Të maksimizojmë përfitimet e ekonomisë nga projekti TAP

Apr 19, 2016 | 12:15
SHPËRNDAJE

zef-preciZEF PREÇI

Ishte një lajm i gëzueshëm mbërritja ditën e djeshme e tubave dhe infrastrukturës tjetër mbështetëse për projektin e transmetimit të gazit të njohur si Projekti i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP). Siç dihet, ky investim i rëndësishëm energjitik prej rreth 40 miliardë Dollarësh amerikanë, që fillon në Kaspik dhe arrin në tregun Europiano-Perëndimor përmes vendit tonë e arrin pikën fundore e Itali, ka qenë iniciuar gati një dekadë më parë dhe në vendin tonë është legjitimuar përmes një vendimi të qeverisë të datës 18 dhjetor 2013.

Pavarësisht rëndësisë ndërkombëtare apo rajonale të këtij investimi ndërkombëtar, për opinionin publik është shumë e rëndësishme të kuptohet se cilat janë përfitimet reale të ekonomisë sonë në nivel europian, si dhe në nivelin e ekonomive kombëtare. Në nivel europian këto përfitime kanë të bëjnë me sa vijon: – Diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji në ekonominë europiane.

– Rritjen e konkurrencës në tregun europian të gazit.

– Për shkak se është një investim tërësisht privat, Bashkimi Europian ka vendosur në fillim të muajit që shkoi t’i ofrojë projektit TAP një regjim fiskal specifik, në vartësi të dinamikës së rritjes ose të uljes së nivelit të taksave.

– Po kështu, BE ka ndërtuar një mekanizëm korrigjues që kufizon maksimumin e përfitimeve për TAP, duke mbikëqyrur kështu deformimet që mund të lindin në konkurrencën e furnizimit me gaz të ekonomive të vendeve europiane.

– Ndërsa, kur bëhet fjalë për vendet e veçanta, përfitimet konsistojnë në këto elemente kryesore:

– Rritjen e rolit të gazit natyror në tregun e energjisë. Europa Perëndimore pritet të çojë nga 24% (2011) në 30% përdorimin e gazit si burim energjitik deri në vitin 2030.

– Një mundësi për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik në dimensionin rajonal të këtij zhvillimi. Në këtë kuptim, edhe rajoni ynë do të ndërveprojë më mirë dhe më intensivisht në ekonomitë e vendeve të BE-së.

– Krijimi i vendeve të reja të punës, investimi në përmirësimin e jetës së komuniteteve të ndikuara nga ky investim. Për shembull, Greqia parashikon të përfitojë rreth 5 mijë vende pune gjatë procesit të ndërtimit të TAP dhe rreth 35 miliardë Euro gjatë 50 viteve të ardhshme gjatë shfrytëzimit të këtij rrjeti.

Ky përfitim, në mënyrë të detajuar, vlerësohet si një kontribut në GDP e Greqisë me rreth 17 milionë Euro, si kontribut në punësim në rreth 4.7 milionë Euro, si dhe në tatim-taksa në rreth 6.8 milionë Euro në vit. (http://www.hazar.org/blogdetail/blog/what_ could_ trans_adriatic_ pipeline offer to greece economic and strategic benefits_922.aspx) PO PËRFITIMET E EKONOMISË SHQIPTARE CILAT JANË?

Burime të ndryshme studimore ofrojnë të dhëna kontradiktore mbi përfitimet e pritshme të ekonomisë shqiptare nga ndërtimi i TAP. Kështu, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Energjisë raportonin për median e huaj një vit më parë se pritet të injektohen në ekonominë shqiptare rreth 500 milionë Euro në formën e investimit, si dhe të hapen rreth 2 mijë vende të reja pune, se ka filluar hartimi i master planit për zhvillimin e tregut të gazit etj. (http:// www.naturalgaseurope.com/ilir-bejtja-albanian-economy-and-tap-59467)

Sipas planit të ndërtimit të këtij tubacioni, është parashikuar të ndërtohen rreth 217 kilometra në territorin shqiptar dhe rreth 60 kilometra nën ujë. Po kështu, një stacion pompimi do të ndërtohet në Fier dhe një tjetër afër Bilishtit, si dhe 9 stacione me blloqe të valvulave përgjatë linjës. Në zonat malore nga kalon tubacioni do të ndërtohen rreth 58 kilometra rrugë të reja lidhëse, si dhe do të rikonstruktohen rreth 44 kilometra rrugë ekzistuese; do të përforcohen 50 ura, ndërsa 2 të tjera do të ndërtohen të reja.

Sipas një burimi tjetër, ekonomia shqiptare parashikohet të përfitojë gjatë fazës së ndërtimit rreth 39 milionë Euro në vit si kontribut në GDP, duke krijuar 4400 vende të reja pune, dhe gjatë katër viteve të ndërtimit rreth 110 milionë Euro, ndërsa kur të jetë vënë në punë (2019), do të angazhohen rreth 190 veta me kohë të plotë pune dhe 260 të tjerë me kohë të pjesshme. (http://www.oxfordeconomics.com/Media/Default/economic-impact/economicimpact-home/Economic-Impact-transAdriatic-Pipeline.pdf)

Pavarësisht kësaj, studimet e ndryshme provojnë se përfitimet kryesore të vendeve të veçanta, duke përfshirë edhe vendin tonë, janë kryesisht në periudhën e ndërtimit të tubacionit të transmetimit të gazit. Në vlerësimin tim, ajo që mbetet ende e paqartë, dhe që mendoj se duhet të jetë në fokusin e bisedimeve qeveritare dhe të mbështetjes së qeverisë për projektin, është sigurimi jo vetëm i një nyje lidhëse për përdorimin e gazit brenda vendit për qëllime të prodhimit të energjisë elektrike dhe në biznese e për përdorim familjar (ngrohje dhe gatim), por edhe negocimi i një tarife transmetimi për shkak të kalimit të linjës së transmetimit përmes territorit tonë.

Një burim i besueshëm informacioni, siç është projekti i Industrive Ekstaktive, pohon se marrëveshja e qeverisë shqiptare me TAP e prillit 2013, e miratuar me ligjin 116/2013, nuk parashikon një tarifë (fee) tranzitimi përmes territorit shqiptar. ((http://www.albeiti.org/extractive-industries/trans-adriatic-pipeline-tapproject/)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura