Të punuarit nga shtëpia, një aset teknologjik i pavlerësuar në shoqërinë tonë

Mar 20, 2020 | 11:16
SHPËRNDAJE

man-working-from-home-in-a-work-from-home-outfit-unsplash-416x260-c

Nga BENARD HAKA

When you work from home there is no such thing as a holiday”- Anthony T. Hincks

Tashmë jemi në një situatë Pandemie! Që kur OBSH shpalli në 10 mars pandeminë, mesazhi i saj përmbante edhe pavarësinë e secilit vend të prekur për të përcaktuar masat kundër COVID-19.

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, jeta e miliona njerëzve nëpër botë ka pësuar një ndryshim drastik duke çuar në: mbylljen e shkollave, universiteteve, fabrikave, tregjeve e shumë institucioneve të tjera publike e private. Shumë njerëz janë të detyruar dhe të urdhëruar të punojnë nga shtëpia. Në zonat më të prekura, shumë kompani, po praktikojnë “smart working”, një shembull ekzemplar i të punuarit në masë nga shtëpia.

Zhvillimi i teknologjive të shpërndarjes së informacionit ndërmjet institucioneve të ndryshme, shtetërore apo private me publikun dhe zhvillimet teknologjike ka qenë dhe do të jetë një sfidë për shoqëritë në të gjithë vendet e botës për të kaluar në ato që quhen shoqëri të informatizuara.

Përdorimi i teknologjisë së informacionit në vitet e fundit tregon dobishmërinë e lartë publike të këtyre mjeteve dhe mbështetjen që ato i japin rritjes së cilësisë dhe efektivitetit në kryerjen e funksioneve publike.

Ofrimi i këtij shërbimi nga çdo distancë ndikon në nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror, mundësi të ngritjes së aftësive, shërbime të përhershme në çdo kohë dhe në çdo situatë.

Shumica e kompanive prej kohësh janë tërhequr nga ideja e të punuarit nga shtëpia. Pavarësisht miliardave që Apple, Google, Facebook dhe kompani të tjera ndërkombëtare kanë shpenzuar në zyra qendrore, shumë inxhinierë softueri do të ishin të lumtur sikur të zëvendësonin zyrat e tyre me një sistem të tillë remote për të punuar nga çfarëdolloj vendi.

Kohët e fundit të punuarit nga shtëpia po shënon një rritje gjithnjë e më të madhe. Sipas studimeve të fundit, ky trend i ri i të punuarit nga shtëpia, ka shënuar rritje gjatë dekadës së fundit. Referuar të dhënave të publikuara nga Global Workplace Analytics, të punuarit nga shtëpia për shembull në fushën e telekomunikacionit ka shënuar një rritje nga 9 për qind në 2007 në 43 për qind në 2017.

Avantazhet e të punuarit nga shtëpia:

Të punuarit nga shtëpia i vjen në ndihmë atyre personave që kanë për t’u kujdesur për prindërit e moshuar, atyre që duan të qetësohen nga lodhja dhe stresi i madh me të cilin janë të mbushura shumica e ditëve apo atyre që kanë probleme shëndetësore si dhe atyre që jetojnë në zonat rurale. Një avantazh tjetër i madh i të punuarit nga shtëpia është ai për nënat më fëmijë, të cilat e konsiderojnë atë si zgjidhjen e problemeve të tyre, duke marrë në konsideratë vështirësitë e shumta që ato hasin gjatë rikthimit në punë apo edhe humbjen e vendit të punës. Të punuarit nga shtëpia është një aset që ndihmon në balancimin e jetës personale me atë profesionale.

Puna nga shtëpia u pëlqen të gjithëve pasi kompanitë kursejnë dhe njëkohësisht rrisin mirëqenien dhe motivimin e punonjësve të tyre. Punonjësit ndihen më të kënaqur, pasi mund të menaxhojnë më mirë jetën jashtë profesionale, të kursejnë kohë, energji fizike, mendore dhe financiare që lidhen me eliminimin e lëvizjeve.

Disavantazhet e të punuarit nga shtëpia:

Një studim i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara ka gjetur se edhe pse përparimet teknologjike e kanë bërë shumë më të lehtë për të punuar nga shtëpia, duhen studiuar edhe efektet anësore negative që lidhen me stresin. Raporti sqaron se është shumë e vështirë të punosh në shtëpi, sepse mjedisi sjell rrezikun e “zgjatjes së orarit të punës, intensitetin më të lartë të punës dhe ndërhyrjet punë-shtëpi”. Kjo mund të rezultojë në punë shtesë të papaguar dhe mungesë të gjumit.

Raporti i Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje qeverive për të zhvilluar politika që ju vijnë në ndihmë kompanive të menaxhojnë punonjësit në largësi duke marrë në konsideratë këto nivele të shtuara të stresit. Raporti thekson edhe kodin e punës në Francë i cili i jep punëtorëve të drejtën për të mos kthyer përgjigje pas orarit të punës.

Duke punuar nga shtëpia, ne humbim aftësinë për t’u përshtatur me të tjerët, për të konkurruar me ta, për të qenë pjesë e tregut të punës.

Mesa duket shumë vende të zhvilluara janë duke u përgatitur për këto situata të jashtëzakonshme botërore të shekullit të 21.

Situata në Shqipëri!?

Shqipëria ka afërsi gjeografike me Italinë, që ndodhet në një situatë të rëndë nga përhapja e virusit dhe sëmundja që ai shkakton. Shqipëria po kalon një kohë të vështirë që do të jetë test për të dyja palët: Qeverinë dhe Qytetarët.

Por pyetja që shtrohet është sa i përgatitur është sistemi ynë shoqëror qoftë sektori publik apo ai privat për tu përballur me këto situata të jashtëzakonshme të shekullit 21, ku shumicës prej nesh shërbimin e ofruar nga zyra ta ofrojmë nga shtëpia?

Nga ana teknologjike situata në Shqipëri paraqitet në një trajektore që po kalon një zhvillim të vrullshëm por në një ambient jo të konsoliduar. Përgjatë dekadës së fundit në institucionet e Republikës së Shqipërisë kanë implementuar sisteme të ndryshme të menaxhimit të informacioneve. Këto shërbime kanë rritur ndjeshëm aksesin, lehtësinë, transparencën dhe kanë ulur kostot e marrjes së këtyre shërbimeve nga qytetarët dhe bizneset me anë të e- Qeverisjes dhe e- Shërbimeve.

Nisur nga situata e krijuar shumë institucione publike dhe private ishin të papërgatitura në ofrimin e shërbimit pa ndërprerje kjo vjen edhe si rezultat i mos pasjes së kulturës së njohjes së konceptit e të punuarit nga shtëpia nga ana e institucioneve dhe lidershipit tonë. Teleworking, Smartworking, etj janë koncepte që janë përdorur prej vitesh tashmë nëpër Evropë dhe botë edhe në kohë të zakonshme, jo vetëm në situata emergjencash. Shumë institucione edhe gjatë procesit të tyre normal të punës zgjedhin të kombinojnë procesin e punës gjatë javës, ku punonjësit i ofrohet mundësia që dy apo tre ditë pune javore mund ti realizojnë nga shtëpia.

Në lidhje me këtë dua të ndaj eksperiencën time në institucionin ku unë punoj, Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në Kontrollin e Lartë të Shtetit falë qasjes pro tech të Titullarit të institucionit Kryetarit Bujar Leskaj, prej vitesh tashmë i është dhënë përparësi futjes së elementëve të rinj teknologjik, në procesin e punës të ndarë në dy hallka: hallka e parë pajisjet Hardware dhe hallka e dytë Sistemet Software.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, si institucioni më i lartë Kushtetues i kontrollit ekonomik e financiar,

që prej vitit 2011 ka iniciuar proceset e informatizimit dhe unifikimin e burimeve njerëzore nën frymën e inovacionit. Pra e thënë ndryshe është investuar në futjen e teknologjive dhe metodave të reja evropiane në mënyrën e auditimit por edhe në mënyrën e kryerjes së proceseve të punës.

Aftësimin e burimeve njerëzore me anë të zhvillimit të trajnimeve të shumta, shkëmbimit të eksperiencave më të mira me institucionet të tjera simotra të KLSH-s në Evropë dhe në Botë. Stafi i KLSH inkurajohet dhe nxitet vazhdimisht për pajisjen dhe marrjen e sa më shumë certifikatave, kualifikimeve dhe trajnimeve online.

Punonjësit e KLSH vazhdimisht janë pajisur dhe update-uar me pajisjet më të reja në përmbushje të misionit auditues, duke filluar nga ato më baziket si, pc personal, laptop personal, printera all in one, access të pakufizuar në rrjet për efekt kërkimi, faqja web, intraneti i brendshëm, emaili institucional, trajnimet online, access në informacionet e shpërndara ndërmjet institucioneve homologe, nga organizatat ndërkombëtare INTOSAI dhe EUROSAI, sistemi i menaxhimit të proceseve të auditimit dhe hallkave të tjera në KLSH, botimet me sfond profesional të kolanës së KLSH, etj. Të gjitha këto element ndihmojnë në zhvillimin normal të procesit auditues.

Nisur nga sa më lart, nga ana teknologjike një punonjës i KLSH i ka të mundura kushtet që të punojë nga shtëpia për vazhdimin e punës, por hallka ndërpritet në momentin kur audituesit i duhet të marrë informacion në lidhje me subjektet e përcaktuara për tu audituar. Për fat të keq në vendin tonë puna e një audituesi të jashtëm publik është më shumë e bazuar në evidenca fizike, letrat e punës (paper based) që duhet ti aksesojë në vend (on site) në subjektin që do të auditohet, shumë larg nga qasja që kanë institucionet homologe nëpër botë që kanë sisteme të konsoliduara ku një auditues mund të marrë informacionin që i nevojitet pa lëvizur nga zyra e tij apo qoftë edhe nga shtëpia. Kjo ndodh sepse institucionet në Shqipëri nuk kanë një zhvillim të konsoliduar teknologjik dhe në ato raste ku ka zhvillim, ai është i pa koordinuar, pra për një auditues është e pamundur zhvillimi i procesit auditues pa qenë prezent në subjekt pasi informacioni gjendet në letër, pra informacion i pa informatizuar. Në këto kushte koncepti i të punuarit ose i auditimit nga shtëpia duket i largët.

Me shpresën që në vitet që do pasojnë kjo qasje do të ndryshojë duhet që edhe institucionet publike të orientohen në rrugën e duhur përgjatë procesit të transformimit teknologjik dhe informatik.

Në këtë kuadër Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvillon dhe kryen Auditime të Teknologjisë së Informacionit në përmbushje të përcaktimeve ligjore (Ligji Nr. 154/2014 datë 27.11.2014Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, Neni 14 Auditimi i teknologjisë së informacionit)”.

Përgjatë viteve (2015-2019) KLSH ka zhvilluar një seri auditimesh të sistemeve të teknologjisë së informacionit.

Me anë të auditimeve tona vazhdimisht e kemi dhënë mesazhin për situatën që institucionet duhet të jenë të përgatitura dhe të mendojnë sikur të jenë në kushte hipotetike emergjence pune, sikurse ndodhemi në këto momente për shkak të situatës së pandemisë.

Në shumicën e institucioneve të audituara përgjatë këtyre viteve janë më evidente, mungesa e strategjisë së teknologjisë së informacionit, identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimeve si dhe mënyra e ofrimit të tyre.

Sistemet aktuale të informacionit, nuk janë të mjaftueshme dhe të përshtatshme për menaxhimin e plotë dhe të sigurtë të ofrimit të shërbimeve, për shkak të mosfunksionimit dhe koordinimit të strukturave dhe hallkave menaxhuese.

Masat e marra për ndërtimin e Planeve të Vazhdueshmërisë së Institucioneve dhe Planet e Rimëkëmbjes nga Katastrofat kanë qenë të pa pamjaftueshëm dhe të pa konsoliduar.

Teknologjia duhet tu vijë në ndihmë njerëzve dhe të jetë rojtare e të mirave dhe aseteve tona për të na përmirësuar ofrimin e shërbimeve si dhe për ta na lehtësuar proceset në çdo moment.

Nëse koronavirusi vijon të përhapet, shumë prej nesh do të kenë shansin të mësojë diçka e cila ka më shumë dobi sesa dëm.

Me shpresën te Zoti që kjo situatë do të marrë fund sa më shpejt, shpresoj që të gjithë ne të kemi nxjerrë një mësim të mirë nga kjo e keqe që na ka ndryshuar mënyrën e të jetuarit, menduarit dhe konceptuarit. *Auditues i KLSH

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura