Të panginjur me trillime

Sep 20, 2018 | 12:02
SHPËRNDAJE

ÇAPAJEV GJOKUTAJ/ Çapajev-GjokutajKur shohim një film, e dimë fare mirë se ngjarjet dhe personazhet janë të trilluara. Por kjo nuk na pengon të qeshim, të rrëqethemi a të lotojmë.

Mbase, magjia e artit na bën të harrojmë se gjithçka është e trilluar. Gjithsesi, duket e çuditshme të vuajmë se heroi po vritet, ndërkohë që e dimë fare mirë se bën me gjasme; të mbyllim sytë për të mos parë gjakun që vërshon nga plaga, megjithëse e dimë fare mirë se s’është gjak, por bojë e kuqe.

Arti na magjeps, mbase, ngaqë të vërtetat e tij, paçka se të përcjella përgjithësisht përmes trillimesh, janë më të fuqishme se të vërtetat që hasim në jetën e përditshme. Parabolat e Platonit janë trillime, por përmbajnë të vërteta shumë më përgjithësuese se ato që na thotë profesori i Gjeografisë.

Mbase përjetimet e fuqishme që na krijon arti, dëshmojnë se jemi, në mos hipokritë, të paktën pragmatistë. Në njërën anë vëmë në piedestal të vërtetën, luftojmë me tërsëllëm kundër gënjeshtrës, në anë tjetër, flirtojmë me të trilluarën, mjafton të na shkundë, d.m.th. të trazojë shtjellën e mendimeve dhe të emocioneve.

Po kur i bëjmë hesapet më me terezi, të gjitha këto arsye ngjajnë dytësore e shfaqen si sofistikime intelektuale.

Mbase arsyeja më e fortë pse i besojmë tak-fak trillimet e artit, është më konkrete, më e thjeshtë dhe gjendet brenda nesh, e regjistruar në gjene.

2.

Kujtoni si na luten fëmijët darkave t’u kallëzojmë edhe një përrallë përpara se të flenë. Mund të jenë thuajse foshnja dhe nuk i dinë shumicën e gjërave të kësaj jete. Por dëshirën për përralla të mbushura me çudira e kanë tejet të zhvilluar. Ngjan se është një dëshirë e lindur, e trashëguar në gjene.

Fëmijët janë fëmijë, mund të thotë shumëkush dhe kanë qejf t’i ikin realitetit prozaik e të arratisen në botë të magjishme. Por dëshira për të trilluarën, paçka se më e fshehur, gjallon po kaq fuqishëm edhe brenda të rriturve.

E keni vënë re sa shpesh shohim ëndrra me sy hapur? Je p.sh. duke larë dyshemenë, duke ngarë makinën, a duke ngjitur një të përpjetë në park. Por fantazia të shpie në një plazh të virgjër. Por mund të përfytyrosh edhe se je duke debatuar me një të njohur, madje po e vë me shpatulla për muri. Më thellë akoma: mund ta përfytyrosh veten duke pritur ngushëllime për një nga të afërmit që, falë zotit, është gjallë, shëndoshë e mirë.

Ëndrrat me sy hapur, do thotë ndonjëri, janë fluturake, zgjasin fare pak sekonda dhe i shohim rrallë. Por psikologët nuk thonë kështu. Është llogaritur se njeriu sheh mesatarisht një mijë të tilla në ditë. Secila zgjat rreth 14 sekonda. Rezulton që rreth 4 orë të ditës jemi edhe këtu, d.m.th. në jetën reale, edhe atje, në botën e trilluar nga mendja jonë. Dhe këto zhvendosje janë zakonisht të pavullnetshme, bëhen vetiu, se i kërkon trupi, a më saktë qenia, pa marrë leje nga të menduarit logjik.

Si të mos mjaftonin 4 orë harxhuar në ëndrra me sy hapur, vjen nata dhe shtrihemi të flemë e të çlodhemi. Një pjesë të mirë të gjumit jemi edhe në krevat edhe në ëndërrime, në shoqëri me të gjallë e të vdekur, në situata reale dhe sidomos sureale.

Me sa duket, truri, i lodhur nga pesha e logjikës e të menduarit racional, ka prirje të fluturojë në vise e situata imagjinare. Mbase për t’u çlodhur e rigjeneruar. Mbase për të përpunuar përvoja e për të nxjerrë mësime.

Fakti që këto arratisje bëhen vetiu, në procese të pavetëdijshme, dëshmon se dëshirën për jorealen e kemi të lindur, të stamposur në gjene. Me fjalë të tjera, lindim të programuar ta gjenerojmë dhe ta përjetojmë të trilluarën.

3.

Ky lloj programimi është universal. E kanë pasur dhe e kanë të gjithë njerëzit, pavarësisht nëse kanë jetuar në epokën e gurit apo jetojnë në atë të internetit; pavarësisht nëse janë shkencëtarë enciklopedistë, a fshesarë, që mezi lexojnë e shkruajnë.

Falë këtij programimi, njeriu i pranon çuditë e virtuales pa pyetur shumë për logjikën, pa vënë në punë sitën e gjykimit për të ndarë miellin e së vërtetës nga krundet e trillimit.

Por ëndrrat me sy hapur dhe ëndrrat e natës janë vetëm njeri aspekt i lidhjes sonë me trillimin dhe të trilluarën. Që nga kohët që s’mbahen mend, njeriu ka krijuar, qarkulluar e shijuar mite e legjenda, përralla e gojëdhëna, festivale e shfaqje, piktura e skulptura, romane, shfaqje teatrore e filma.

Të gjitha këto, në shumicën e rasteve operojnë me realitete, njerëz, situata e marrëdhënie të trilluara. Edhe kur subjektet dhe karakteret vijnë nga bota reale, d.m.th. janë ngjarje të ndodhura dhe persona historikë, shkrimtari dhe artisti i rikonstruktojnë, d.m.th. i sjellin mes reales dhe të përfytyruarës.

Do të ishte naivitet që kundërvënien “reale vs e trilluar” ta merrnim si kriter vlerësimi e të thoshim se gjërat reale janë të mira e të dobishme, kurse të trilluarat – të këqija e bjerrakohë.

Një roman a një film, p.sh. nuk na e pakëson kohën e të jetuarit dhe të të përjetuarit. Përkundrazi na bëjnë të jetojmë edhe jetë të tjera në kohëra të tjera, reale a imagjinare qofshin. E, mbi të gjitha, na bëjnë të jetojmë nën lëkurën e tjetrit, të Medeas a të Hamletit, ta shohim botën me sy të tjerë, nga kënde të tjera vështrimi.

Pa narrativat e mëdha që njerëzimi i ka derdhur në mite, rrëfenja, afreske, simfoni e shumë mediume të tjera identiteti ynë individual do të ishte i dobët e depresiv, empatia dhe solidariteti të çala, kohezioni social anemik, bota jonë e brendshme e varfër, kurse realiteti i jashtëm do na shfaqej i thjeshtëzuar, mbushur me iluzione e keqkuptime. Po të përjashtonim narrativat dhe trillimin nga jeta humane, njeriu do mbetej shumë më i varfër shpirtërisht e mendërisht.

4.

Këtu nis e ravijëzohet një shqetësim. Sa më tepër i afrohemi kohës sonë, aq më të shumta e më të larmishme bëhen mediumet që operojnë me gjëra që s’janë reale, por të trilluara. Sot jemi thuajse të përmbytur nga shfaqje televizive, video-lojëra, aplikime kompjuterike etj.. Të përmbytur, por fatmirësisht ende jo të mbytur në një botë virtuale.

Vështirë të thuash se ky bollëk virtual që vjen nga jashtë, nga bota e spektaklit, e televizionit dhe e internetit, ka ndikuar dukshëm mbi zakonin e lindur të njeriut për të ëndërruar, me sy hapur a me sy mbyllur qoftë. Thënë ndryshe, njeriu mbetet njësoj i etur për të gjeneruar ëndrra.

Këtu duket se po del një problem. Denbabaden në një jetë 70-vjeçare, njeriu ka harxhuar e harxhon rreth 17 – 18 vjet me ëndrrat që i gjeneron vetë. Po t’i shtosh kësaj kohën që harxhojmë para ekranit të madh dhe ekraneve të vegjël, mund të rezultojë se po priremi që gjysmën e jetës ta kalojmë në botën reale e gjysmën tjetër të endemi në livadhet e virtuales.

Ky bollëk narrativash e trillimesh, shkruan Jonathan Gottschall në librin “The storytelling anomal”, po bëhet kaq i hasur, saqë po shndërrohet në një rrezik real për mbikonsum. Një ditë mund humbasim toruan në botët tona virtuale.

Për të kuptuar se si gjithë kjo mund të funksionojë, vazhdon Gottschall, sillni ndër mend marrëdhënien që kemi sot me ushqimin. Gjendet kaq lehtë dhe kushton kaq lirë, saqë jemi të rrezikuar të humbasim kontrollin mbi vete, të hamë mbi masë dhe të bëhemi obezë. E njëjta qëndron edhe për virtualen: mund të zhytemi kaq shumë në të, saqë të dobësojmë lidhjet me botën reale.

Dhe pastaj donkishotizmi do ishte rregull dhe jo përjashtim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura