Të pathënat e ngjarjes tragjike/ “Ju rrëfej atentatin ndaj përfaqësuesit shqiptar në Misionin e Aleatëve në Bari! E goditën me thikë, pastaj…”

Jan 24, 2022 | 21:40
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-ngjarjaa“Ngjarja ndodhi natën e 20 marsit të 46-tës, në një nga rrugët periferike të Barit. Nazif Ibrajn në fillim e goditën me thikë, pastaj me plumb në kokë. Lajmi tronditi rëndë jo vetëm shqiptarët e atashuar në Shtabin e Aleatëve të Mesdhut, por të gjithë ushtarakët e pranishëm aty”.

Kështu e nis rrëfimin për shokun e humbur në një atentat kriminal Stavri Bita, ish-anëtar i Misionit Ushtarak Shqiptar në Bari të Italisë dhe miku i afërt i Nazif Ibrajt. Pastaj biseda me të zbulon rrethanat e panjohura të ndodhisë së 20 marsit 1946, që u bë objekt diskutimi në tryezat politike europiane. Bita, për shkak të moshës, herë-herë sforcohet për saktësimin e betejave apo emrave të protagonistëve të kohës, por përjetimin e asaj tragjedie në bregun tjetër të Adriatikut, e ruan të freskët. Nuk përzgjedh fjalët për t’i dhënë ngjyra interesante rrëfimit dhe as tenton glorifikimin e ndodhisë.

Tregimi i tij fund e krye përshkruhet nga dashuria dhe respekti për vlerat e shokut, që u martirizua pabesisht në krye të detyrës dhe nga një lloj zemërate ndaj prirjes për të folur më shumë për ata që duhet heshtur dhe heshtjes së pakuptimtë për ata që duhet folur. Gjithsesi, në kujtesën e këtij 80-vjeçari, ngjarjet e faktet janë skalitur me vlagën e kohës dhe ai nuk di të bëjë kompromis për t’i ngjyrosur tjetërsoj…

Zoti Stavri! Në kujtimet tuaja flisni për atentatin ndaj njërit prej pjesëtarëve të Misionit Ushtarak Shqiptar pranë Shtabit të Mesdheut në Bari. Si shpjegohet që kjo ngjarje gjatë kohës së komunizmit është mbajtur disi e fshehtë?


Me siguri e keni fjalën për atentatin ndaj Nazif Ibrajt, shokut dhe mikut tim të afërt, që ndërroi jetë natën e 20 marsit ‘46 në Bari të Italisë. Nuk e di çfarë keni parasysh kur thoni se është mbajtur në fshehtësi, por e vërteta është krejt ndryshe. Nazifi është shpallur Dëshmor i Atdheut dhe akti i tij është vlerësuar zyrtarisht nga autoritetet e kohës. Madje,vrasja tragjike e tij është artikuluar me forcë edhe në disa tubime ndërkombëtare. Për të ka folur vetë Enver Hoxha në Konferencën e Paqes në Paris, duke denoncuar energjikisht fashistët italianë, si autorët e vërtetë të atentatit makabër…

Ta lëmë për një moment ngjarjen e 20 marsit ‘46 dhe të kthehemi te jetëshkrimi i Nazif Ibrajt…

Unë Nazifin e kam pasur shok të afërt. Njohja jonë, që shumë shpejt u shndërrua në shoqëri të afërt, zë fill në mesin e vitit 1944. Ishim të dy 18-vjeçarë, ai nga Vranishti i Vlorës, unë nga Vithkuqi i Korçës. Kishim përshkuar pothuajse të njëjtën rrugë në luftën antifashiste, ai si partizan i çetës “Sali Murati” dhe i Brigadës së Pestë Sulmuese, ndërsa unë në çetën “Qamil Panariti” dhe në Brigadën e Katërt. Në të njëjtën kohë u bëmë pjesë e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe po bashkë shkuam në Itali. Nazifi ishte nga ata njerëz, që bien në sy me shikimin e parë. Kishte trup atleti, i gjatë, i shkathët, i fuqishëm dhe me dëshirë të admirueshme për sportet. Në shoqëri rrezatonte përherë mirësi dhe dashuri vëllazërore, kurse humori i tij i veçantë, të bënte ta doje me gjithë shpirt. Kishte pasion të veçantë këngën popullore dhe e interpretonte për mrekulli. Na ftonte shpesh t’i mbanim iso “labçes” së tij, por asnjëherë nuk e kënaqëm me mënyrën si këndonim…

Si u bëtë pjesë e misionit ushtarak të Shtabit të Forcave Aleate në Bari?
Ishte pikërisht maji i vitit 1945, ai që do të sillte një ndryshim të papritur në jetën tonë ushtarake. Axhem Abazi, komandanti i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm, na bëri me dije se do të shkonim në qytetin e Barit, me detyrë pranë misionit tonë ushtarak, që vepronte në kuadër të Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut. Kureshtja e moshës na nxiste për ta parë sa më shpejt “botën tjetër” përtej Adriatikut. Nuk vonoi dhe me disa shokë të tjerë morëm rrugën drejt Perëndimit. Po shkonim në atë vend të huaj, ushtria e të cilit gjashtë vjet më parë e kishte shndërruar Shqipërinë në pjesë të mbretërisë fashiste. Tashmë, kohët kishin ndryshuar. Boshti nazifashist, me ëndrrën për të sunduar botën kishte nënshkruar humbjen pa kushte. Shqipëria me luftën dhe gjakun e bijve të saj, me të drejtë ishte rreshtuar në anën e fitimtarëve. Zëri i saj kërkonte ballëhapur të drejtat e veta, duke shpalosur vlera për paqen dhe përparimin. Si pjesë e saj ndiheshim krenarë për rrugën e përshkuar dhe optimistë për të ardhmen…

Çfarë kujtoni nga shërbimi pranë misionit ushtarak pranë Komandës së Mesdheut?
Misioni Ushtarak Shqiptar aty drejtohej nga kolonel Kadri Hoxha, luftëtar i hershëm nga Elbasani, i palodhur në punë dhe me një kujdes të skajshëm për detyrën. Bashkëpunëtorë më të afërt kishte Iljaz Sevranin dhe Nuri Resnja. Kur shkuam ne në mision ishim 18 vetë, ndërsa me kalimin e kohës ky numër arriti deri në 33. Selia e Misionit ndodhej në rrugën “Dante Aligieri”, ndërsa godina ku pushonim e flinim ishte 200 metra më larg. Ndonëse “de jure” Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar, situata në Bari ishte e paqëndrueshme dhe me rrezik për jetën. Në rrugë qarkullonin forcat aleate, por numri i tyre ishte i papërfillshëm në krahasim me grupet fashiste e neofashiste, që demonstronin hapur urrejtjen për të huajt, e sidomos për forcat demokratike që synonin vendosjen e rendit të ri. Veç tyre, aty kishin gjetur strehë edhe shumë nga ish-bashkëpunëtorët e pushtuesit në vendet evropiane si polakë, jugosllavë, grekë, rumunë etj. Natyrisht, nuk mund të mungonin edhe kriminelë shqiptarë, që kishin lyer duart me gjakun e popullit të pafajshëm. Rrezikshmëria e këtij kontigjenti kundërshtarësh të egër ishte e përditshme, çka na detyronte të ishim tepër të kujdesshëm, por dhe të privoheshim nga shumë të drejta njerëzore.

Misioni shqiptar pranë Shtabit të Forcave Aleate të Mesdheut ishte vendosur që në vitet e luftës. Tani që kishte përfunduar ajo, cili ishte qëllimi i tij?

Vërtet kishte përfunduar lufta, por nuk ishin mbyllur problematikat e krijuara prej saj. Në këtë vështrim, detyrimet tona ishin nga më komplekset. Ndër më parësoret ishte pritja dhe përcjellja e qytetarëve tanë për në Atdhe. Ktheheshin të burgosurit dhe të internuarit nga burgjet e kampet e përqendrimit. Përcillnim për në atdhe ish-partizanë që ishin kuruar, por prisnim edhe të tjerë, që kërkonin shërbim të specializuar mjekësor. Sakaq, duhej përkujdesur edhe për një kategori njerëzish që paraqitej rishtas në mision. Ishin shumë njerëz që ishin larguar në vitin 1944-1945, të frikësuar nga ndëshkimi i regjimit komunist, por në kushtet e reja kërkonin të riktheheshin. Me ta përballonim një punë delikate, pasi mes tyre kishte jo pak edhe provokatorë të ndryshëm. Mbaj mend një grua, Aspasi e quanin. Qëndroi 3-4 ditë midis nesh, me kërkesën për të ardhur në Shqipëri, por e shtynte nisjen me shkaqe nga më të ndryshmet. Pak a shumë e morëm vesh kush ishte dhe kujt i shërbente, ndaj bëmë ç’është e mundur për ta sjellë në Tiranë. Riatdhesimi i saj do zbulonte më në fund dhe misionin antishqiptar që kishte marrë përsipër…

Pra, keni vepruar si një lloj konsullate…

Një lloj konsullate, por në kushte tmerrësisht të vështira. Ndoshta sot mund te duket e pabesueshme, por ne atëherë përballeshim me provokime të njëpasnjëshme. Në rrugë, në kafe, në mision, në port apo aeroport ku kryenim detyrën, përballeshim orë e çast me grupe qe kërkonin grindje e konfrontime. Agresiviteti i tyre nxitej edhe nga fakti se ne nuk qëndronim të armatosur. Ndonjëherë shkak bëhej edhe uniforma që ngjasonte me atë jugosllave. Ishte koha e marrëdhënieve të acarta italo- jugosllave për çështjen e qytetit të Triestes, të cilat reflektoheshin edhe poshtë. Sikur të ishim ne fajtorë, ndeshnim në shikime fyese dhe etje për konfrontime fizike. Kur mermin vesh se ishim shqiptarë tërhiqeshin, por jo të gjithë ishin në një mendje. Sikur të mos mjaftonin këto, shqetësime kishim edhe nga forcat ushtarake italiane.
A keni pasur raste që jeni konfliktuar me forca ushtarake italiane?
Ballafaqimi me to ka qenë gati i përditshëm. Raste të tilla padyshim ishin nga më delikatet dhe më të rrezikshmet. Mjafton t’ju kujtoj njërin prej tyre. Nga fundi i vitit 1945, po ngarkonim një anije me barna mjekësore. Karabinierët që vëzhgonin nga afër gjithçka, një moment urdhëruan si pa të keq shkarkimin, me pretekst kontrollin. U përpoqëm t’i bindim për kërkesën e paligjshme, por ata qëndronin në të tyren. A duhej t’u bindeshim?!
Kjo do të thoshte të vetposhtëroheshim. U pamë sy më sy me njëri-tjetrin dhe vendosëm në heshtje të kundërshtonim. I pari mori zjarr Nazifi, që ishte dhe eprori ynë. Ai duke u drejtuar nga karabinierët italianë u kërkoi me zë të lartë të largoheshin, ndryshe do të mbanin përgjegjësi të rëndë. E kisha ndjerë përherë ngrohtësinë e fjalës dhe të shpirtit të tij, por atje pashë edhe zjarrin djegës përvëlues, që i shpërthente aty për aty. I kërkonte koha edhe qëndrime të tilla, ndryshe nuk do t’i përgjigjeshim detyrës. Ishte periudha kur populli kishte nevojë për gjithçka. Forcat aleate, aq më pak qeveria e De Gasperit-it ishin ende të pafuqishme për vendosjen e ligjit në të gjitha fushat e jetës…

Keni qenë i pranishëm në çastet kur u qëllua Nazif Ibraj?
Atentatin ndaj shokut dhe mikut tim të shtrenjtë, Nazif Ibraj, e kam përjetuar me dhimbje të jashtëzakonshme. Ishte një veprim i pabesë i grupeve kriminale fashiste, një vrasje e paprecedent. Të tillë e cilësoi ato ditë edhe shtypi në Itali, i cili apelonte me të madhe kundër rrezikut fashist. Ishte shpejt te thuhej që thirrja e kohës së luftës “poshtë fashizmi” e kishte përfunduar misionin e vet. Nazifi mbeti viktimë pikërisht e atentateve neofashiste, që nuk kishin të reshtur…

Ishte nata e 20 marsit 1946…
Atë mbrëmje sa isha kthyer nga qyteti i Napolit, ku kisha shoqëruar kolonel Kadri Hoxhën. Të parin që takova e pyeta për Nazifin. Më tha se kishte shkuar me dy shokë të tjerë në kinema. Meqenëse isha i lodhur, u shtriva për të fjetur. Nuk kaloi shumë dhe u zgjova nga zërat e shokëve. Në bisedat e tyre kuptova se diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur. Sakaq u çova dhe nisa t’i pyes një nga një. Dukeshin të shqetësuar tej mase. Të gjithë rrinin në këmbë me vështrim nga dera e hyrjes. Nuk po kuptoja se çfarë prisnin. Një moment dëgjova zërin urdhërues të Nazifit: “Asnjë të mos dalë nga godina, më prisni këtu, kthehem shpejt”. Sakaq, doli me shpejtësi. Shokët më treguan se ishin provokuar nga një grup njerëzish, të cilët i kishin fyer e tentuar t’i dhunonin fizikisht. Me gjakftohtësi e guxim kishin çarë rrethimin dhe kishin ardhur në mision, por kishte mbetur njëri prej tyre, fati i të cilit nuk dihej. Në kërkim u nis Nazifi. Kaluan çaste në pritje të tij. Makthi sa vinte e shtohej. Vendi s’na mbante e minutat na dukeshin orë. Dolëm. Pa bërë as 100 metra, pamë një grup njerëzish që kishin formuar një rreth. U afruam kureshtarë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Në mes dalluam trupin e një shokut tonë të shtrirë përdhe. Pranë tij ishte edhe një trup tjetër. Aty për aty menduam se mos ishte Nazifi, por dikush na sqaroi se atë sa e kishin çuar në spital. Nxituam për atje me një frymë, me shpresën ta gjejmë gjallë. Po fatkeqësisht ishim gabuar. Nazifi kishte ndërruar jetë pa mbërritur te mjekët…
Çfarë kishte ndodhur?

Nazifi, sa kishte dalë në rrugë kishte parë që një grup banditësh që kishte shtrirë në tokë një shokun tonë dhe po e godisnin me ç’të mundnin. S’ishte përmbajtur dhe kishte kapur njërin prej tyre, të cilin e kishte përplasur tek muri, aty pranë. Ishte nisur për të ndihmuar shokun, por nuk kishte mundur të afrohej. E kishin qëlluar fillimisht me thikë e më pas dikush prej tyre kishte shtirë me armë drejt tij. Plumbi e kishte kapur në pjesën e pasme të kokës, paksa poshtë veshit të djathtë. Ndonëse lufta kishte përfunduar, ne ishim ende në luftë. Kur shkuam në spital, nuk na lanë të hynim. Vetëm të nesërmen mundëm të futeshim me lejen e autoriteteve. E mbuluam me flamurin kombëtar trupin e Nazifit dhe e përcollëm për në atdhe.

Sakaq këmbëngulëm të gjejmë vrasësit, por ishte e pamundur. Kush do na i tregonte?! “Ata nuk u gjendën, ka shkruar shkrimtari Anastas Kondo, sepse vrasësit e Nazifit nuk treguan, ndërsa ai që u vra nuk fliste më”. Ishte dora kriminale e neofashistëve italianë që preu në mes jetën e shokut dhe bashkëluftëtarit tonë. Dora e zezë e fashistëve që hakmerreshin pas rënies së fashizmit. Sidoqoftë, Nazifi u përcoll me nderime në fshatin e tij, në Vranishtin e Vlorës, aty ku e priste nëna me shumë mall e dashuri, si djalin e vetëm që e kishte./ LEFTER HASANAJ/ AFRIM IMAJ

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura