Të përballosh sfidat në rrugën e përbashkët

Jun 19, 2018 | 10:41
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Në Prespë sapo u nënshk rua nga kryediplomatët e Greqisë dhe Maqedonisë marrëveshja që parasheh emrin Maqedonia e Veriut, në prani të kryeministrave të të dy vendeve, Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev. U bë kështu gjëja e duhur, pa harruar për këtë dhe interesimin e madh të SHBA-ve dhe Bashkimit Europian për kapërcimin e konfliktit. Një mësim se si mund të kapërcehet e kaluara, edhe kur kjo është apo bëhet problematike. Dhe të mendosh që konfliktit shumëvjeçar rreth emrit, i lidhur me problematikën e identitetit kombëtar, e pranishme kjo sidomos në rajonin tonë, i erdhi fundi, të mendosh gjithashtu që pas kaq vitesh debati, sfidat janë mposhtur, nuk është pak.

Nga ana tjetër, ke të drejtë të thuash: Kaq kohë e humbur! Qysh nga viti 1991, Greqia nuk u pajtua me emrin e Maqedonisë, duke e parë atë si pretendim territorial ndaj krahinës së saj me të njëjtin emër. Tani, me këtë marrëveshje, e cila do të ratifikohet nga të dy parlamentet, Maqedonisë i hiqen kufizimet e derisotme dhe udhën e ka të hapur në NATO dhe në BE. Aleksis Tsipras e konsideron marrëveshjen e arritur si marrëveshje të shoqërisë për përmirësimin e jetës së qytetarëve, por dhe si detyrë historike për të vazhduar rrugën e përbashkët europiane.

Mocioni i mosbesimit, i sjellë në Parlament nga “Demokracia e Re” ndaj Kryeministrit grek, nuk u përkrah nga 153 deputetë, përballë 127 prej tyre që votuan pro, duke e akuzuar atë se po i bënte lëshime Maqedonisë. Qindra dhe mijëra grekë u ngritën në protesta, duke bërë që mbi Tsiprasin të bien etiketime, si “tradhtar” dhe të kërkohet dorëheqja e tij “para se të bëjë më shumë dëme kombëtare”. Për kryetarin e “Demokracia e Re”, Mitsotakis, në përforcim të sa më sipër, marrëveshja gjykohet si sulm ndaj shtetit dhe qeveria aktuale- një makth.

Nga ana tjetër, Kryeministrit Zoran Zaev i duhej të përplasej jo vetëm me opozitën, por të ketë kundër dhe Presidentin Ivanov, i cili vazhdon të këmbëngulë për një zgjidhje që nuk do të çonte në ndryshime kushtetuese. Dhe vetë gazeta e njohur greke “Kathimerini” e shikonte qysh më parë me realizëm kthimin e pragmatizmit të Maqedonisë, për të bërë kompromise dhe koncesione.

Pra, pas gjithë këtyre viteve, kuraja bën të ngrihesh mbi bindjet apo paragjykimet e deritanishme për t’i çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe, me interes të ndërsjellë. Më në fund, nga asnjëra palë nuk pati tërheqje, as gjatë këtyre ditëve nga pengesat që përmendëm. Dy vende, ku rrugëtimi i tyre është i përbashkët, njeri anëtar i NATOS dhe BE-së, tjetri që pritet të radhitet krah tij, nuk mund të vuajnë më gjatë ndarjen, duke u kthyer më tepër ndaj asaj se çfarë i bashkon më shumë në këtë udhëtim të njëjtë. Ishte një domosdoshmëri kjo që duhej të arrihej, pavarësisht pengesave jo të vogla.

Ndërkohë, mendojmë se qëndrime si ky nuk kanë asgjë të përbashkët me atë që dikush mund t’i gjykojë si dobësi apo humbje për njërën a tjetrën palë, por si të tillë, me shtrat – një vizion tjetër, emancipim i brezit të liderëve të rinj, të gjeneratës së re progresive, që ka ardhur e po vjen në pushtet, për të mos mbetur prapa në kohë, me vullnet e mendim të kthjellët, sa më larg nacionalizmave dhe patriotizmit kallf.

Është fjala për një gjeneratë që synon të shkruajë faqe të reja, si në rastin konkret, të historisë së marrëdhënieve dypalëshe, por dhe në vazhdim dhe bashkimit të të gjitha përpjekjeve, për një Ballkan me fytyrë tjetër, pa sherre, popujt e të cilit të jetojnë në mirëqenie dhe në paqe. Një tablo pozitive, si kjo që u ndalëm në këtë shkrim, jo vetëm në marrëdhëniet midis Athinës dhe Shkupit, por dhe për rajonin tonë në tërësi, vjen e bëhet mur për të ndalur ekstremizmat e njohura me absurditetet e tyre të çuditshme, që përmes dialogut, t’i mbetet të djeshmes urrejtja ndaj njëri-tjetrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura