Të lumtur!

Jun 24, 2018 | 12:15
SHPËRNDAJE

edmond-tupjaEDMOND TUPJA

Po – dhe për këtë jam katërçipërisht i bindur – ne, shqiptarët e sotëm të të gjitha moshave, gjinive, feve e botëkuptimeve, pavarësisht profesioneve që ushtrojmë, krahinave ku jetojmë, brenda apo jashtë kufijve të tejdukshëm e të ndërkalueshëm të atdheut tonë kapitalist, jemi përfundimisht e pashërueshmërisht të lumtur! Përse kështu? Sepse, thjesht fare, sheshi “Skënderbe” sapo ka fituar çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar për hapësirën publike urbane në Europë të  organizuar në Barcelonë të Spanjës!

E pabesueshme, e mrekullueshme, fantastike! Përballë 280 projekteve të paraqitura nga 32 shtete, sheshi “Skënderbe” sfidoi njëzet e katër finalistë dhe u ngrit si yll i pashuar me tërë shkëlqimin verbues dhe krejt madhështinë e vet të paarritshme! Madje, me sa u duk nga jehona që i bënë kësaj ngjarjeje të shënuar të tipit “event” mediat tona elektronike, propaganda qeveritare qe e tillë saqë u pa sheshit se Sheshit, në përsheshin mediatik, gati iu harrua emri, sepse zoti Kryebashkiak e shndërroi vetveten pothuajse në hero kombëtar, sidomos kur e cilësoi projektin transformues të qendrës së Tiranës si “xhevahir të gjithë kombit shqiptar”.

O Zot, çfarë modestie! Zoti Veliaj u shpreh kështu në emër të kombit, pra, të shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të arbëreshëve të Italisë, të arvanitasve të Greqisë, të Diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo gjetiu në botë, mbase ndër mend ka pasur edhe diasporën shqiptare të së ardhmes diku në ndonjë ekzoplanet apo planet të një tjetër sistemi diellor të galaktikës sonë apo të ndonjë tjetër galaktike!

Mirëpo, zoti Kryeministër nuk mund të mbetej prapa kanakarit të tij Veliaj, prandaj nxitoi të përdorte edhe ai, me rastin e çmimit në fjalë, disa terma me kumbim kombëtar si, për shembull, kur tha apo shkroi se marrja e çmimit të parë nga sheshi “Skënderbe” u bë realitet falë “Programit Kombëtar të Rilindjes Urbane të Partisë Socialiste”! Madje, fjalët e tij se sheshi “Skënderbe” “triumfon në çmimin europian të hapësirës publike në Barcelonë”, patën gati një kumbim napoleonian, sepse dashur, pa dashur, mund t’u kujtojnë shqiptarëve pushtimi e Spanjës së dikurshme nga Napoleoni!

Pra, nëse dikush u mundua ta krahasonte para ca kohësh kryebashkiakun Veliaj me Haussmannin, prefektin e Parisit për 17 vjet rresht, i cili, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, ia ndryshoi rrënjësisht faqen kryeqytetin francez, por pati një fund të turpshëm sepse u ngatërrua në disa operacione bankare të dyshimta për punë kredish, nuk përjashtohet mundësia që dikush tjetër ta krahasojë Kryeministrin Rama me Napoleonin, veçse jo me Napoleonin I, që ishte shtatshkurtër e lavdiplotë, por me të nipin, Napoleonin III, që ishte shtatlartë e bashkëkohës i Haussmannit, të cilin Viktor Hygoi e stigmatizon fuqishëm në pamfletin e tij “Napoleoni i Vogël”.

Mirëpo, nga ana tjetër, Karl Marksi, te libri “18 brymeri i Lui Bonapartit”, debaton me Viktor Hygoin, duke e analizuar figurën e Napoleonit III nga një këndvështrim ndryshe. Këta dy libra janë fort interesantë dhe leximin e tyre do t’ua rekomandoja tërë atyre që kanë dëshirë ta njohin e ta kuptojnë më mirë ndikimin që kanë ose mund të kenë, në vende e epoka të ndryshme, politika dhe veçanërisht korifenjtë e saj, çka me siguri është e vlefshme edhe për zotin Kryeministër dhe, në një masë deri diku më modeste, për zotin Kryebashkiak në kuadrin e realitetit shqiptar.

Gjithsesi, nëse për një arsye çfarëdo ata nuk kanë kohë, atëherë le të lundrojnë në internet e të informohen. Nga ana tjetër, kur zoti Kryeministër thotë apo shkruan se, “Sheshi Skënderbe do t’u mbetet brezave si simbol i vizionit dhe i dashurisë sonë për Tiranën”, shpresoj se lexueset e lexuesit e rubrikës sime të përjavshme nuk do të më pengojnë që t’i drejtohem atij, pra, zotit Kryeministër, me këtë lutje: “Bindeni zoti Kryebashkiak, kanakarin tuaj, që të hapë sa më shumë sheshe të ngjashme me sheshin ‘Skënderbe’, të ngrejë në qendër të secilit prej atyre nga një kullë betoni të përbindshme, mundësisht me mbi njëqind kate secila, të konceptuara në forma të ndryshme – pse jo, edhe falike – në mënyrë që atdheu ynë i shtrenjtë të orgazmohet e të lumturohet në qiellin e shtatëdhjetë e shtatë, duke marrë shumë e më shumë çmime që do t’ju bëjnë ju dhe atë të pavdekshëm në mendjet e në zemrat e shqiptarëve, madje më tepër se vetë Skënderbeu me gjithë kalë në sheshin e tij tash e tutje gungaç”.

Sidoqoftë, siç e bëra të ditur në krye të këtij shkrimi, ne të gjithë jemi lumturisht të lumtur, pa më të voglin përjashtim, qofshim të reja e të rinj me shkollë të lartë e njëkohësisht të papunë, pensionistë rripshtrënguar, jetimë të tjetërsuar, handikapatë fizikë e mendorë etj. etj., madje diçka më thotë se edhe fëmijët që presin të lindin, nga lumturia e papërshkrueshme që ndiejnë, janë gati të dalin nga barku i nënës jo më shtatanikë, por edhe më të parakohshëm, veçse gjithmonë të gatshëm për ta dhënë jetën për një qëllim: Të ndërtohen te ne sa më shumë sheshe e kulla mundësisht të paktën njëmijëkatëshe në mënyrë që të fitojmë çmime si ai i Barcelonës edhe në Madrid, Lisbonë, Paris, Romë, Berlin, Moskë, Pekin, Tokio, Uashington e kudo gjetiu, madje edhe përtej rruzullit tonë, në galaktika të tjera ende të pazbuluara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura