Të kujdesesh për lëkurën gjatë muajve të ftohtë

Dec 3, 2012 | 11:50
SHPËRNDAJE
Dermatologia Monika Fida

Për të pasur një lëkurë të shëndetshme nuk është e nevojshme të shpenzosh shumë në blerjen e produkteve kozmetike. Duhet të dimë të blejmë produktin e duhur për tipin e lëkurës dhe të ndërtojmë një regjim ditor, javor ose stinor të nevojshëm për këtë përkujdesje

Të mbrosh lëkurën nga agjentët dëmtues të jashtëm (veçanërisht në dimër) nuk është thjesht çështje estetike, por është e rëndësishme që lëkura të ruajë funksionet e saj të shumta dhe kryesisht funksionin si barrierë mbrojtëse ndaj shumë agjentëve dëmtues, qofshin këta agjentë infektivë apo alergjenë të ndryshëm.
Monika Fida, mjeke dermatologe pranë klinikës “A Derma” në kryeqytet, thekson se gjatë periudhës së dimrit lëkura përballet me një sërë agjentësh dëmtues, siç janë ndryshimet e temperaturave, era e ftohtë, ajri i thatë në ambientet e brendshme të ngrohura me kondicioner, tymi i duhanit në lokalet e mbyllura, si dhe ekspozimi në diell gjatë ditëve me dëborë në male. Disa nga këshillat e mëposhtme nuk do të rrisnin koston në përkujdesjen individuale për një lëkurë të shëndetshme ndër vite.

Pastro, trajto dhe parandalo
Mos lejo të kalojnë 12 orë pa riaplikuar produkt mbi lëkurën tënde, veçanërisht në zonat e ekspozuara ndaj agjentëve dëmtues të jashtëm (fytyrë e duar). Gjatë periudhës së dimrit rekomandohen kremra hidratues dhe jo thjesht me përbërës të lehtë ujorë, të cilët rekomandohen në verë.
Përdor krem me faktor mbrojtës 365 ditë të vitit
Kjo do të ndihmonte në parandalimin e dëmtimeve nga dielli, si rrudha, njolla, njolla të moshës ose dhe kanceri i lëkurës. Nëse kremi yt nuk ka faktor mbrojtës ndaj diellit (SPF), atëherë përdor një make up ose fondontinë që të ketë faktor mbrojtës SPF të paktën 15. Edhe në dimër ka ditë, të cilat kanë rrezatim të lehtë.
Hidrato mirë lëkurën tënde
Në dimër apliko kremin e trupit dhe të fytyrës menjëherë pas dushit, në mënyrë që të realizohet një hidratim sa më i mirë i lëkurës.
Mund të përdorësh produkte të linjave të ndryshme në të njëjtën kohë.
Kjo mund të jetë shumë e nevojshme si për gjendjen e lëkurës tënde në situatën aktuale, por mund të të kursejë dhe një sasi parash në të ardhmen.
Mbaj gjithnjë mend që një produkt i shtrenjtë nuk është domosdoshmërisht më i miri dhe më efikasi për ty.
Disa prej këtyre produkteve të shtrenjta mund të përmbajnë dhe lëndë të ndryshme alergjike për lëkurën tënde.
Mendo për produkte me funksion dyfish
Për shembull: përdor një krem hidratues dite me faktor mbrojtës SPF ose një zbutës buzësh me SPF.
Përdor produktin e duhur në mënyrë që të kursesh para
Kur zgjedh produktin anti-moshë, shih në etiketë për përbërës si acid hialuronik, vitamina A dhe alfa-hidroksi acide. Në rast të lëkurës me tendencë akneike, përdor kremra “oil free” ose që nuk nxisin formimin e komedoneve.
Konsumo sa më shumë ujë, në dimër konsumo çajra
Konsumo çdo ditë më shumë se dy litra ujë ose çajra, në mënyrë që të hidratohet më mirë tërë organizmi dhe të eliminohen toksinat e ndryshme. Pi çdo ditë një çaj jeshil, që përmban sasi të lartë antioksidantësh.
Përpara ekspozimit në borë, përdor produkt mbrojtës me SPF të lartë
Kujdes! Lëkura edhe mund të digjet nga reflektimi i dëborës dhe diellit. Përdor për mbrojtje syze dielli (do të të mbrojnë si sytë, edhe lëkurën delikate përreth syve).
Eksfoliant
Nëse keni lëkurë të thatë, bëj një eksfolim me scrub 2-3 herë në javë. Ndërsa, nëse keni lëkurë të yndyrshme, apliko scrub 2 herë në javë. Gjatë dimrit përdor maska me alfahidroksi acide çdo javë ose planifiko peeling kimik te mjeku.
Trajto buzët
Përballja me erën dhe të ftohtin shoqërohet me dëmtime të lëkurës së buzëve si tharje e çarje. Për të evituar këtë gjendje përdor produkte buzësh që kanë në përbërje të tyre vitamina dhe hidratues, si vitaminë E dhe niacide, që mbrojnë buzët nga agjentët dëmtues.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura