Të përndjekurit dhe pronarët, Ahmetaj: Fatura arrin 2 miliardë USD

Sep 12, 2018 | 9:06
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Fatura financiare për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe kompensimin e pronarëve për 15 vitet e ardhshme llogaritet të arrijë në vlerën e 2 miliardë dollarëve.

AHMETAJ

Shifra u bë publike dje nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në Komisionin e Ekonomisë gjatë miratimit të ligjit për ish-të përndjekurit politikë. Ministri Ahmetaj tha se kostoja për gabimet e 45 viteve do t’u faturohet brezave të rinj për 15 vitet e ardhshme.

Po ashtu, ministri Ahmetaj tha se deri më sot, për ish-të përndjekurit janë shpërndarë 230 milionë dollarë, ku 178 milionë dollarë janë kompensim këstesh dhe pjesa tjetër letra me vlerë dhe apartamente për strehim.

FATURA

Ministri i Financave tha se vetëm për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, fatura e dëmshpërblimit llogaritet 750 milionë dollarë. Ministri Ahmetaj sqaroi se duke përfshirë edhe dëmshpërblimin e ishpronave, fatura llogaritet 1,5 deri në 2 miliardë dollarë. “Brezat që vijnë do të paguajnë 500 milionë dollarë të tjera vetëm për këtë kategori, për trashëgimtarët e trashëgimtarëve gjithashtu, për vuajtjet e një brezi të kaluar. Që do të thotë, se shumat që shoqëria shqiptare do të paguajë shkojnë diku nga 65 miliardë deri në 70 miliardë, pra, nga 650 milionë dollarë deri në 750 milionë dollarë.

E nëse do t’u sillja në vëmendjen tuaj edhe një faturë potencialisht të materializueshme në dekadën që vjen, që ka të bëjë me ish-pronarët, brezi i ri që vjen do të paguajë të paktën edhe po kaq shumë për ishpronarët. Që do të thotë që, brezi që vjen i ri i shqiptarëve do të paguajë nga 1.5-2 miliardë dollarë nga taksat e veta për çka ka ndodhur që nga 1945 dhe deri në vitin 1989. Pra, brezi që vjen do të paguajë gati 1.5- 2 miliardë dollarë në 8-15 vitet që vijnë nga taksat e veta. Brezi që sot është 15-16-17-18 -19-20, sa të hyjnë në punë, do të fillojnë të paguajë taksa për çka ka ndodhur në këtë vend që nga 1945 dhe deri në 1989″, u shpreh Ahmetaj.

LIGJI

Ish-të përndjekurit e kategorisë parësore që janë gjallë dhe jopaqësore, së shpejti do të tërheqin këstin e 9. Përfitues të dëmshpërblimit do të jenë edhe 11 mijë dosje të trashëgimtarëve të radhës së parë dhe të dytë. Këstin e 9 do ta përfitojnë 1200 ish-të përndjekur, ku 262 prej tyre i përkasin kategorisë parësore. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha në Komisionin i Ekonomisë se për këstin e 9 të kategorisë parësore do të shpërndahen 300 milionë lekë.

“Praktikisht janë shpërndarë deri tani 8 këste për kategorinë parësore dhe për shkak të kufizimeve ligjore të kësteve, jo më i madh se 1 milion dhe jo më i vogël se 100 mijë, sigurisht që duke iu referuar shumës përfituese ligjore, një pjesë ka mbetur në nevojë të këstit në 9. Mirëpo, ligji kufizonte këstin e 8, kështu që, nëpërmjet këtyre ndryshimeve, ne po bëjmë të mundur që kategoria parësore dhe joparësore, që janë rreth 1200 dosje, parësore dhe joparësore, do të përfitojnë nga ky ndryshim ligjor. Çfarë do të thotë kjo? Nëpërmjet këstit të 9, ne do të mbyllim gjithë pjesën e kategorisë parësore, ata që kanë vuajtur drejtpërsëdrejti dënimin”, tha ministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura