Të përndjekurit, si ndahen 4.8 mln USD

Jul 29, 2015 | 13:46
SHPËRNDAJE

Godina e Ministrise se Financave
Godina e Ministrise se Financave

Këtë 6-mujor të dytë të vitit përparësi do të marrë ndarja e dëmshpërblimit për trashëgimtarët. Kjo për shkak se fondi i vënë në dispozicion për kategorinë parësore është drejt zerimit.
Burime nga Ministria e Financës bëjnë me dije se për të dënuarit që jetojnë kanë mbetur edhe 80 milionë lekë dhe brenda kësaj jave pritet publikimi i listës së fundit me 150 përfituesit të këstit të pestë.

TRASHËGIMTARËT

Ligji i ri adresonte vetëm 30% të fondit për trashëgimtarët. Pra nga 20 milionë dollarë, 14 do të përdoreshin për të burgosurit që jetojnë dhe 6 milionët e mbetur për përfituesit e radhës së dytë dhe të tretë. Të njëjtat burime bëjnë me dije për gazetën se aktualisht kanë mbetur 4.8 milionë dollarë për trashëgimtarët, të cilët do të shpërndahen brenda këtij 6-mujori të dytë të vitit. Të favorizuar për t’u trajtuar me dëmshpërblim do të jenë ata, të cilët nuk kanë përfituar asnjë këst nga nisja e procesit. Referuar të njëjtave burime mësohet se derdhja e pagesës për secilin prej tyre do të nisë të bëhet pas plotësimit të dosjes. Përveç numrit të llogarisë, familjarët duhet të depozitojnë pranë sektorit të pagave kopje të letërnjoftimit, certifikatë vdekjeje, certifikatën e trungut familjar dhe dëmshmi trashëgimie.

TË DËNUARIT QË JETOJNË

Ky vit do të mbyllet me ndarjen e këstit të pestë për të dënuarit që jetojnë. Por jo të gjithë do të kenë mundësi ta përfitojnë atë. Nga Financa mësohet gjithashtu se nga 2400 ish-të përndjekur që janë gjallë, vetëm 900 patën fatin për të tërhequr këstin e pestë. Pjesa tjetër do të duhet të presë vitin e ardhshëm. Këtë javë pritet të shpallet edhe lista e fundit me rreth 150 përfitues që do të kenë mundësi të marrin pagesën. Për dëmshpërblimin e tyre do të përdoren 80 milionët e mbetur nga fondi i adresuar për kategorinë parësore. Referuar ligjit të ri, ndarja e parave u bë sipas një rendi, ku përparësi morën të dënuarat femra dhe të burgosurit në moshë mbi 75 vjeç. Për çdo pagesë është e domosdoshme të bëhet dorëzimi i certifikatës personale dhe i numrit të llogarisë nga ana e ish-të përndjekurve. Nga të dhënat zyrtare të bëra publike nga Ministria e Financave, gjatë viteve 2014 dhe 2015 janë dëmshpërblyer në total rreth 4500 dosje ose 7134 persona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura