Të përfitojmë nga kriza pas Covid-it, jo të çorientohemi

Oct 27, 2021 | 8:00
SHPËRNDAJE

NGA PROF. AS. DR. ILJAS MEHMETIunnamed

Kriza pas Covid-it pritej, kështu ka ndodhur historikisht. Ekonomia është shkencë. Në kapitalizëm, rregullator është tregu që prej 215 vjetësh, ku kërkesa – oferta orienton prodhimin, investimet, shpërndarjen e të ardhurave, për rrjedhojë edhe ekuilibrin e konsumit, qoftë prodhues dhe individual të popullatës.

Për fat të keq, vendi ynë nuk ka kaluar fazat e kapitalizmit, për rrjedhojë për shumë kohë në Makro dhe Mikro veprimet, qëndrimet, analizat dhe strategjitë janë bërë sipas interesave të individëve vendimmarrës qeverisës të kohës. Duke filluar nga viti 1920 e deri sot, ekonomia është zhvilluar e palidhur me historinë e zhvillimit ekonomik të kapitalizmit të atyre vende që ne sot duam të shkojmë, por derën ende e gjejmë të “mbyllur”, pasi historia ekonomike e zhvillimit tonë është shtrembëruar. Për ekonominë si shkencë, në vendin tonë ka shumë për të thënë edhe pse ende ka shumë intelektualë dhe profesionistë, të ekonomisë, të teknikës, të teknologjisë, të industrisë e bujqësisë, në çdo sektor, që njohin mirë opsionet e zhvillimit, ku gjërat në ekuilibrin e tregut për ekonominë e vendit të bëhen ashtu si i ka bërë dhe po i bën bota e zhvilluar.

Për fat të keq ka heshtje. Ne si popull, po nuk pranuam ndryshimin, jemi të destinuar të vonojmë zgjidhjet që çojnë në një jetë më të mirë si shqiptarë. Këto ditë doli Kryeministri e tha: “Një krizë e madhe po shfaqet në horizont në botë”. Mendoj që bëri mirë dhe ia tha në kohë popullit të vet, që secili të jetë i përgjegjshëm për efektet e krizës së shfaqur fillimisht në çmimin e drithërave, të energjisë, të gazit etj., që sipas ligjësive ekonomike do shtrihet pothuaj mbi çdo produkt dhe lëndë të parë. Kjo krizë do ndikojë në tërë degët e sektorët e ekonomisë dhe shumë shpejt edhe në treguesit financiarë dhe buxhetorë të biznesit, sidomos privat, por më drejtpërdrejt në familjet e deri në menaxhimin e vendit.

KRIZËN DUHET TA PËRBALLOJNË TË GJITHË

Pse duhet të trembemi nga ky realitet? Ky është kapitalizmi, rend ekonomik më i miri, por krizat i ka bashkëshoqëruese. Shoqëritë e kulturuara merren dhe riformatojnë në strukturë dhe në mentalitet gjërat, që kriza jo vetëm të kalojnë pa ndjesi të mëdha, por të çojnë shoqërinë në një ekuilibër më të lartë në mirëqenien e popullit. Ndryshe, krizat nuk zgjidhen, nuk ka fuqi askush ta ndalojë, se tregu është i hapur dhe i lirë, brenda e jashtë vendit. Jemi në kohën e globalizmit. Përvoja botërore ka treguar që rregullimet në rishpërndarje, qoftë të përkohshme ose të pjesshme, nuk zgjidhin asgjë në kohë krize.

Pas fjalës së Kryeministrit, filluan shqetësime normale, të dalin probleme për zgjidhjes. Menjëherë, dikush rriti çmimin e bukës, dikush atë të gazit dhe naftës, dikush në ndryshim të emërtimit e çoi çmimin atje ku donte. Reaguan njerëzit me të drejtë, sidomos shtresat me nivel page më të ulët, veçanërisht pensionistët dhe shtresat në nevojë. Nga ana tjetër, po shfaqen mendime e propozime që kriza duhet të zgjidhet duke operuar me ulje TVSH, të Tatim-Taksave, me subvencione, me mbrojtje të një shtrese të popullsisë etj. pa fund.

Këto masa gabim nuk janë, por problemin nuk e zgjidhin, se pasojat e krizës, çfarëdo që të bëhet, do shkarkojnë në një vend. Dhe vendi i shkarkimit nuk është vetëm te biznesi, qoftë ai vip, i madh ose i vogël, se së fundi do përfundojnë te konsumatori, për rrjedhojë populli do varfërohet e do konsumojë më pak. Rrugë kjo që do sjellë rënien e të ardhurave individuale, shoqëruar me ulje të kërkesave për prodhim, rënie e konsumit, do nxjerrë njerëz më shumë pa punë dhe do t’i “lidhë duar” shtetit, do ulen të ardhurat buxhetore.

KRIZA NUK ZGJIDHET ME RËNIE KONSUMI.

Bota, që nga 1933 e deri më sot, ka kaluar mbi 10 kriza, disa të mëdha si kjo e kohës tanishme, por edhe më të mëdha. Le të veprojmë siç veprojnë vendet e zhvilluara, duke ecur më konceptin që paga të mos bëhet pengesë të thellojë krizën, por të reflektojë përqindjen e efektit të krizës, që njerëzit të mos u ulet konsumi. Pyetja është: ku do gjenden lekët që të rriten pagat? Po mirë, ku u gjetën lekët që në vitin 1991 paga ishin mesatarisht 500 lekë në muaj dhe sot pas tridhjetë vitesh mesatarisht janë 60.000 lekë në muaj? Ku i ka gjetur lekët bota, që i ka rritur dhe po i rrit pagat, aq sa nga këto “të shkreta” paga e boshatisën Shqipërinë, jo vetëm nga punëtorët e fshatarët, por dhe intelektualët e specialistët? KU? Ku?

Ekonomia e tregut është vetërregulluese. Levat ekonomike, iniciativa e lirë, roli menaxhues i shtetit, të rejat e shkencës, sistemet tatim-taksat, tarifat doganore, mekanizmat financiarë, inflacioni, janë ato që duhet të orientojnë shfryrjen e rritjes së shpenzimeve nga efekti i rritjes së çmimeve. Masa që duhen marrë nga kushdo, ku secili të gjejë veten në ekuilibrin e ri të tregut me rezultat pozitiv edhe në kushtet e rritjes së shpenzimeve. Kush nuk e menaxhon, nuk di, nuk do dhe nuk drejtohet tek inovacioni, patjetër ka fund jo të mirë, por dikush e zëvendëson sipas ligjeve të konkurrencës. Kjo diferencë përbën progresin dhe zgjidhjen, duke çuar produktivitetin në nivel më të lartë.

Kriza e tanishme nuk zgjidhet me mbrojtjen të shtresave në nevojë, por më rritje të parasë në qarkullim, duke bërë që niveli i shpenzimeve të jetë në një trajektore më të lartë, ku përgjegjësinë duhet ta mbajë secili, se faktori i jashtëm është themeli i kapitalizmit konkurrenca që ka bashkëshoqëruese krizat. Ne si vend, popull jo e jo, biznesi po ashtu, qoftë edhe qeveria, nuk ndalojmë dot asnjë rritje çmimi në tregun ndërkombëtar. Nëse ne vazhdojmë të ekspozohemi më shumë ndaj tregjeve pa prodhim vendas, do zhytemi më shumë në të ardhmen. Zgjidhja e vetme është të bëjmë të interesuar biznesit që të prodhojë me fitim, se është ai që duhet përballojë edhe shpenzimet e rritjes të krizës dhe të pagave, duke qenë më aktive në punët më eficiente.

Analiza fillon nga kostoja. Sa Lek ose Euro i rritet vendit nga rritja e çmimeve në lëndët e para, energjisë, naftës etj? Sa për qind ato zënë në volumin e prodhimit të përgjithshëm të vendit në vit? Si shpërndahet efekti i rritjes së çmimeve direkt dhe indirekt në çdo produkt. Njohja e kësaj situate është çelësi i së drejtës të rritjes së çmimit nga kushdo. Jashtë kësaj fillon abuzimi me çmimin në kurriz të konsumatorëve dhe të shtetit. Për fat të keq, në vendin tim kjo ka ndodhur. Duam kapitalizëm pa i zbatuar rregullat e ligjet e tij. Menaxhimi i saktë në të drejtën e biznesit lejon rritje të çmimit vetëm në masa e influencës së çmimeve që solli kriza, në totalin e shpenzimeve ose për njësi. Jashtë kësaj ligjësie çdo gjë është abuzim. Këtu ka rol të jashtëzakonshëm shteti. Aq më tepër që tani me informatikë, kjo gjë bëhet shpejt dhe shumë saktë. Por do njerëz më kulturë zbatuese Mikro. Këtu gjendet edhe një pjesë e madhe e parave që duhen për rritjen e pensioneve dhe pagave për njerëzit në nevojë, duke çuar në normalitet shtrembërimet e bëra këto 30 vjet.

Efektet e çmimeve duhet t’i ndjejnë të gjithë njerëzit në vend. Por fillimisht duhet të mbulohet efekti i tyre në shtresat në nevojë dhe pensionistët që këto të mos e ndiejnë krizën dukshëm të vetmit, pasi çdo rrugëmbrojtje me subvencion është e përkohshme, se vlera e shtesë së çmimit në biznes ku shkarkohet gjoja efekti i krizës, do t’u bjerë përsëri shpejt në kurriz indirekt konsumatorëve më rëndë. Krizën e Covidit, pasojat e tërmetit, qeveria e zotit Rama për mua i përballoi. Në vend u futën më shumë të ardhura, u rrit sasia e monedhës, hyrje kapitale të reja, disa edhe me pak kredi, kaluan situatën kritike, njëkohësisht degë si të ndërtimit etj. sollën më shumë të ardhura dhe mundësi frymëmarrje. Edhe tani me krizën e çmimeve duhet që të riaktivizohen rezerva që ka kudo në proceset e biznesit, për të çuar në ulje të shpenzimeve, duke vepruar me një menaxhim sa më efektiv të çdo gjëje. Biznesi kështu mbulon pagat për punonjësit e vet, që për fat janë aktivitetet që zënë gati 85 % të prodhimit përgjithshëm bruto.

Pjesa tjetër e pensionistëve dhe e njerëzve në nevojë, edhe pse janë në numër absolut të lartë, efektet nga rritja e pensioneve dhe e ndihmave janë të përballueshme. Krahas tyre, levat ekonomike, inflacioni, vlera e monedhës, operacionet financiare, gjejnë rrugë e mundësi që rritja e shpenzimeve në tërësi si vend sjell rritjen e konsumit. Ky korrelacion buxhetit i jep më shumë të ardhura dhe i bën njerëzit më të kënaqur dhe ul problemet sociale.

RRITJA E VLERËS SË PUNËS, DO NDIKOJË POZITIVISHT NË EKONOMINË E VENDIT

Si vend me rroga të ulëta, që puna të bëhet tërheqëse, kërkon reformim të sistemit pagave. Me ketë temë e fituan tre amerikanët Çmimin Nobel në 2021. Mendoj se ka ardhur koha të veprohet, nuk është dëshirë, as fantazi, por ne sikur 20 % të bëjmë në këtë fushë, siç ka bërë e bën bota e qytetëruar, do ketë efekte të dyfishta pozitive. Veç të tjerësh do përmirësojë edhe vlerën e treguesve Makro në raport me të tjerët. Një konsum më i madh, me një nivel çmimesh më të larta i sjell biznesit dhe investitorëve më shumë fitime, rrit interesin për investime në çdo degë, konsumin e nxit. Ky mekanizëm kërkon rregullim dhe kjo fillon nga rivlerësimi i punës.

Brezi i sotëm duhet të mësohet me efektet që vijnë nga strukturat e marrëdhënieve tregtare globale. Është kërkesë normale për çdo rast, të mos i preket niveli jetësor ose sindikalist (që për fat të keq mungon) jo me mekanizma mbrojtës, por t’i rritet paga bruto. Nga ana tjetër, shoqëria të ketë produktivitet dhe njerëzit të zgjedhin midis kursimeve dhe shpenzimeve, duke u marrë më shumë përgjegjësi ndaj vetes, sesa të merren me politikë ose komentojnë interpretimin e gjërave nga njerëz jospecialistë. Njerëzit i shëron mjeku, ndërsa ekonominë e shëron shkenca ekonomike.

Ndaj duhen bërë ato gjëra që bën bota, ku pas çdo krize, të dalim më të fortë dhe fortësia është më shumë mundësi hyrjesh në xhepat e njerëzve, më shumë para, që të rritet konsumi dhe jo të varfërohen njerëzit edhe në kushtet e rritjes së inflacionit, të cilin para viteve ‘90 nuk e llogarisnim, por as këto 30 vitet e fundit nuk ka zënë forcën e tij në zhvillimin ekonomik, duke u gërshetuar me tërë mekanizmat financiarë.

Shpresoj të mos “mbytemi si vend nga kjo krizë”, se jemi vend në zhvillim dhe i vogël, duhet t’i kthejmë gjërat në favorin e në interesit të popullit. Sot vlerësoj se vendi kërkon disa qindra milionë Euro si rritje vjetore shpenzimesh, nga rritja e çmimeve në botë. Prognozat tregojnë që do të duhen shumë-shumë më tepër shpenzime plus nesër përsëri nuk duhet të shqetësohemi se ekonomia kapitaliste është vetërregulluese. Nëse i bën gjërat siç i kërkon ekonomia e tregut, duhet të jemi optimistë.

Ndaj njerëzit të mbështesin progresin, të jenë realistë, do mësohen me krizën se ne në kriza kemi qenë, por kjo krizë për popullin tonë nuk është më e rëndë se dhjetori i viti 1991, ku vendi kishte vetëm 6 ditë bukë. Në ato vite, ekonomia ishte plotësisht e çorientuar dhe jo efektive. Ndaj sot të merret pjesë në rrugët e zgjidhjes së krizës, me rritjen direkt të konsumit, pensione etj., se kështu të gjithë dalin të fituar. Këtë ka treguar kapitalizmi: punë, përgjegjësi, kualifikim, shpërblim, çmime më të larta, fitime më të larta. Paga më të larta dhe mirëqenie në rritje e jo varfëri.

*Ish-ministër, qeveria teknike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura