Të pathënat për mjeshtrit e pikturës në një album

Mar 4, 2016 | 20:44
SHPËRNDAJE

Gjithçka lindi nga dëshira për të pasur mbi tavolinë një nga ato albumet luksoze të piktorëve të huaj.

Pse të mos ishin edhe tanët?! Ata të parët, që ndoshta nuk i njohim edhe aq mirë, që themeluan shkollën e pikturës shqiptare, që pikturuan mes dy shekujsh, që sollën në Shqipërinë e lodhur kulturën më të mirë të fituar në shkollat europiane.

promovimi xhoi

Ishte kjo dëshirë që e shtyu Xhoan Gugën të ndërmerrte një sfidë, të realizonte albumin “Mjeshtërit e pikturës shqiptare 1883- 1944”. Një punë voluminoze, që kërkon shumë durim dhe punë kërkimore, kontakte me njerëz dhe udhëtime nga Korça në Shkodër, për të fotografuar në shtëpitë e trashëgimtarëve, veprat e mjeshtërve të pikturës shqiptare. Albumi përfshin 113 veprat e 13 piktorëve, Idromeno, Mio, Zengo, Martini, Zajmi etj.

Janë disa nga veprat e tyre më përfaqësuese, por ka mes tyre edhe të tilla, që botohen për herë të parë. Për Gugën, ka qenë një periudhë e artë e pikturës shqiptare, që do të linte gjurmë të thella. Ata do të ishin profesorët e parë. Një tjetër arsye pse ai zgjodhi pikërisht këtë periudhë dhe jo një më të vonshme, lidhet edhe me atë ndërprerje të dhunshme që do t’i ndodhte artit shqiptar, me instalimin e komunizmit.

“Vendosja e diktaturës dhe imponimi i realizmit socialist, nuk lanë më asnjë vend për shpirtin e lirë, as në ambientet më intime, jo më të fiksuara në telajo; siç edhe e pësoi në mënyrën më të dhimbshme dhe absurde, me burgosje, edhe një prej piktorëve të këtij albumi, apo edhe familja ime”, thotë Guga, për të cilin shumë prej veprave të përfshira në album ishin një zbulim më vete. “Veprat janë përzgjedhur nga koleksione familjare të autorëve, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë e Shkodër, si dhe nga koleksione private. Komunikimi me familjarët e piktorëve, ka qenë një kënaqësi më vete.

Ata nuk e fshihnin kënaqësinë që veprat e paraardhësve të tyre do të përfshiheshin në një album të tillë. Më hapën dyert e shtëpive, duke më dhënë mundësinë që të fotografoja veprat dhe më dhanë edhe të drejtat e autorit”, thotë autori i albumit, i cili u promovua dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Në panelin e promovimit ishin edhe piktori Stefan Taçi e koleksionisti Thimi Nika. Taçi do të vlerësonte punën skrupuloze të autorit, i cili edhe pse nuk është vetë një artist apo studiues arti, është shumë afër tij, duke punuar mes artistësh për realizimin e librave e katalogëve të artit.

E me sa duket, kjo ka qenë edhe një shtysë më tepër për realizimin e kësaj vepre. Edhe Nika do të vlerësonte punën e gjatë, kërkimin në shtëpitë e autorëve, ndërsa është për t’u vlerësuar respektimi i të drejtave të autorit, për të gjitha veprat e piktorët e përfshirë në këtë album.

VEPRAT

Që nga portreti i plakut nga Idromeno, te fushat korçare të mbuluara me borë të Mios, sytë pyetës të “fëmijës” së Abdurrahim Buzës, “Notrë Dami” i Kacelit, rriskat e shalqirit të Kolombit, portreti i boksierit Emrush nga Hasan Reçi, pyjet e Romës së Qamil Grezdës, “Gruaja me shportë” e Foto Stamos, natyra e qetë e Vangjush Tushit, autoportreti i Zengos, “Kasollja” e Nexhmedin Zajmit, dasmat shkodrane e tiranase… janë këto tablo nga e përditshmja shqiptare, që na vjen si e gjallë përmes veprave të piktorëve. Autori i albumit është kujdesur të përzgjedhë larmi tematikash e stilesh, që nga portretet e nënave, te nudot, nga peizazhet te kompozimet.

Një rëndësi të veçantë i jep edhe detajit. Në disa prej veprave ai është ndalur në skena të veçanta të tablosë, në rastin kur ato janë masive, ose në ndonjë element të një portreti, për të zbuluar më nga afër mjeshtërinë e piktorit.

Albumi ofron edhe informacione për piktorët dhe për vepra të caktuara, duke ndarë me lexues in edhe shumë kuriozitete lidhur me to. Përmes këtij albumi, mund të mësosh më shumë për të famshmen Motrën Tone, që kemi mundësi ta shohim edhe pa vel, apo për personazhin e Mixhës, që na vjen i fiksuar në telajo nga dy piktorë të ndryshëm, Kushi e Kaceli. Ndërsa mund të zbulosh një dimension tjetër të Idromenos.

Nuk është vetëm motra Tone, por edhe një cikël veprash me karakter fetar. Tablo me engjëj, shenjtorë e djaj me brirë… bëhet fjalë për tablotë “Dy rrugët”, “Kur hyn dreqi në shtëpi”, “Vdekja e njeriut të mirë dhe atij të keq”, “Shën Mëria me Krishtin” dhe “Të ikunit e imazhit të Zojës së Shkodrës”. Pra, në 260 faqe mund të shijosh e mësosh shumë, nga çka nuk ke ditur për fillimet e pikturës në Shqipëri.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura