Të përndjekurit, dosjet jashtë afatit në shqyrtim

Mar 16, 2015 | 17:42
SHPËRNDAJE

Proteste nga ish-te perndjekurit

Ish-të përndjekurit nga regjimi komunist që kanë aplikuar jashtë afatit do të trajtohen me dëmshpërblim.

Qeveria është duke hartuar ndryshime të tjera në ligjin për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë, të cilat do të kalojnë shumë shpejt për miratim. Gazeta mëson se në draftin e përgatitur është përcaktuar që dosjet e ish-të përndjekurve që bëjnë pjesë në kategorinë parësore, pra që jetojnë, të merren në shqyrtim, ndonëse kanë aplikuar jashtë afatit.

RISITË

Në ligjin bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve ishte përcaktuar që afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë ishte data 1 korrik 2009. Por në ndryshimet që janë hartuar dhe shumë shpejt do të legjitimohen, parashikohet që edhe aplikimet e bëra pas këtij afati të konsiderohen të vlefshme. Por kjo nuk do të ndodhë me të gjitha dosjet, por vetëm me ato që janë depozituar nga ish-të dënuar që aktualisht janë gjallë. Pra, kategoria parësore që deri më sot ishte penalizuar për shkak se aplikimi nuk ishte bërë në kohë, me hyrjen në fuqi të ndryshimeve që janë hartuar, do të nisë të trajtohet me dëmshpërblim. Në kategorinë parësore bëjnë pjesë ish-të dënuarat femra, të dënuarit mbi 75 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundje të rënda, ata që janë nën 65 vjeç, por kanë fëmijë në moshë të mitur, si edhe ish-të dënuarit që nuk janë gjallë, por kanë lënë trashëgimtarë minorenë në momentin që kanë hyrë në fuqi ndryshimet në ligj. Kjo e fundit përkon me muajin shtator të vitit që lamë pas.

JASHTË AFATIT Ishin të shumtë ata ish-të burgosur apo familjarët e tyre që nuk arritën të dorëzonin në kohë dokumentet e kërkuara, për pasojë mbeten jashtë procesit të dëmshpërblimit. Burime nga Ministria e Drejtë- sisë bëjnë me dije për gazetën se janë mbi 3 mijë dosje të arkivuara që nuk janë marrë në shqyrtim, pasi binin në kundërshtim me kriterin kohor. Nga këto, mbi 500 mund të jenë nga radhët e ish-të përndjekurve që aktualisht janë gjallë. Gjatë këtyre viteve pati përpjekje të vazhdueshme për përfshirjen e këtij kontingjenti dosjesh në skemë, pasi ishte e padrejtë që të skualifikoheshin vetëm se nuk kishin mësuar në kohë afatin për depozitimin e kërkesës bashkë me dokumentet e kërkuara. Ky ndryshim që bëhet në nenin 19 të ligjit aktual, i cilëson këto aplikime të vlefshme, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë marrjes në shqyrtim të tyre.

LIGJI

Në ligjin aktual, në nenin 19 thuhet se “brenda datës 01.07.2009, ish-të dënuarit politikë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, si dhe familjarët e viktimave të ekzekutuara, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim për përfitimin e dëmshpërblimit financiar. Mosparaqitja e kërkesës brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni sjell humbjen e të drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik apo familjarin e viktimës me dënim kapital”. Ndryshimet janë bërë pikërisht në këtë pikë të ligjit, ku është specifikuar që aplikimet jashtë afatit për kategorinë parësore do të shpallen të vlefshme. Vitin e kaluar u miratuan ndryshimet e para. Me anë të tyre u bë ndarja e fondit vjetor të akorduar nga buxheti i shtetit, ku 70% do të adresohej për ish-të përndjekurit që jetojnë dhe 30% për trashëgimtarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura