre.

2. Arsyen kryesore të kësaj diference, Fischer e kërkon në faktin që nazistët nuk e shpallën veten pushtues të Shqipërisë, u hoqën thjesht si kalimtarë për nevoja të luftës. Nuk është punë politikash, thonë të tjerë, por punë distancash, gjeografike e historike. Italianët i kemi fqinj dhe në folklorin e të gjithë popujve, fqinji është burim humori: dhe qullac, dhe budalla, dhe derdimen. Edhe ne kemi ndjekur këtë praktikë, kemi projektuar tek italianët tjetrin, breshkamadhin, makaronaxhiun, frikacakun që bërtet “mama mia” etj.. Gjermanët kanë qenë më të largët, më diskretë, më të prerë e më seriozë.

S’është problem distancash, por punë këndvështrimi, thonë të tjerë. Të parët tanë i kanë parë e vlerësuar të dyja palët, dhe gjermanët dhe italianët, nga pozita patriarkale. Gjermanët ishin më pranë përfytyrimit tradicional për burrin, autoritetin. Dhe, doemos, kandari patriarkal do t’i favorizonte në këtë apo atë masë. Këto janë sofistikime pacifiste, thonë të tjerë. Pushtuesi është pushtues e në çdo rast do plumb ballit. Ç’janë këto shpikje me gjermanë të egër e me italianë të butë; me osmanë barbarë të fazës së pushtimit dhe me osmanë konstruktivë të fazës së administrimit. Sofizma të tilla përdoren për të kamufluar tradhtarët e ditëve tona.

Por përgjigjen më interesante ma ka dhënë një sociolog brazilian. Gjatë një aktiviteti në Berlin, rasti e pruri të darkonim përbri. Konceptet ‘italian’ dhe ‘gjerman’, më tha, janë shumë të gjera dhe të larmishme. Merr p.sh. galerinë e italianëve që ka krijuar Dantja dhe galerinë e gjermanëve të Gëtes. Janë dy universe humane pa fund e pa anë. Vështirë se mund t’i kufizosh në boshtin: ata seriozë – këta komikë.

3. Parë kështu, stereotipet “ushtues italian” vs “pushtues gjerman” flasin më shumë për ne, të pushtuarit, sesa për pushtuesit. Për hir të argumentit do thënë se, stereotipizimi i popujve të tjerë ose futja në një thes e miliona njerëzve s’është dukuri thjesht shqiptare. Njeriu, kjo qenie racionale, guxon e bën thjeshtëzime të tilla për popuj të tërë dhe pastaj i përdor pa teklif. Kjo prirje vështirë se buron nga realiteti i gjerave.

Më shumë mbase vjen nga kufizime që njeriu i ka brenda vetes. Kufizime, herë në rrafshin e njohjes, të analizës dhe të sintezës dhe herë në rrafsh psikologjik. Herë vijnë nga jashtë e herë nga brenda. Vështirë të thuash p.sh. se jemi shqiptarë ngaqë shquajmë për trimëri e besë, trafik e vrasje etj., etj.. Kur flasim për bashkëkombës, mbase lidhjet duhet t’i kërkojmë jo në virtyte, vese e mitologji, por në faktin që ndajmë të njëjtin territor, të njëjtën gjuhë e histori. Edhe në rrafsh funksional, mbase dalim më të fituar kur personalitetin, shpirtin, moralitetin etj. i shohim kryesisht si përgjegjësi dhe meritë individuale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura