Të moshuarit, Manastirliu: Do ofrojmë asistencë shtëpiake

Oct 2, 2017 | 14:41
SHPËRNDAJE

Të moshuarit që vuajnë nga problemet shëndetësore apo edhe ata të cilët janë braktisur nga familjarët do të kenë mundësi të përfitojnë asistencë shtëpiake.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha dje se brenda këtij viti do të vendosen piketat për konkretizimin e kësaj nisme, përmes së cilës do të bëhet i mundur ofrimi i shërbimeve minimale në kushte shtëpi.

22089360_357337924722264_8955239437803421927_n

“Ne do të ofrojmë më shumë shërbime komunitare për moshën e tretë, për të parandaluar problemet socialshëndetësore të të moshuarve. Brenda vitit do të miratojmë standardet e asistencës shtëpiake për të moshuarit që vuajnë nga probleme shëndetësore, por edhe izolimi social”, tha ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa shtoi se ka ende shumë për të bërë për shërbimet social-shëndetësore. Ajo premtoi përmirësim të shërbimeve social-shëndetësore dhe kushteve infrastrukturore të këtyre qendrave në të gjithë vendin.

PENSION SOCIAL

Në Ditën Botërore të Moshës së Tretë, Manastirliu dha mesazhin e nxitjes së vullnetarizmit për të zbutur hendekun mes brezave dhe për t’u dhënë më shumë mundësi të moshuarve të dalin nga izolomi social. Manastirliu u ndal dhe në hapat e ndërmarrë më herët nga Qeveria në mbështetje të kësaj kategorie. Për herë të parë, sipas saj, rreth 5 mijë të moshuar mundën të përfshihen në skemën e pensioneve.

Aktualisht ata trajtohen me pension social, pavarësisht se nuk kanë derdhur asnjë vit kontribute. Masa e përfitimit mujor për këta pensionistë shkon rreth 7 mijë lekë në muaj, por deri më tani vetëm gjysma prej tyre kanë përfituar. Për pjesën tjetër, nisma ende nuk është konkretizuar për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit përkatës nga ana e të moshuarve.

KUJDES SHËNDETËSOR

Kur qeveria programoi dhe nisi aplikimin e kontrollit shëndetësor falas, targetoi grupmoshën nga 45 deri në 60 vjeç. Por një vit më parë, ky vendim u rishikua, fasha u zgjerua, duke përfshirë në skemë moshat nga 35 deri në 70 vjeç.

Për shumëkënd kjo u lexua si një hap për të justifikuar kompaninë koncesionare, e cila nuk kishte përmbushur numrin e kontrolleve të planifikuara. Por për ministren Manastirliu, zgjerimi i fashës u bë për t’iu përgjigjur kërkesës së vetë të moshuarve për kujdes shëndetësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura