Të paktën ta moderojnë sloganin

Jan 22, 2021 | 10:30
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

Sami-Neza1

Tri parti të reja të djathta, që drejtohen nga ish-drejtues lokalë dhe qendrorë të PD-së, janë krijuar muajt e fundit duke shënuar një rast të rrallë kur një spektër politik në një krah prodhon kaq shumë protoganizëm politik, të paarsyeshëm, thërrmuar në copa të vogla politike. Këto i shtohen partisë së Astrit Patozit më 2019 dhe asaj të Bamir Topit në vitin 2012, e cila tashmë pothuajse nuk ekziston.

Pa mbështetje për të ndërtuar lëvizje të reja politike serioze, kanë ndërtuar mbi inatin e tyre formacione politike që në njëfarë mënyre tentojnë të zbehin monopolin e së djathtës nga Partia Demokratike, me shpresën se përmes këtij inati mund të hakmerren duke zvogëluar sadopak fitoren, dhe, në fakt, mund t’ia dalin. Kodi i ri Zgjedhor karantinon votat e partive të vogla, ato nuk mund të përkthehen në ndonjë mandat për partitë e mëdha ashtu siç ndodhte te kodi i vjetër. Teorikisht, një parti mund të humbasë një deputet edhe për një votë.

Të gjitha këto parti krijohen para fushatave elektorale dhe secila, kush më shumë e kush më pak, bën fushatë kundër PD-së, duke marrë një njollë në fytyrë.

Sado që bëjnë përpjekje të fshijnë nga fytyra njollën që ua vënë rrethanat, e kanë të pamundur të heqin njollën dhe të mos dallohet gjurma e saj, e cila rrezaton më shumë se njolla. Nuk është e drejtë dhe as e ndershme të thuash se Topalli apo Patozi, bile edhe Murrizi apo Hajdari, në rastet kur e kuptojnë, lënë shpirtin që Edi Rama të jetë Kryeministër dhe Partia Socialistë të mbajë pushtetin edhe 4 vjet të tjera, larg qoftë!

Që të dy të parët, Topalli dhe Patozi, pavarësisht momenteve që i kanë përlyer më shumë se dëshira për të qenë bashkëpunëtorë, nuk janë të pranueshëm nga socialistët, madje edhe përkundrejt shërbimeve që mund të bëjnë për ta. Të dy janë aq të pjekur ta dinë se sado që Edi Rama e lidh fitoren te suksesi në pazare, pazari që mund të bëjë Rama me ta nuk shkon përtej ditës së parë pas zgjedhjeve.

Mjafton të sjellim në vëmendje taktikën e Patozit që themeloi partinë e tij pak ditë para zgjedhjeve lokale në 2019 dhe përmes një shkeljeje të qartë ligjore u përfshi në këto zgjedhje që u bojkotuan nga opozita. Patozi si politikan duhet të ketë pasur në mendje boshllëkun që e ndihmon më shumë së rrëmuja për të evidentuar partinë e tij, që për nga mekanizmat e komunikimit nuk shkon për keq. Por po aq shkon për marrë ndihma morale që i dha partisë së Edi Ramës për t’u dukur qoftë edhe një grimë si parti në pluralizëm. Rezultati i zgjedhjeve lokale për Bindjen e Patozit ishte depresiv. Mes disa qyteteve ku ai konkurroi, ndriçoi në të zezë rezultati për Tiranën. Partia e tij doli e treta nga dy parti që morën pjesë në zgjedhje. Disa mijëra votues të nxjerrë përmes shantazhit në votime zgjodhën më mirë të bënin të pavlefshme votën e tyre sesa të votonin një parti tjetër në listë. Në vend të dytë u renditën votat e pavlefshme.

A kishte mundësi Rama që ta nxirrte me më shumë nder Patozin, ndërkohë që kishin edhe komisionet, edhe shtypshkronjat e fletëve të votimit, edhe listën e votuesve nga ujësjellësi dhe bashkia. Natyrisht që po. Por nuk e bënë. Jo se nuk manipuluan zgjedhjet edhe pse ishin të vetëm. Ata manipuluan, shtuan votat, shtuan fletët e votimit dhe blenë sa munden votues edhe në Tiranë. Ju kujtohet përgjimi i publikuar i ‘zogut të Tiranës’, që bënte fjalë për 20 mijë lekë një votë për Velinë? Nuk e bënë sepse e shikonin një sukses të vogël të Patozit si një investim ireversibil, të pakthyeshëm për PS-në, që mund të kapitalizohej prej tij më vonë kundër tyre. Për një gjë jemi të sigurt, Patozi nuk u shpërblye, të paktën politikisht për aktin e tij që meritonte shpërblim.

Edhe tani pas këtij dështimi të provuar nga këndvështrimi politik, Patozi dhe fill më pas Topalli po përsërisin gabimin.

Po përsërisin gabimin duke u udhëhequr nga slogani i tyre për të rrëzuar sistemin politik apo thirrjet rapsodike “Të rrëzojmë Ramën, Bashën dhe Metën”, apo “Pa rrëzuar Bashën, nuk rrëzohet Rama”. Në fakt, këto slogane të korrektuara në terren lexohen kështu: Të rrëzojmë Bashën dhe Metën; dhe më shumë Bashën sesa Metën; Rama nuk rrëzohet.

Pse themi në terren? Se, në fund të fundit, të dyja partitë e mësipërme, ajo e Patozit dhe e Topallit, shto edhe dy të tjerat ku militojnë apo drejtojnë ish-deputetë të PD-së, nuk mund të prekin asnjë votë të Edi Ramës, nuk mund të rrjedhin vota të majta të PS-së për secilin prej tyre në një garë elektorale. Se si mund të rrjedhin vota nga PS për dy parti që drejtohen nga ishdrejtues të lartë të PD-së kur kjo ishte në pushtet, për dy parti pa program politik, pa program ekonomik, pa struktura të bazës dhe pa një drejtpeshim politik, por vetëm me një pasthirrmë: Të rrëzojmë Ramën, Bashën dhe Metën.

Ashtu si në rastin e Ramës, as Patozi, as Topalli nuk mund të marrin asnjë votë nga LSI. Ato mbeten të marrin ndonjë votë nga e djathta. Qoftë edhe pak vota, bile edhe nëse nuk marrin asnjë votë, por furnizohen me të tilla.

Nuk po merrem me pretendimin e tyre se do të rrëzojmë sistemin politik, se kjo është një histori tjetër dhe i bie gjatë të shpjegosh se pse sistemi politik nuk është ndërtuar mbi Bashën, Ramën dhe Metën dhe se nëse duhet rrëzuar sistemi apo synuar të rrëzohet sistemi duhen hequr të tjerë rrathë që jashtëshkruajnë edhe Topallin, edhe Patozin.

Kështu që i bie që të dyja partitë plus dy të tjerat që janë njëra domen i Taulant Ballës dhe tjetra e Gramoz Ruçit, ta kenë inatin vetëm me Lulzim Bashën.

Përmes interferencave, edhe pse të dobëta në elektoratin e opozitës, ato mund të prodhojnë pak dhjamë nga pleshti për Edi Ramën, për të cilin është vështirë të besohet se skenarët i realizohen nga rastësia. Dhe skenari është tkurrja qoftë edhe me një votë e PD-së dhe partive të koalicionit opozitar, në mënyrë që PS të dalë parti e parë, dhe pse jofituese. Për të dalë atje ku ai mendon se ka vlerë edhe ndarja e së djathtës, qoftë edhe në mënyrë imagjinare, pa pikë rëndësie sasiore, pra, pa pikë vlere në drejtim të rrjedhjes së votave. Por ndërkohë shërbejnë si justifikim për bankat elektorale në Durrës, Shkodër, Elbasan, Lushnjë dhe Fier e kudo gjetkë ku do të shpërndahet pasthirrma të rrëzojmë Ramën, Bashën dhe Metën për të mbajtur në lojë Ramën.

Kryeministri është i përmbytur nga përvoja e skalitjes në monedha të rezultatit zgjedhor. Mund të çojë vota edhe djathtas, deri aty sa nuk del një deputet që i duhet ‘grupseksionit të ish–PD-së, Patozi-Topalli’ për të rrëzuar Bashën si Kryeministër. Nuk u bën nder politik. Ndonjë nder tjetër, të shohim nëse tepron gjë nga bankat elektorale.

Atëherë, për çfarë po luftojnë këto dy parti? Të marrin vota të djathta që nuk i merr PD? Ndoshta. Por mund të ketë vota të djathta që nuk i merr PD, por nuk ka të djathtë që voton Edi Ramën për të përmbushur qëllimin e sloganit “Të rrëzojmë Bashën, për të rrëzuar Ramën”. Topalli dhe Patozi duhet të dalin nga mekanizmi që furnizon Edi Ramën. Pastaj kur të dalin nga ky mekanizëm do të jenë aq të kthjelltë sa të këqyrin ku i kanë votat dhe t’i mbledhin nëse mundin qoftë edhe përmes sloganit pak më të moderuar, “të rrëzojmë Ramën për të rrëzuar Bashën”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura