“Të lirë” në ish-vilën e diktatorit/ Akademikja Lea Ypi sjell në shqip librin me kujtimet nga fëmijëria: Ëndërroja të takoja xhaxhin Enver, do më kishte varur për kritikat e mia

Nov 20, 2021 | 14:57
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ “Partia na mbronte nga llahtaritë që kaplonin vende të tjera, aty ku fëmijët vdisnin nga uria, ku ngrinin në gjumë prej acarit dhe shfrytëzoheshin si skllevër nga kapitalizmi.

Screenshot-2021-11-18-194640

Sa i lartë ishte nderi ynë që i përkisnim një shoqërie të drejtë, aq e madhe duhet të ishte edhe mirënjohja ndaj partisë sonë të dashur. “E shihni këtë?”, tha mësuese Nora duke ngritur dorën e djathtë me vështrim krenar. “Kjo dorë do të mbetet e pamposhtur. Kjo dorë ka shtrënguar dorën e shokut Enver. Nuk m’u bë ta laja atë natë pas Kongresit. Ashtu e lashë për ditë të tëra. Por ama forca më mbeti këtu edhe pasi e lava. Kjo forcë nuk do të më braktisë kurrë. Fryma ime do të jetë fryma e Partisë. Deri ditën kur të jap shpirt”.

Unë kam qenë pak a shumë në të njëjtën moshë me Lea Ypin kur nisën ndryshimet e mëdha politike, ndaj kur lexova librin e saj “Të lirë”, m’u duk sikur po lexoja një ditar të harruar diku.

Gjithçka ishte aty, me shkrimin e rrumbullakosur të një fëmije, që po shkelte drejt adoleshencës, me germat e ngjeshura nga shumësia e mendimeve që vërshonin në kokën e mbushur me klishe të gatshme, kryetitujsh në edicionet e mbrëmjes, emisionit “Ngjarje dhe data” apo lajmesh të kopjuara me nxitim të së martës së informacionit.

Screenshot-2021-11-18-203017

Për ne që kemi jetuar në këtë kapërcyell historish, madje kemi qenë pikërisht në moshën e Leas, “Të lirë” është si të lexosh vetveten, të kthehesh pas në kohë, në atë mizerjen që të kishin mësuar ta shihje si më të bukurën në botë, sepse nuk kishe parë asgjë tjetër përveç hatave nga Bota e tretë, që jepnin kronikat e lajmeve nga bota.

Aq më tepër nëse vjen nga një familje e persekutuar, bashkohesh në moskuptimin e fëmijës që e sheh që është ndryshe nga të tjerët, por nuk e di arsyen. Dhe ajo është stërmbesa e Xhaferr Ypit, ish-ministrit të Drejtësisë në kohën e pushtimit fashist, fakt i fshehur nga familjarët për t’u “mbrojtur”.

Për këdo që ka lindur pas ‘90-ës është një habi e madhe, që sado të mund ta kesh dëgjuar nga prindërit, mbetet sërish një çarje në kohë, e pakonceptueshme. Romani “Të lirë-Të rritesh në fund të historisë” i autores dhe akademikes shqiptare Lea Ypi, profesore e Teorisë Politike në London School of Economics, i botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe, si një përkthim apo më saktë një rishkrim nga vetë autorja, u promovua mbrëmë bash në vendin nga zë fill ky libër (jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në thelb është pikërisht kështu), në Vilën 31, në ish-shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha.

Njerëz të letrave, politikanë, gazetarë, kishin ardhur në këtë ceremoni, që përbënte edhe një nga promovimet më të rëndësishme të këtij sezoni librash. Për botuesen Arlinda Dudaj, ky ishte pikërisht libri që kishte dashur të botonte në këto 20 vite në aktivitetin botues dhe e thënë mes miqsh, ishte e gatshme të vinte bast që libri do të pëlqehej nga të gjithë, pa dallim.

Kur e pyetën se përse kishte zgjedhur ish-shtëpinë e Enver Hoxhës, autorja u përgjigj: “Kur isha fëmijë, unë e kuptova që isha fëmijë ndryshe, sepse nuk kisha asnjë fotografi të xhaxhit Enver, ndërsa unë doja të kisha fotografi të tijën, doja ta takoja xhaxhin Enver, doja të shkoja në shtëpinë e xhaxhit Enver dhe unë sot jam në shtëpinë e xhaxhit Enver, i cili nuk është në këtë shtëpi.

Screenshot-2021-11-18-194818-768x442

Këtu ka mbetur vetëm fantazma e tij. Për të gjithë ata që kanë lexuar ‘Ferrin’ e Dantes, njerëzve u jepet dënimi si pas të këqijave që kanë bërë në jetë. Dhe besoj që dënimi për Enver Hoxhën është që një pasardhëse e një familjeje të persekutuar të flasë për të majtën në shtëpinë e tij. Dhe jam e bindur që me mendimet e mia dhe kritikat e mia do isha varur prej tij. Nuk do kisha arritur që të mbijetoja në diktaturën komuniste”.

“Të lirë” është një vepër, që ashtu siç thotë vetë autorja, lëkundet mes romanit autobiografik dhe esesë filozofike; vetërrëfimi i një vajze të vogël që u rrit në një periudhë tranzicioni, duke përjetuar të gjitha oscilacionet në politikën dhe shoqërinë shqiptare, që po dilte nga një izolim i thellë në një shoqëri të hapur, që dukej sikur nuk dinte se çfarë të bënte me lirinë e vet, pasi koncepti që kishte për lirinë ishte i “dyshimtë”.

“Nuk e kisha menduar ndonjëherë lirinë. Nuk ishte e nevojshme. Ne kishim liri sa të donim”, thotë Lea 11-vjeçare. Vendin e fëmijës e zë adoleshentja me pikëpyetjet e mëdha ekzistencialiste të moshës, përzierë me ankthin e një tjetër kohe të marrë, të ‘96-’97-ës, fiksuar në copëza ditare, tipike e moshës së sekreteve dhe nevojës për t’u hapur. “3:30 pasdite Kallashnikovët janë bërë si fishekzjarrët e Vitit të Ri, dëgjohen krisma pa pushim. Natë ditë. Kujt ia merrte mendja? Kjo gjendja e jashtëzakonshme sikur po e përkeqëson situatën. Thuhet se do të vijnë trupat e NATO-s. Kam frikë se situata do të dalë krejt jashtë kontrollit, do të ketë gjakderdhje masive. Si në Bosnje. Prite kur të ndodhë”.

Deri në largimin përtej Adriatikut, duke marrë me vete vendin, këtë Itakë, ku ajo do të kthehej sërish. Libri është shkruar me një stil të zhdërvjellët, me një gjuhë të pasur, me një tis të pashmangshëm humori në përshkrimin e situatave absurde që krijoheshin nga varfëria, mungesa e informacionit apo edhe fshehjes së të vërtetës, kur vinte puna te të rriturit.

Kujtesa e saj prej fëmije është nxitja për të folur për një sistem të dështuar, jo thjesht për të shkuarën, por më së shumti për të ardhmen. Ku e ku flet Lea fëmijë e ku e ku Lea e rritur. Misteri i padijes së fëmijës ka rënë dhe i përgjigjet zbulesa e një të rriture tashmë.

Por për lexuesin ky është një reflektim në një kohë të dytë pasi e ke lexuar librin, pasi leximi të rrëmben dhe lidhja me këtë libër bëhet shumë shpirtërore, shumë personale. Siç thotë publicisti Piro Misha, një gjë është e sigurt: talenti letrar i Lea Ypit, për të cilën do dëgjojmë edhe më vonë, me të tjera vepra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura