Të lidhim qytetin me fshatin, historia e studentëve nga Tirana në Vakumona

Nov 29, 2020 | 18:58
SHPËRNDAJE

Kishim mbaruar vitin e fundit në shkollën e mesme profesionale Politeknikumi”7 Nëntori” në Tiranë. Më kujtohet se asokohe kishim drejtor zotërinë Gjergji Canco, një mesoburrë inteligjent. Ishte drejtues i rreptë dhe njëkohësisht mjaft i drejtë. Të ishe nxënës në këtë shkollë përfitoje një përvojë mjaft të mirë profesionale dhe aftësi praktike.

dosier

Për t’u theksuar edhe një herë do të thoja se ishte një përvojë goxha e mirë dhe një përgatitje për hapa të mëtejshëm në shkollën e lartë, në Universitetin e Tiranës. Nga përvoja dhe përgatitja profesionale në shkollën e mesme e ndienim veten më mirë se studentët e ardhur nga gjimnazi. Universiteti i Tiranës i Inxhinierisë Mekanike kishte në katet e poshtme një ofiçinë mjaft të mirë ku përgatiteshim për profesionin tonë. Ishte pra i vetmi vend ku vinim në zbatim njohuritë teorike …

Vjeshta na erdhi me lajme të reja në vitin e tretë të shkollës së lartë. Ishte shtatori i vitit 1966. Pothuajse gjysma e vitit të kaluar ishte përqëndruar që të konceptonim, të zbatonim njohuritë tona në praktikë. Në të gjithë vendin trumbetohej me të madhe kolektivizimi i ekonomisë private. Edhe praktika jonë këtë synonte. Ndonëse mjetet e përgatitura nga ana jonë për një kovaçanë fshati ishin shumë modeste, gjithsesi çonin ujin në mullinjtë e porositë e dhëna nga partia për atë kohë.  Kjo do të arrihej, sipas udhëzimeve të Drejtorisë së Universitetit të Tiranës, duke zbatuar njëkohësisht dhe lidhjen e qytetit me fshatin, duke çuar në vend porositë e dhëna edhe nga Ministria e Arsimit. Puna kishte nisur me kohë në grupin pedagogjik të Universitetit tonë. Ishin ndarë grupet e punës dhe njëkohësisht edhe fshatrat ku ne do të bënin zbatimin e njohurive të mësuara në shkollë. Si djalë tiranas nuk kisha shkuar ndonjëherë në fshat dhe aq më tepër nuk e merrja dot me mend se ku binte ky fshat i Tiranës. Kështu shorti më ra me shokun tim, Angjelin Shtjefnin. Po si u prit dhe a u përtyp kjo gjë, do të thoni ju, në shtëpinë time? Nëna ime e priti hundë e buzë, me një fjalë u mërzit shumë, sepse isha rritur me një përkujdesje të jashtzakonshme në familje dhe që gjithashtu e ndihmoja nënën për probleme të ndryshme, pasi im atë kishte ndërruar jetë kur kisha mbaruar shkollën 7- vjeçare. Gjyshja, që ishte e lidhur fort me mua, u palos nga tensioni, por e mori përsëri veten duke ia mbushur mendjen se do të shkonim i gjithë kursi.., se nuk duhej të ndahesha nga të tjerët…e nga fjalë e fjalë të tjera pa mbarim që i parashtroja unë.

More, Shyqri Gurabardhi po sa ditë do të rrini? – më pyeti motra e madhe.

Besoj se pak ditë, – i thashë unë shkurt, sepse më dukej çdo pyetje sikur më bezdiste në gjithë atë turbullirë që më ishte krijuar në kokë…..

U vendos gjithçka brenda një kohe pothuajse fare të shkurtër…..  Do të merrja me vete valixhen e kartonit, se të tilla ishin në atë kohë dhe gjëra të tjera të vogla. Ushqimet nga më të zakonshmet: byftekë, byrekë dhe gurabie i kishte bërë gjyshja ime për merak. Ajo me thënë të drejtën mbahej nga gjellëbërëset më të mira të rrugicës sonë të vjetër, “Him Kolli”. Sa për rrobat, i kishte ujdisur fare mirë ime më, sepse nuk linte gjë pa kaluar në hekur, siç bëjnë rëndomtë rrobaqepësit në punën e tyre.

Ja erdhi dhe dita e hënë. 15 Shtator 1966. Në orën 07:00 të mëngjesit do të niseshim pa as më të voglin paragjykim nga sheshi i Universitetit të Tiranës, sot sheshi “Nënë Tereza”. Profesor Tahir Haxhiymeri na përcolli duke na përshëndetur në këtë ceremoni. Si ne kishte edhe grupe të tjerë…Na priste makina, një gaz shtatë vendësh para universitetit. Shoferi as që e kishte mendjen se çfarë bluanim ne në kokë dhe na tha të futeshim shpejt në makinë, sepse kishte dhe rrugë të tjera për të bërë pas rrugës me ne. Ngarkuam pajisjet e farkëtarit: forxhën, kudhrën, gërshërët, mashat, çekanët, varretë …..etj. Me sytë zjarr dhe gjysmë të mbyllur dhe mendjen akoma në çastet e ndarjes me të afërmit tanë , Tiranën e lamë pas vetes sonë si pa kuptuar. Më pas rruga vijonte nëpër fshatra me rrugët plot kthesa me shtigje plot pemë të larta e gjethe të rëna, tqë na vinin pas makinës. Shumë pak njerëz kalonin përballë nesh kush me ndonjë lopatë në krahë e kush duke tërhequr ndonjë kalë, gomar apo ndonjë dhi të ngordhur…

Secili shikonte punën e tij, të vegjëlit ndiqnin ndonjë të rritur ose ecnin duke tërhequr këmbët zvarrë pas tij. Fëmija trazonte ferrat me shkop ose fshinte me parakrah hundët që i vareshin mbi buzën e sipërme…

Ne nuk dinim çfarë të bënim, por mbyllnim gojën dhe vijonim rrugën duke parë me nënkuptim njeri- tjetrin. Papritur dhe pa marrë frymë drejtuesi i makinës tërhoqi frenat. Ne u përkulëm njëherë përpara e më pas u shkundëm mirë në sediljet e makinës dhe ai na tha:

Çuna mbërritët! Merrni shpejt gjërat tuaja dhe prisni këtu se vijnë t’ju marrin këta të fshatit!

Mbërritëm! – thamë ne të habitur me një gojë.

Po kush do të vijë?- pyeta unë me zë të pakët.

Ja ata të fshatit, se e dinë vetë ata.- tha shoferi dhe mbylli derën e makinës pasi i nxorëm sendet tona në gjysmën e pjesës së prapme të makinës.

Vetë shoferi nxori kudhrën, gërshërët, çekanin, sepse ato ishin më të rëndat, i la në tokë dhe sa hap e mbyll sytë avulloi me makinën e tij. Shoferi u zhduk kështu në një kthesë duke na lënë pas një re të lehtë gjethesh që fluturuan duke ndjekur pas makinën. Neve mbetëm me një shije disi të hidhur…Qëndruam të dy të vetmuar në një vend të pashkelur më parë, por edhe të panjohur …

Kështu si të shushatur pamë njëri- tjetrin në sy dhe u ulëm mbi një gur  të latuar përballë nesh.

Po tani si do të na shkojnë punët? – tha Angjelini.

Të presim se besoj nuk do të vonohen, – i thashë unë.

Këta duhet të jenë lajmëruar më parë nga drejtoria e universitetit – tha Angjelini.

Me siguri që duhet të jenë lajmëruar, se po na zuri nata këtu do flemë me ujkun…. – qesha unë.

Rreth e qark shikoje vetëm drurë të lartë, gjineshtra, mare dhe shkurre. Nuk pipëtinte asnjë farë gjëje midis tyre. Lëvizja më e vogël e ndonjë dege nëpër shkurre, apo fluturimi i një zogu nëpër pemë na bënte të kthenim menjëherë kokën me gojën gjysmë të hapur…Sa më shumë kalonte koha, aq më nervozë bëheshim…. Në heshtjen gjithë panik që pasoi në ato çaste u dëgjua klithma e një kafshe të egër… që mesa dukej ishte larg, por zëri na erdhi fare pranë nesh…Pamë njëri – tjetrin të frikësuar…Si për ta mëkëmbur më shumë këtë ndjenjë, një vetëtimë e fortë kërciti në qiell dhe më pas një tjetër edhe më e fortë. Qielli u nxi dhe shpërtheu një shi i dendur për më pak se dy minuta. Si për çudinë tonë shiu vijoi me pikëla të mëdha e më pas pushoi si për të na thënë se edhe unë jam këtu në fshat…. Toka e etur i thithi menjëherë ato pikëla dhe më pas u tha sa hap e mbyll sytë. Aty ku dendësia e gjetheve ishte e madhe shiu nuk depërtoi për të lënë gjurmët e tij.

Ne nuk e njihnim fshatin se ku fillonte e ku mbaronte ai. Nuk i njihnim jo vetëm kufinjtë që ndanin një fshat nga një tjetër dhe as që e dinim në ishim në qendër të fshatit, në jug a në perëndim në raport me zyrat kryesore, shtëpitë, shkollën, dyqanet…e të tjera ndërtesa që mund të kishte….

Nuk i njihnim as njerëzit dhe aq më tepër se me kë duhej të bisedonim tashmë që kishim ndaluar në mes të katër rrugëve….

Por, ja pra, pas më shumë se 45 minutave u dukën tre burra në rrugë. Ishin të  lerosur nga pluhuri që mesa dukej vinin direkt nga punët në bujqësi me tokën…Më i gjati, kryetari i kooperativës, doli më përpara dy të tjerëve dhe na zgjati dorën i pari. Pas tyre erdhën dhe burrat e tjerë dhe u përshëndetëm me dashamirësi, sikur ata të na njihnin prej shumë e shumë vitesh.

Njeri prej tyre, ai që ishte më i shëndetshmi, më i forti, mori kudhrën dhe e vuri në kurriz duke e lidhur me një litar të trashë, ndërsa pjesët e tjera si: gërshërët, çekanin, rrafshuesin…….i vendosi para gjoksit dhe vijoi udhën me shumë qetësi. I ngjante një herkuli të vërtetë. Nuk e di,  por ato mund të peshonin rreth 100 kg a më shumë…..Si ishte e mundur që një njeri i vetëm të ecte në një rrugë me ngjitje e zbritje, në një rrugë jo të sheshtë me aq shumë ngarkesë e duke e mbajtur trupin drejt fare?

Në fshat u sistemuam në shtëpinë e kryetarit të kooperativës, sepse me sa dukej ajo mbahej si shtëpia më e mirë. Ishte një shtëpi e lartë  2- katëshe e gjitha e ndërtuar prej guri. Çatia ishte shumë e pjerrët gjë që tregonte se në këtë zonë bënte dimër me temperatura mjaft të ulëta dhe që shoqërohej me borë. Dritaret i kishte të vogla dhe kornizën në derën hyrëse e kishte me gur të gdhendur. Në të ishte data e ndërtimit 1920 nga njëra anë dhe në anën tjetër ishte gdhendur një shqiponjë dhe një vazo dekorative.

Në kurriz të shtëpisë qëndronte një mal i lartë në të cilin qëndronte disi pezull një copë shkëmbi që dukej sikur do të binte mbi ne nga çasti në çast. Kjo gjë na shtonte edhe më shumë frikën, sepse nuk kishim parë ndonjëherë një copë shkëmbi pothuajse në ajër. Ata të shtëpisë ishin mësuar me këtë gjë dhe nuk u bënte fare përshtypje duke anashkaluar kështu habinë e shprehur në fytyrat tona.

Hymë brenda të ndjekur nga një turrë fëmijësh që na ishin ngjitur prapa rrugës kur po ecnim me kryetarin dhe të tjerët. Ishte rutinë nga fëmijët ndjekja e njerëzve të rinj që hynin në fshat…

Kryetari na tha: – Rehatohuni si në dhomën tuaj dhe më pas zbrisni për të ngrënë diçka për darkë.

Mirë! –  thamë unë dhe Angjelini me një gojë.

Ashtu bëmë. E ndienim lodhjen, edhe pse rruga në këmbë nuk ishte shumë e gjatë, por edhe sepse ishim mësuar me orare të tjera studimi, me një shëtitje të vogël pasditeve në bulevardin e Tiranës…Na kaploi një sy gjumë dhe kur u ngritëm pamë nga dritarja e vogël e dhomës se kishte nisur të errësohej. Çfarë të bënim? Na kishte marrë  uria vërtet. Hapëm valixhet. Iu sulëm byftekëve që kishte vënë gjyshja në çantën e shpinës. Pasi hëngrëm mirë e mirë kaluam në dhomën e ndenjes.

Që poshtë vinte një erë e rëndë bagëtie. Më pas dëgjuam dhe disa pëllitje të lopëve që e përforcuan këtë gjë më së miri.

Çfarë prapambetje e madhe! Jo vetëm mungesa në mjekësi…që nuk kujdesej për shëndetin e njerëzve, të cilët flinin mbi bagëtitë, por edhe për kooperativat bujqësore malore që mendohej të bëhej kooperativë edhe ajo që kish mbetur private…..i kalonte të gjitha gjasat e një mirëqenieje që trumbetohej në ato vite….. Në fillim pamë njëri- tjetrin në sy se mos kishim gabuar dhomë, por kryetari na tha, se shtëpitë ndërtoheshin në fshat në këtë mënyrë: kati i parë për bagëtitë dhe i dyti për njerëzit.

Po përse i ndërtoni kështu shoku kryetar? – e pyeti Angjelini.

Dëgjoni more djema, – vijoi kryetari. I ndërtojmë kështu, sepse në dimër ujqërit janë të uritur dhe binë në vathët e bagëtive e bëjnë kërdinë. Ne kur i kemi poshtë vetes i ndiejmë natën dhe ndezim urët e drurëve dhe i largojmë…

Po tani a vijnë ujqërit, – pyeta unë si për t’i dhënë një shtysë bisedës sonë.

Vijnë posi, po të jenë të uritur, ose po të bjerë mjegull, siç i thonë asaj fjalës së urtë” Ujku mjegull do.”Vijnë, vijnë e të bëjnë hatanë të mallkuarit”- tha ai.

Kryetari na njohu dhe me fëmijët e tij të vegjël,  me gruan e tij, me prindërit, sepse të gjithë jetonin nën të njëjtën çati.

A mund të na thoni shoku kryetar pse fshati juaj e ka emrin Vakumonë?- e pyeta unë.

Ky fshat prej shumë e shumë kohësh ka qenë dhe vazhdon të jetë fshat i besimit kristian. Tani mendoj që askush nuk beson në Zot, sepse e bëjnë dhe në shkollë që feja është opium për popullin… Pleqtë e kryetarit u përtypën pak, panë njëri-tjetrin në sy për ato që nxori nga goja i biri dhe ulën kokat për të mos u pajtuar mbase me ato që thoshte i biri…Për disa minuta askush nuk pipëtiu duke i lënë fjalët ashtu pezull në ajër….

Po ja të vijmë dhe njëherë te historia e fshatit,- theu heshtjen kryetari disi i zënë ngushtë nga situata që u krijua pak çaste  më parë…Këtu ka pasur një numër jashtzakonisht të madh kishash. Kur vinte koha e Krishtlindjeve, Pashkëve, të djelave, apo kur vdiste a lindte dikush lajmërohej i gjithë fshati me këmbanat. Ato kumbonin sipas riteve të caktuara dhe njerëzit lajmëroheshin e mblidheshin të kryenin ritet e duhura….Të gjitha këto këmbana varg dhe që kumbonin fort i dhanë emrin fshatit Varg kumonash që më vonë u quajt për shkurt Vakumonë.

Shumë interesante qenka! Ja që e mësuam dhe një gjë të re për këtë fshat,- tha Angjelini.

Qenka një histori mjaft e dobishme e që duhet mbajtur mend gjatë! – thashë unë i kënaqur nga kjo e vërtetë mbi etimologjinë e emrit të këtij fshati malor.

Ata na pyetën gjithashtu se ku i kishim familjarët tanë, ku banonim, me se merreshin dhe si ia dilnin me të ardhurat që fitonin… Pak nga pak po afrohej nata e vonë dhe do të shtrohej darka, sepse po bëhej vonë e bisedat do të mbeteshin për të nesërmen në darkë…

Tani të hamë diçka për darkë se u bë vonë,- tha kryetari.

Faleminderit shumë! – i thamë ne, por nuk na hahet, se kemi ngrënë rrugës kur po vinim.

Po mirë atëherë vazhdojmë ne të tjerët, – tha kryetari. Ju shkoni në dhomën tuaj të gjumit. Shihemi nesër në mëngjes, sepse e kam lajmëruar kovaçin e fshatit me atë shokun që i mbajti rrugës veglat…… që sollët ju dje në mesditë. Natën e mirë!

Bëfshi natë të paqtë! -urova shpejt e shpejt unë i pari e më pas Angjelini.

Bëmë një gjumë të rëndë dhe u zgjuam nga bërtitjet e kalamajve të vegjël të kryetarit që rrinin pas derës sonë. U lamë shpejt e shpejt, hapëm valixhen e uruar dhe hëngrëm mëngjesin , sepse kishim marrë goxha gurabije me vete. Zbritëm në oborrin e shtëpisë, i vogël por, i bukur, rrethuar me pemë me gjethe të zverdhura, të kuqërremta. Një natyrë e mrekullueshme vjeshte kishte lënë gjurmë në këtë fshat malor. Më tutje ndodheshin kova për qumësht, kishte fuçi të vogla për uthull apo për raki, një karrocë me pleh bagëtish dhe një mullar i madh me kashtë…

Kryetari na pyeti si fjetëm dhe na priu përpara në një shteg të ngushtë ku duhej të vinte kovaçi dhe kudhra e veglat e tjera të përgatitura në dhomat e punës në universitetin tonë me përkujdesjen e pedagogut: Xhevat Kapedani.

Ja ku u pa në horizont tek po zbriste nga një monopat kovaçi. Na pa disi vëngër dhe nuk e di pse. Ishte i vetmi farkëtar i fshatit dhe çdo lopatë, kazmë, bel, thika, kosa…. kalonin përmes dorës së tij. Të gjitha fshatrat përreth plotësonin çdo mangësi për vegla pune apo pajisje shtëpie nga duart e tij të arta…..

Me vete kishte dhe të birin. Ishte një mesoburrë, ndërsa i biri ishte një djalosh 14-15 vjeçar. Nuk kisha parë kurrë një fëmijë aq të bukur në jetën time. Kishte sy të shkruar dhe një fytyrë vezake ku i binin në sy dy gropëza të vogla në dy faqet rozë. Nëse nuk do të kishte veshur pantallona, do besoje se ishte një vajzë bukuroshe me trup të drejtë dhe me flokë të pakrehura kaçurrela në ngjyrë të artë…Edhe shumë fëmijë të tjerë në fshat ishin të bukur, por kishte disa prej tyre që kishin shtrembërime në gjymtyrët e sipërme a në gjymtyrët e poshtme, në trup, në sytë…Dukej se atje mjekësia nuk ekzistonte fare. Banorët duhet të duronin dhimbjet deri sa të vinin në Tiranë, sepse qendra shëndetësore nuk kishte mjetet e duhura për t’ i ardhur në ndihmë. E njëjta gjë ishte për shumë nga zonat e thella malore edhe pse mjekësia ishte falas. Po ku ishte ajo për këta njerëz?…

Në fshat qarkullonin fjalë se metodat dhe pjesët e reja që kishin vënë në zbatim dy të rinjtë e posambërritur, domethënë ne, unë me Angjelinin do t’ia rrëmbenin punën kovaçit në fshat. Mjetet e reja që kishim sjellë do të kolektivizonin disa fshatra në një kovaçanë të vetme…. Dhe ne nuk e dinim këtë gjë…..

I vrenjtur në fytyrë, i tensionuar, por shumë burrëror, kovaçi ishte gati të na hidhej në fyt neve, po të mos ishte kryetari. Në këtë moment nuk e di sesi hodha vështrimin te njëra këmbë e kovaçit. Ajo ishte aq e madhe sa një këmbë gjigandi. Mund të them pa frikë se qe sa tri këmbë bashkë. Këmba mbulohej nga një lëkurë e madhe, shumë e deformuar dhe që të kallte datën….Për momentin u tremba dhe i thashë vetes se kjo punë duhej mbyllur sa më shpejt.

Po çfarë keni në mendjen tuaj ju shoku kovaç? -pyeti Angjelini me gjysmë zëri i shokuar nga shenja që i bëra unë për këmbën.

Mua nuk ka zot që ma merr punën time, kovaçanën time, sepse kështu po përflitet në fshatin tonë. Me të jam rritur unë, me të po i rrit vogëlushët e mi, me të janë ushqyer prindërit e mi dhe me të na kanë ushqyer në më shumë se pesë breza paraardhësit tanë…Dëgjuat!

Sa keq! Je keqkuptuar shumë! Ne nuk kemi ardhur këtu për t’ i rrëmbyer punën askujt, siç përflitet në fshat, por për të sjellë diçka më lehtësuese për ju, – i thashë unë pa e parë në fytyrë. Këtë mund ta mësojë shumë më shpejt edhe ky djali juaj për ta trashëguar punën në breza….

Ashtuu?! E po mirë, mirë!-  tha kovaçi me sytë e zinj të përhumbur dhe me duart e gjata gjithë të plasaritura. U largua pak nga të tjerët si për të marrë frymë më lirshëm dhe për të qenë më mirë me veten vijoi:

Po kështu qenka puna?! Eeee! Pse nuk na e the më parë more kryetar, sepse u ndeza keq nga nervat dhe iu sula çunave. Kisha bërë benë që t’ i fusja ndonjë dajak të mirë që të dyve në ndonjë kthinë rruge të pyllit, paçka se do të futesha në telashe të mëdha.

Hahahaaaa!- qeshën dhe u gajasën të gjithë.

Shkuam në kovaçanë dhe vendosëm çdo gjë siç i kishim marrë udhëzimet tona nga universiteti. Kovaçi menjëherë u miqësua me ne dhe nuk dinte ku të na vinte nga e vërteta që bëhej lidhur me kovaçanën e fshatit. Më pas rrinim në ndonjë lëndinë , pushonim pak , hanim nga një gurabie, sepse ato nuk prisheshin dhe vonë shkonim për të fjetur te shtëpia e kryetarit. Pranë kovaçanës ishte një shtëpi me një oborr të zhveshur fare. Rrethohej me katër mure. Në mesin e secilit mur kishte dritare të vogla me hekura njëlloj si ato burgjet që flitej në libra. Menduam që të pyesnim kovaçin për këtë ndërtesë, por të nesërmen donim të ktheheshim në Tiranë dhe e lamë që të pyesnim njeriun e parë që do të takonim rrugës…

Fshati nuk sillte gjë në Tiranë dhe ishte shumë i varfër, pyje shkretë dhe njerëz pak. Ardhja në Tiranë bëhej në këmbë kur kishin ndonjë nevojë të ngutshme… Banorët as që e dinin se ku binte qyteti, sepse dhe për të sjellë gjë në qytet për ta shitur nuk kishin më…. Bagëti jo, bylmet jo, mish jo, pula jo e jo,  sepse çdo gjë ishte bërë kooperativë…Edhe ata që akoma nuk i kishin çuar në kooperativë duhet të nxitonin, sepse të gjitha i shikonin anëtarët e partisë…Na erdhi ditën e fundit kryetari pranë kovaçanës si për të parë si na kishin shkuar punët dhe më pas u nisëm me të.

Ishim djersitur nga rruga, pasi kryetari ecte shpejt dhe na linte pas disa metra larg, kthente kokën dhe na priste sa të afroheshim.

Arritëm në shtëpi, ndërkohë që fëmijët qeshnin rreth nesh duke na parë drejt e në sy…. U lamë dhe shkuam në dhomën tonë të pushonim pak dhe të hanim diçka. Pamë që valixhja ishte hapur dhe me sa duket fëmijët që qeshnin pranë dhomës e kishin ngrënë një drekë të mirë…

Qeshëm dhe ne me atë që kishin bërë fëmijët, por kurrë nuk u thamë gjë atyre vogëlushëve dhe as të rriturve. Kujtuam dhe pamë varfërinë e tyre dhe përtypëm atë mjerim…

Të nesërmen i thamë kryetarit që punët me pajisjet e sjella po shkonin si s’ka më mirë, kështu që mund të ktheheshim në Tiranë.

Kryetari na tha: Rruga për në Tiranë bëhet në këmbë. Këtu nuk ka makinë, mes pyjesh mezi kalon dhe mushka.

Po si t’ia bëjmë? – pyeta unë.

Do t’ ju jap një djalë të shkathët për t’ju dërguar deri tek miniera e Krrabës dhe pastaj i hipni autobuzit të punëtorëve dhe shkoni në Tiranë.

Mirë, ashtu do të bëjmë,- i thamë ne të dy të gëzuar se do të niseshim për në shtëpi.

Ishte nata e tretë në shtëpitë e banorëve të fshatit malor. U ulëm të hanim darkë, por unë nuk mund të haja çdo lloj ushqimi, sepse isha mësuar vetëm nga dora e gjyshes, e megjithatë të dy i rrufitëm disa lugë gjellë dhe e mbyllëm natën e fundit duke parë në ëndërr bulevardin ku argëtoheshim pasditeve, pas mësimit…

Djali që do të na shoqëronte në rrugët e fshatit, erdhi rreth orës 08:00 të mëngjesit.  Kishte një trup atleti, flokë të qethur shkurt dhe dukej i shkathët.

Rruga vijonte më këmbë duke kaluar përmes pyjeve në fshatrat Vakumonë, Kus, Mollagjesh. Më pas ndaluam pak në fshatin Skuterë, sepse u lodhëm shumë. Lidhur me emrin e fshatit Mollagjesh që i përket zonës së Elbasanit sot, bashkudhëtari ynë nuk kishte njohuri duke u shfajësuar se vetëm emrin e Vakumonës mund ta shpjegonte.

Kujtoj nga gjyshja ime, – tha Angjelini se emrin Mollagjesh fshati e ka marrë nga fruti i mollës, e cila ka qenë mjaft e njohur për vlerat ushqyese që ajo bart. Ka dy liqene artificialë që përdoren për vaditje dhe për peshkim. Ka mollë dhe emrin e ka marrë Molla – gjeshe- Mollagjesh. Në jugperëndim kufizohet me fshatin Rozaver dhe Krrabën ku do të kalojmë.

Po Rozavera ku ndodhet?- pyeta unë shoqëruesin.

Na tregoi me dorë ku ndodhej fshati. Na tregoi se Rozavera është një fshat që është fare pranë Bërzhitës, sot  i përket njësisë administrative të Bërzhitës.

Skuterra është pranë Ibës.

Flitet për këtë fshat se ka një pus, apo gropë në të cilën komunikohet  me botën tjetër…E kam lexuar në një libër, por kur të shkoj në shtëpi do ta shfletoj edhe njëherë për saktësi, – thashë unë.

Kur erdhëm në Vakumonë i ramë rreth e rrotull nga Elbasani- tha Angjelini. -Rrugë për në Vakumonë nuk ka akoma deri tani, – tha shoqëruesi ynë…Kur të vini  mbase ndonjëherë mund të jetë bërë për të na ardhur në ndihmë ne, banorëve të Vakumonës.

Unë e ndieja shumë lodhjen dhe shumë më tepër se Angjelini dhe shoqëruesi ynë. Kështu herë- herë u kërkoja të pushonim pak pa pyetur se orët kalonin pa  kuptuar.

Sikur po kalojmë në rrugën më të gjatë?- i thashë unë djalit që dhe emrin nuk ia kujtoj dot as sot e kësaj dite.

Ai tha: – Nuk do të kalojmë nga Krraba e Vogël, sepse ajo është më poshtë, por e pamë në kthimin tonë. Fakti që nuk do të kalojmë aty është, sepse unë  kam të fejuarën në atë fshat dhe nuk do të doja të shihesha nga njerëzit e nuses apo nga vetë ajo….Pra akoma vijonin edhe paragjykime…që në këto momente po i hanin në kurriz ne, dy studentët e pafajshëm…

Kështu rruga në këmbë na u bë edhe më e gjatë nja treçerek ore dhe na dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë, por kështu qe shkruar atë pasdite vjeshte..

Po binte mbrëmja. Arritëm më në fund te stacioni i autobusit pas 8- të orësh udhëtimi. U përshëndetëm me djalin dhe pritëm rreth një orë me padurim ardhjen e autobusit. Ja që më në fund u kthyem në Tiranë.. Një buzëqeshje e çiltër mbuloi fytyrat tona…Dikush i binte një flauti të magjishëm që shoqërohej nga një zë hyjnor dhe përkëdhelte ndjenjat tona…

Sipas: z. Shyqri Gurabardhi dhe z. Angjelin Shtjefni.

Shkroi: Lejla Gurabardhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura