Të paktën “dy gisht letër” mos na e kurse, Zonja ministre e Arsimit…

Jan 14, 2022 | 8:28
SHPËRNDAJE

Frano KulliFRANO KULLI

As vetë nuk e di se si m’u dha t’i shkruaja një email ministres së Arsimit, Znj. Evis Kushi, kur kisha gati një bindje të plotë se nuk do të merrja prej aty një zgjidhje të arsyeshme për atë çfarë do të parashtroja. Përvoja jo e paktë prej gati tri dekadash në punën e botimit të librave dhe marrëdhënia që, unë kam mësuar se, ato zyra kanë pasur me librin, sistematikisht ka qenë e trishtueshme. Rrallë e kurrë është hartuar ndonjë përzgjedhje dinjitoze prej shtetit për përditësimin e pasurimin e bibliotekave të shkollave. Përpos ndihmave spontane të ndonjë organizate bamirëse e të virtytshme joqeveritare. Ani pse, në çdo vend normal, kjo është një shtyllë e rëndësishme e ngrehinës arsimore të një vendi. Kurse në 8 a 9 vitet e fundit, pakkush e di nga botuesit se çfarë letërsie rekomandohet në shkollat e sistemit parauniversitar. Dhe do të ishte i vetëmjaftueshëm argumenti se çdo pretendim që kjo hallkë e sistemit arsimor të mund të funksiononte normalisht do të ishte utopi, më e pakta.

Po ndoshta jehona e kumtit më të fundit e zotit Kryeministër se tani e tutje, kur edhe opozita politike këtu ndër ne ka “pushuar në paqe” e ai ka shpallur atë mekanizmin e komunikimit të tij direkt me shtetasit, për çdo kërkesë që ata do të kenë për qeverisjen, e kishte bërë të vetën edhe në trushpëlarjen time. Po, po, trushpërlarje është të pranosh e të bëhesh familjar me një kësisoj bashkëqeverisje, se ndryshe si mund të besohet se në vend të institucioneve, në një shtet demokratik, gjithçka e bën Ai, Njëshi?! Si të ishte vetë Mesia?!

Nejse, ndoshta edhe trullosur disi, si njëra prej pasojave mjaft dëmtuese mbetur prej Covidit më kishte ndjellë të bëja atë, që… s’mbaj mend se e kisha bërë ndonjë herë tjetër… E bëra “zemrën gur” dhe i shkrova zonjës ministre. S’e pashë të udhës ta bezdisja vetë zotërinë e tij me punë librash e shkollash. Se të tjera halle ka udhëheqësi… Kisha mësuar në mënyrë të tërthortë se është ngritur një bord i administrimit nga Ministria e Arsimit, të cilit i është besuar hartimi i kësaj liste. Dhe ai, thonë se e ka hartuar një listë. Në mënyrë të tërthortë se, si gjithmonë, bordet te ne veprojnë në terr e të vërtetat rreth tyre vetëm tërthorazi mund t’i mësosh… A e di kush se u bë ndonjë diskutim publik me grupet e interesuara? Sa publik është bërë vendimi që shtëpitë botuese të propozonin nga 5 tituj të tyre, gjykuar si më të zgjedhurit për atje? Për Fishtën, bie fjala, dikush atje në bord i ka dhënë vetes tagrin edhe të përçmojë ndonjërin prej versioneve të botuara të veprës. Krejt apriori, ex cathedra. Pa pas dhënë deri tani ndonjë provë publike për studimin e veprës së Fishtës. Pjesëmarrës të përhershëm bordesh (me kohë të plotë)… druaj se as provë leximi, gjithashtu…

Për këto, thashë po i shkruaj zonjës ministre. Se a do të kishte ndonjë ndryshim prej asaj që ishte bërë prej vitesh, se do të hartohej ndonjë listë serioze për të pasuruar bibliotekat e shkollave me libra të zgjedhur me kritere cilësie e kompetencë? Kjo ka ndodhur më 25 nëntor të vitit që shkoi, këtë datë mban email-i i dërguar. Ia përsëdyta email-in, në mungesë të përgjigjes për të parin, mbasi kishte kaluar një muaj e gjysmë, për ta kujtuar se i kam shkruar një muaj e gjysmë më parë. Në ngulmimin tim “absurd” se zonja ministreshë e Arsimit do të shkëpuste pak kohë nga koha e saj e çmuar, tani me fillimin e vitit të ri për një përgjigje, “për dy gisht letër”

Për kureshtinë e ndokujt prej lexuesve, duke kërkuar njëherësh ndjesë për bezdinë, ja edhe teksti i email-it në fjalë.

E nderuara Zonja Ministre, Jam Frano Kulli, botues, themelues i Entit Botues “Gjergj Fishta” (Botimet “Fishta”).

Arsyeja për të cilën po ju drejtohem është e lidhur me listën paraprake të hartuar për letërsinë e rekomanduar në shkolla dhe mungesën në atë listë të librave nga vepra e Gjergj Fishtës të Entit Botues “Gjergj Fishta” (bashkëlidhur kopertinat).

Paraprakisht, më lejoni t’ju bëj me dije se: Vepra e plotë e autorit Gjergj Fishta është botuar nga Enti ynë Botues që në vitin 2012. Një botim integral i veprës, përgatitur nga një redaksi e specializuar, e përbërë nga: dr. Tonin Çobani, autor i dhjetë librave studimorë për Fishtën; prof. dr. Emeritus Tefë Topalli, gjuhëtar, njohës i specializuar i gjuhës së autorit; prof. dr. akademik i asoc. Stefan Çapaliku, autor i librit “Fishta satirik”, njohës i thelluar i gjinisë së satirës, që zë vend kryesor në krijimtarinë e Fishtës; prof. dr. Hamit Boriçi, historian i shtypit shqiptar, njohës i publicistikës, një dimension shumë i rëndësishëm ky i veprës së autorit dhe dr. Ndue Zef Toma (i ndjerë), punonjës shkencor në Institutin e Gjuhës dhe të Letërsisë për më se tridhjetë vjet. Shtoj se edhe botuesi, unë që po ju drejtohem me këtë mesazh, së fundi kam botuar “Fjalor i veprës së Fishtës” (bashkëlidhur kopertina). Veçoria e këtij botimi është se e gjithë vepra është e pajisur me një aparat filologjik, me shpjegime të fjalëve të rralla dhe të shprehjeve frazeologjike. Veç kësaj, katër prej veprave, të cilat janë të përfaqësuara edhe në kurrikulat mësimore: “Lahuta e Malcis’”, “Mrizi i Zanave”, “Juda Makabé” dhe “Gomari i Babatasit” (bashkëlidhur kopertinat), janë në tregun e librit edhe si vepra më vete, me të njëjtën strukturë paraqitjeje, pra, të pajisura me shënimet shpjeguese, kaq të nevojshme, sidomos për lexuesit e brezit të ri.

Sipas mendimit tonë, nuk mund të ketë paraqitje më të përshtatshme të veprës së një autori të traditës, poeti kombëtar i shqiptarëve, për t’u rekomanduar në shkollat e sistemit parauniversitar. Por, për habinë tonë, bordi i ngritur nga Ju, Zonja ministre, nuk e ka parë të arsyeshme të rendisë në listën paraprake rekomanduese asgjë nga ky botim. Me shpresë në ndërhyrjen tuaj për të vënë në vend një gabim të vlerësuar si të tillë nga ana jonë, me respekt e nderim…

E megjithatë, nderimet e respektet e mia për zonjën ministre kanë mbetë në ajër. Ndërkohë, që në media kam parë e lexuar se ka filluar pajisja e disa bibliotekave të disa shkollave. Sipas asaj listës, të cilën, në dijet e mia shumica e botuesve nuk e dinë cila është. Besoj se kështu ka ndodhë, se përndryshe s’kish pse t’i kursente “dy gisht letër” (alias një email) zonja ministre.

© Panorama.al

Te lidhura