Të mbjellësh ndasi dhe urrejtje

Oct 7, 2022 | 7:26
SHPËRNDAJE

leonidhamertiri1LEONIDHA MËRTIRI

Tridhjetë e katër vite më parë, teksa kryeja detyrën e Këshilltarit Politik dhe në mungesë të ambasadorit, atë të të Ngarkuarit me Punë në ambasadën e Shqipërisë në mungesë të ambasadorit, atë të të Ngarkuarit me Punë në ambasadën e Shqipërisë në Beograd, ambasada e Polonisë më kishte ftuar në një pritje me rastin e Festës së saj Kombëtare. Ishte fundprilli dhe pritja jepej në ambientet e kësaj përfaqësie diplomatike. Duke biseduar me homologun tim polak, na u afrua një burrë shtatgjatë, i cili me mirësjellje u afrua të na takonte. Ishin miq me bashkëbiseduesin. Pasi i dhanë dorën njëri-tjetrit, ky i fundit më prezantoi me të. Është Këshilltari i ambasadës së Republikës së Shqipërisë, kurse zotëria, administrator i një firme tregtare serbe që punon me Poloninë, tha ai. I Tiranës?, kërkoi të përforcojë prezantimin i sapoardhuri.

Sigurisht, ia ktheva. Aaa, për ju të Shqipërisë, më ndërpreu menjëherë “i mirësjelluri”, kam respekt, duke lëshuar pas kësaj bombën, ende pa u njohur mirë: Sepse ju ndryshoni nga ata të Kosovës. Në pesë muaj punë në Beograd, hera e parë që përballesha drejtpërdrejt me një qëndrim të tillë. Duke i kërkuar ndjesë mikut polak, por dhe duke u përpjekur, jo pa vështirësi, të jem i qetë, u përpoqa t’i shpjegoj biznesmenit serb se asnjë ndryshim nuk ekziston midis shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri, se jemi i njëjti popull… I njoh mirë, vijoi ai me këmbënguljen e tij, si i lindur në Pejë, ku dhe kishte mësuar të fliste shqip…

E fillova shkrimin me këtë ngjarje, sepse gjatë tërë këtyre viteve ajo nuk më është ndarë. Sidomos kur teoricienë politologë apo varrmihës të vëllazërisë shqiptare dhe tok me ta dhe ndonjë media në Kosovë vazhdojnë të mbajnë në këmbë të njëjtën shkarravinë, sipas së cilës shqiptarët nuk janë një komb, se në Shqipëri ka një komb shqiptar dhe në Kosovë kombi kosovar. Media të ndryshme gjithashtu i bëjnë jehonë tradhtisë së njërit apo tjetrit, shpikjeve të çuditshme me teori të tjera konspirative, duke kërkuar armiqtë imagjinarë, sidomos në anën e Shqipërisë. Inskenime a paranoja të tilla, me qëllime të mbrapshta, për të mbjellë ndasi dhe urrejtje, mund të kenë një efekt të cunguar, por në fund të fundit, ato kurrsesi nuk mund të arrijnë dot të hapin llagëme ndarjeje për t’i larguar vëllezërit dhe motrat e dy vendeve nga njëri tjetri.

Aq më keq, kur, dashur dhe ndoshta, më tepër padashur, drejtues të dy vendeve bien në prehrin e përpjekjeve të kësaj ndarje, në vend që t’i paraprijnë të kundërtës, afrimit, larg urrejtjes. Shembulli më i freskët i këtyre ditëve është ai që lidhet me fjalën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Një fjalim përgjithësisht i vlerësuar. Ç’të keqe kishte ai, teksa për të sajtën herë i bëhej autopsia e duhur raportit të zi të Dick Martyt, se flitej për luftën e drejtë të UÇK-së dhe drejtuesve të shquar të saj, për vlerat e pamohueshme që ajo ngërthen, duke mbetur monument i gjallë dhe i përjetshëm për lirinë e Kosovës, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit? Se drejtësia ndërkombëtare, për fat të keq, duke rënë pre e këtyre raporteve, ka dëshmuar dhe po dëshmon padrejtësi, përderisa vazhdon të ushqehet me to ndaj udhëheqjes së UÇKsë. Në atë seancë të 74-t të OKB-së, Serbisë iu bë thirrje sërish, pa ekuivokë, madje, dhe në mes të Beogradit, të njohë këtë pavarësi, këtë realitet të pakthyeshëm, edhe pse përfaqësuesja e shtetit serb në Asamblenë e Përgjithshme nuk do ta priste mirë këtë kërkesë të natyrshme. Kush më mirë se Shqipëria do të fliste në OKB?

Por ç’ndodhi? Drejtues të Kosovës, të partive politike, me ndonjë përjashtim të rrallë të ndonjërës nga këto të fundit, vazhdojnë sot e kësaj dite të mos bëzajnë. Aq më keq kur çuditshëm, diku janë shfaqur tonet e agresivitetit(!). Askush nuk e mohon faktin që Kosova ka njerëzit, udhëheqjen e vetë. Por dhe Shqipëria është e veta dhe nuk mund të heshtë kur nuk duhet të heshtë, duke e bërë dhe më mirë atë për kombin e saj, përballë padrejtësive që i bëhen atij.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që, pa mbaruar mirë fjala e mësipërme, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes valëve të “Zërit të Amerikës” kërkon t’u forcojë bindjen shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri dhe gjetkë, me akuzën jo të panjohur, se kryeministri i Shqipërisë po ja shpëtoka fytyrën Serbisë. Përse ky përjetim? Për të treguar se kush janë “patriotët e vërtetë?”. Dhe media të ndryshme nxitojnë të shpërndajnë me të njëjtin përjetim këtë “medalje” të stisur, që, fatkeqësisht, jo në mënyrë të rastësishme është në sintoni me atë të kryeministrit Kurti. Mendoj se asgjë nuk i justifikon këto dhe qëndrime të tjera si këto.

Raportet e Kosovës me Shqipërinë nuk mund të futen dhe as të zgjerohen në rrugë të ndara. Nga ana tjetër, mes vëllezërish, koka nuk mund t’i mbahet mënjanë njëri-tjetrit. Sikurse problemet që shfaqen, pavarësisht se te kush, ato nuk mund të nxirren në pazar. Kështu, qarqeve të njohura antishqiptare u rrit më tepër nepsin. Midis vëllezërve nuk përjashtohen problematikat, por një afrim më i madh ndaj tyre, pa “inat shqiptari”, do t’i forconte realisht marrëdhëniet tona, duke u bërë barrikadë ndaj çdo ëndrre për të na ndarë. Sikurse dhe Edi Rama, pavarësisht sa thamë më lart, kishte ç’të bisedonte me Presidenten e Kosovës, për të mos i mëkuar më tej qejfmbetjet apo akoma më keq urrejtjen e njërit a tjetrit.

Askush nuk do të humbiste nga personaliteti i vetë. Përkundrazi. Qeveria shqiptare në veçanti dhe kryeministri Edi Rama kanë për çfarë të reflektojnë. Kanë kaluar mbi tetë vjet e gjysmë nga takimi i fillimit të bashkëpunimit ndërqeveritar midis dy vendeve dhe siç përmendet, janë nënshkruar 130 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Ka prej tyre që janë të përsëritura, krijesa për një farë show, fiktive, përderisa në këto vite qeverisje ato janë zvarritur. Një qasje më e madhe, e gjithanshme nga ana e qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit të saj, sikurse shpresohet se po ndihet kohët e fundit, do të shmangte ndërkohë çdo keqkuptim dhe do t’i mbyllte derën çdo tentative, ngado që të vinte, për të krijuar ndasi mes nesh, në marrëdhëniet tona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura