Të protestosh apo të festosh?

Nov 23, 2015 | 10:54
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Tri partitë e opozitës në Kosovë: Lëvizja për Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma u kanë bërë thirrje qytetarëve që më 28 Nëntor, kur mund të festohej shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, të ngrihen në protestë, duke parashikuar ndërkohë grumbullimin me këtë rast të dyqind mijë prej tyre.

Protesta lidhet me kundërshtimin e “Zajednicës” apo të Marrëveshjes së njohur për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe asaj për Demarkacionin apo kufijtë e Kosovës me Malin e Zi. Në këtë kuadër, Kryeministri Mustafa dhe zëvendë- si i tij, Thaçi, akuzohen nga opozita se ata po krijojnë dy Kosova dhe se policinë po e vënë në shërbim të Zajednicës.

Tubimet që po mbahen, zhurma për të bllokuar punimet e Kuvendit të Kosovës bëhen në emër të rreziqeve që vinë nga krijimi i kësaj bashkësie. Sipas tyre, por dhe disa analistëve, kjo Marrëveshje e nënshkruar midis dy palëve, tre muaj më parë, “ka elementë etnikë dhe krijon një etnitet serb”, që sjell rrezikun e federalizimit të Kosovës. Në këtë mënyrë vihet paralelja me Bosnjë-Hercegovinën, ku Republika Serpska është një Serbi e vogël, me 33 për qind të popullsisë dhe me gati gjysmën e tërë territorit. Me fjalë të tjera, Zajednica, pra, kjo bashkësi shikohet si përpjekje për t’i bashkuar serbët e Kosovës si territorialisht dhe administrativisht, si republikë e tretë e Serbisë, pas vetë asaj dhe Republikës Serbe në Bosnjë.

Sipas kësaj droje, do të cenohej sovraniteti i Republikës së Kosovës dhe do të cungohej territori i saj, sikurse dhe Marrëveshja për Demarkacionin që, po sipas opozitës, i lihen qindra hektarë tokë Malit të Zi. Me Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është fjala për autonomi territoriale, por për një farë autonomie në kulturë, arsim, shëndetësi dhe çështje të mjedisit.

Qysh në fillim, shqetësimeve që do të vinin me nënshkrimin e këtyre Marrëveshjeve me palën serbe, u është paraprirë me faktin që, dekretimin e Asociacionit e bën vetëm Qeveria e Kosovës dhe gjithë dokumentet përkatëse të tij i nënshtrohen gjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas gazetës së njohur gjermane “Suddentsche Zeitung”, ky Asociacion “do të ketë vetëm statusin mbikëqyrës dhe jo autoritet i pavarur dhe me fuqi ekzekutive”.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të mësipërme ishte ndërkohë një nga kushtet e Bashkimit Europian për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër, edhe për këtë, ndërmjetës ishin partnerët tanë strategjikë. Megjithatë, opozita në Kosovë, me qëndrimet, veprimet e saj, herë-herë dhe komike, vazhdon të çakordojë veprimtarinë e institucioneve në vend, duke bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës, që qeveria të tërhiqet nga këto marrëveshje.

Përdorimi i gazit lotsjellës, i gurëve, kanë bërë që deputetë, përkrahës të saj, të jenë në paraburgim apo të kërkuar. A mund të jenë këto mjete demokratike? Agresiviteti në emër të patriotizmit më shumë venit shpresat e njerëzve të thjeshtë, të cilët duan një realitet tjetër në Kosovë. Dhuna nuk mund të jetë demokraci. Në fund të fundit, dhe vetë dhunuesit, pas këtyre veprimeve, natyrshëm, nuk mund të kenë të njëjtën staturë në opinion.

Pas tyre, por dhe retorikave të fryra me nacionalizëm, duket se qëndrojnë dhe interesat për të ardhur në pushtet, të cilat shtojnë oreksin për të kundërshtuar gjithçka, duke lënë me të drejtë një shije tepër të hidhur dhe që, për rrjedhojë, i rëndojnë vetë Kosovës. Kryediplomati amerikan në Prishtinë e sheh dhunën e opozitës kosovare si të tillë, që ka ndalur Kuvendin të kryej mandatin e tij dhe të përmirësojë jetën e qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, “ky është sabotim i procesit demokratik, ndaj SHBA i bën thirrje asaj të heqë dorë nga përdorimi i dhunës si një taktikë politike”.

Nevoja për dialog nuk mund ta lërë mënjanë dhe qeverinë. Dhe kjo kërkon t’i hapësh udhë kompromisit. Ndryshe, secili do të mbetet në pozitat e deritanishme. Në këtë situatë, mendoj se bëhet i domosdoshëm qëndrimi i Shqipërisë: i hapur, pa ekuivokë, duke u distancuar realisht nga veprimet e mësipërme: të opozitës apo të qeverisë.

Nuk ka pse të druhemi se mund të na akuzojnë për paternalizëm, përderisa, në fund të fundit, gjithçka lidhet me problemin tonë kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura