“Të mos errësojmë vëllazërinë”/Presidenti Erdogan ultimatum Ramës: Largo deri në Ramazan gylenistët nga Shqipëria! “Përplasja” me përfaqësuesin e Komunitetit Mysliman

Jan 18, 2022 | 11:34
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ishte i prerë dje kur i kërkoi Kryeministrit Rama që të largojë sa më shpejt gylenistët nga Shqipëria.

Madje ai i vuri edhe një afat, që lidhet me hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, e cila ka një kohë të gjatë që ka përfunduar dhe nuk po dorëzohet për t’u hapur për publikun. Gjatë ceremonisë së inaugurimit të restaurimit që iu bë Xhamisë së Ethem Beut në qendër të Tiranës, Presidenti Erdogan tha se deri për Ramazan mund të hapet xhamia, duke lënë të kuptohet se çdo gjë varet nga qëndrimi që do të mbajë Kryeministri Rama me ata që ai i quan si vatra e gylenistëve në Shqipëri.

“Nëpërmjet kanalit financues të TIKA-s, nga vitit 1996 e deri më tani janë realizuar 546 vepra konkrete dhe shpresoj, dëshiroj me zemër që tani e tutje të vijojmë t’u qëndrojmë pranë vëllezërve tanë shqiptarë. Uroj dhe dëshiroj që shumë shpejt, inshallah mbase deri në muajin e Ramazanit, ta kemi zgjidhur edhe problemin e xhamisë së Namazgjasë. Duke e ditur se Shqipëria është një aleate, një mike e ngushtë dhe e sinqertë e Turqisë në krahasim e në raport me vendet e Ballkanit, për sa kohë ky bashkëpunim kaq i ngushtë do të vazhdojë mes nesh, nuk ka asnjë lloj problemi, asnjë lloj sikleti që nuk mund ta zgjidhim. Së bashku me mikun tim, me Kryeministrin e Shqipërisë, për sa kohë do të vijojmë kështu krah për krah e me këtë lloj bashkëpunimi kaq të ngushtë, do të keni akoma vepra të tilla që do të realizohen, do të finalizohen e do të vihen në shërbimin tuaj”, tha Erdogan.

Afati është deri në fund të marsit, pasi në 2 prill nis Ramazani për besimtarët myslimanë. Në mesazhin e tij, Presidenti turk ishte shumë i qartë. Xhamia e Namazgjasë në përfundim e sipër nga kompania turke, e cila është financuar nga qeveria turke, duhet t’i dorëzohet Komunitetit Mysliman në Shqipëri, por mesa duket, Presidenti turk aty gjen edhe problematikën.

Domethënës ishte fakti që në ceremoninë e inaugurimit të restaurimit të Xhamisë së Ethem Beut munguan drejtuesit e Komunitetit Mysliman.

GJINISHI

Ish-nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Ermir Gjinishi, pedagog në Universitetin e Tiranës, tha dje se paralajmërimet e Presidentit Erdogan ndaj Kryeministrit Rama për të larguar nga Shqipëria përfaqësuesit e FETOs janë të përsëritura, ndërsa ultimatumi me afat për hapjen e xhamisë së Namazgjasë ishte i qartë se kujt i adresohej.

“Xhamia e Namazgjasë nuk është pronë e dy njerëzve në krye të Komunitetit Mysliman, por u përket të gjithë myslimanëve. Fakti që kreu i Komunitetit Mysliman është një gylenist, kjo penalizon të gjithë myslimanët, sepse e ka kthyer përfundimin dhe dorëzimin e xhamisë së Namazgjasë për të gjithë myslimanët e Shqipërisë pjesë të luftës së Erdoganit me FETO-n dhe Gylenin”, u shpreh Gjinishi për “Panoramën”.

Duke komentuar mesazhet e dhëna dje në Tiranë nga Presidenti turk, sipas Gjinishit ishin të qarta.

“Mesazhet e Presidentit Erdogan ishin të qarta: godisni FETO-n! Por Kryeministri Rama nuk u ka qëndruar asnjëherë premtimeve që i ka bërë Erdoganit, ka qenë i dyzuar, sepse nuk i largon dot gylenistët për shkak si të presionit që bëhet nga BE-ja në respektim të të drejtave të njeriut, por edhe të presionit që vjen nga Xhorxh Sorros, i cili mbështet Gylenin. Edi Rama kërkon ta personalizojë sa më shumë marrëdhënien me Erdoganin, por edhe të përfitojë maksimalisht pa plotësuar asnjë nga premtimet që i bën”, tha Gjinishi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura