Të jetosh në paqe me botën e me veten: prof. Jusuf Alibali, 1922-2022

Nov 15, 2022 | 8:01
SHPËRNDAJE

PROF. DR. PËLLUMB XHUFI

auto_871646774755

E di mirë se në këtë botën tonë të çhumanizuar e të ushqyer me lajme krimi, seksi e droge, të flasësh për atë botën tjetër të nderit, punës e virtytit, rrezikon të lësh përshtypjen e një marciani e të përcillesh me ironi apo keqardhje. Por unë e pranoj këtë risk, sepse sot dua të shkruaj dy fjalë zemre me rastin 100-vjetorit të lindjes së prof. Jusuf Alibalit.

E kisha ndeshur emrin e tij në fund të viteve ‘50 të shekullit të kaluar, në faqen 4 të gazetës “Zëri i Popullit”, kur stërvitja aftësitë e leximit duke përpirë, pa i kuptuar, lajmet e komentet nga bota e jashtme, këto të fundit shpesh me firmën e Jusufit. Më vonë, si student, pata rastin të bëj ndonjë përkthim të shkurtër për revistën “Shqipëria Sot”, që dilte në gjuhë të huaj dhe që atë kohë drejtohej pikërisht nga Jusuf Alibali.

Revista ishte në çdo pikëpamje cilësore, e meqenëse ishte e destinuar për botën e jashtme, dallohej për një frymë disi liberale në raport me botimet e tjera, ku propaganda e ideologjia përcilleshin “shqeto”, d.m.th. në mënyrë të papërpunuar. Përkthyes të lëndës ishin mjeshtër, si Jusuf Vrioni e Zafer Villa, dy ish-të dënuar politikë, që kryeredaktori Alibali i kishte angazhuar, pavarësisht vështrimit të zëmëruar të ndonjë shefi aty lart. Ndryshe nga këto takime të para virtuale me të paharruarin Jusuf Alibali, takimi i tretë ishte një takim real. M’u paraqit një ditë shtatori të vitit 1997 në zyrë, në Ministrinë e Jashtme, ku sapo kisha filluar punë.

Kishte kaluar vite të tëra vuajtjesh e poshtërimesh, bashkë me familjen, me bashkëshorten stoike, Adivijen, “Mamicën” e filmit “Skënderbeu”, me Ilirin e me Agronin, djemtë e tyre, që në moshë të njomë u transformuan në punëtorë krahu. Ky burrë plot mend, dije e dinjitet, nuk pranoi të thoshte asnjë fjalë për këtë faqe të dhimbshme të historisë së tij. Kur e pyesja për internimet e tij pa fund në fshatrat e Labovës së Kryqit, të Kutallisë e të Sheqëzës, më fliste plot mall për njerëzit e thjeshtë të atyre fshatrave, që u ishin ndodhur pranë e u kishin dhuruar respekt, dashuri e përkujdesje në ato vite të rënda.

Këtë aftësi sublimimi, për të lënë prapa të shkuarën e për të parë përpara ua kishte kultivuar edhe djemve të tij, Ilirit e Agronit. Vuajtjet e tyre i kam mësuar nga banorë të vendeve ku familja Alibali kaloi nga internimi në internim. Tek unë, në Ministrinë e Jashtme, Jusufi nuk erdhi aspak për ndonjë hall, për ndonjë vizë. Jo. E solli tek unë shqetësimi atdhetar për zhvillimet në Kosovë. E njihte fare mirë historinë e problematikën aktuale të Kosovës. Nga ajo ditë shtatori, nuk kalonin dy apo tri ditë pa u takuar. Tani e kërkoja unë.

Nuk mund të gjeja këshilltar më të aftë, më të informuar, më të përkushtuar sesa Jusuf Alibali. Kur çështja e Kosovës kishte marrë përfundimisht udhë, një ditë maji të vitit 1999, i thashë me shaka: “Profesor, dikur më ke nxjerrë emrin e më ke paguar mirë për ndonjë palo-përkthim timin për revistën tënde. Tani, prej dy vjetësh, unë po të shtrydh e shfrytëzoj falas, madje shpeshherë duke i paraqitur si të miat idetë e tua. S’ke ç’bën, do duhet të kënaqesh vetëm me një falënderim”. Qeshi përmbajtshëm, u bë serioz e më shqiptoi vetëm dy fjalë: “Unë bëra detyrën”.

Nuk ishte shprehja stereotipe “prej komunisti”, siç unë desha ta ngacmoj dhe bëra mirë që nuk e ngacmova. Për Jusufin, ajo shprehje lakonike ishte deviza e jetës së një njëri të ndershëm e patriot, së cilës ai vijonte t’i qëndronte besnik edhe në kohët e pacipa të hipokrizisë, egoizmit dhe amoralitetit. Jusuf Alibali ishte bir i një familje të madhe. Ashtu si nuk fliste kurrë për veten, ashtu nuk pëlqente të tregonte edhe historitë e familjes. Të kishte jetuar më gjatë, do t’i tregoja unë për një pararendës të shquar të tij të shek. XVI, me të cilin u ndesha gjatë kërkimeve në Arkivin e Venedikut. Me siguri do gëzohej kur të mësonte për “kapedan Alibalin” nga Ulqini, tregtar e detar i njohur, që me “galerën” e tij i binte kryq e tërthor Adriatikut e Jonit.

Ndryshe nga ky paraardhës i hershëm i Alibalëve të Shkodrës, ndryshe dhe nga i ati, i cili midis dy luftërave botërore ishte oficer i ushtrisë shqiptare, Jusufi pati pasione të tjera. E tërhiqte historia, e tërhiqte letërsia, të cilat u bënë shtrati ku u ushqyen ndjenjat e tij patriotike, të cilat u kalitën gjatë viteve të shkollës së mesme të kryer në gjimnazet e Shkodrës, Tiranës e Gjirokastrës. Studimet universitare për drejtësi i filloi në Firence, Itali, ku u njoh me Gjik Kuqalin, Kristaq Tutulanin, Qemal Stafën e Fadil Paçramin.

Ishin të gjithë nga ata të rinj, për të cilët një kundërshtar i mëvonshëm politik i tyre, z. Sejfi Protopapa, ish-drejtues i “Ballit Kombëtar”, më pat thënë në vitin 1995: “Ne të Ballit Kombëtar e humbëm luftën, pasi nuk ishim në gjendje të tërhiqnim të rinjtë si Kristaq Tutulani: qytetarë, të ditur, të vendosur, të pashëm, të gatshëm për sakrificën sublime”. Sejfi Protopapa më pohoi me atë rast, se kishte qenë shok i ngushtë i Kristaqit dhe i Margaritës, e për shkak të miqësisë me ta, edhe ai desh u përfshi në Lëvizjen Nacional-Çlirimtare.

Këtij brezi të papërsëritshëm të rinjsh i përkiste edhe Jusuf Alibali. Për idetë dhe veprimtarinë antifashiste njohu burgun famëkeq “Carcere delle Murate” në Firence, e pas kthimit në atdhe, u arrestua e u mbyll nga nazistët në burgun e Tiranës. Si partizan i Brigadës XXII, hyri si çlirimtar në Shkodrën e tij, në 29 Nëntor 1944. Pasi “bëri detyrën” si luftëtar antifashist, Jusufi u vu në shërbim të rilindjes e rindërtimit të atdheut. E filloi si redaktor i programeve kulturore të “Radio-Tiranës”.

Ia kushtoi Qemal Stafës artikullin e parë, “Qemali letrar”, të botuar në revistën “Bota e Re” (1945). Pas plotësimit të studimeve në Fakultetin e Jurisprudencës të universitetit “Lomonosov”, në Moskë (1945- 1949), Jusufi u kthye në atdhe e kreu një sërë detyrash të rëndësishme, si zvendësministër i Drejtësisë, profesor i Fakultetit të Drejtësisë, anëtar i Gjykatës së Lartë, shef i redaksisë së jashtme në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i revistës “Shqipëria Sot”, detyra që i kreu me kompetencë e ndershmëri profesionale. Ndërkohë, kultivoi pasionin e tij letrar, duke botuar vëllimet me tregime “Vajza prej Oroshi” e “Gëzimi i Cen Belikut”.

Me shumë dashuri shkroi triptikun biografik kushtuar shokëve të tij të luftës, Herojve të Popullit Gjikë Kuqali, Kristaq e Margarita Tutulani. Ishte një provë se autori zotëronte virtytin e objektivitetit e të akribisë shkencore, të domosdoshme për një historian. Dhe si historian u afirmua në veprën madhore, “Histori e Shqipërisë” në 2 vëllime si bashkautor i saj, duke treguar se historia zinte një vend të rëndësishëm në kuadrin e interesave të tij të gjëra kulturore e shkencore. Në vitet e rënda të persekutimit nuk i ndërpreu për asnjë çast leximet, studimet e shkrimet e tij.

Shkroi vëllimin me ese “Artisti e koha e vet” dhe vëllimin biografik “8 portrete”, ku skicon në mënyrë mjeshtërore botën e ideve të autorëve të shquar nga të gjitha kohërat: Lukianit, Machiavellit, Shakespearit, Anton Çehovit, Emil Zolas, JeanPaul Sartrit. Vetë përzgjedhja e personaliteteve tregon se sa mendjehapur ishte Prof. Jusuf Alibali. Veçoj një vlerësim epigrafik të tij pikërisht për Sartrin, një ndër etërit e ekzistencializmit, i shigjetuar nga kritikët, estetët e filozofët e botës komuniste për idetë e tij “antimarksiste” e “disfatiste” (ndonjë prej tyre është shndërruar sot në ideolog e udhërrëfyes i së djathtës ekstreme).

“E kam çmuar veprën e Sartrit”, shkruan Prof. Alibali, “si një dëshmi të shquar të kohës sonë dhe si një përpjekje të sinqertë për të kërkuar aventura të reja në fushat e pasosura të mendimit e të artit”. Nëse shprehja “bëj detyrën tënde ndaj atdheut” ishte deviza morale e politike e një qytetari patriot të angazhuar, shprehja tjetër e prof. Jusuf Alibalit, “mos u lodh së mësuari e së kërkuari të rejat e panjohura” ishte deviza e një njeriu mendjehapur e me uri të pashuar për dije, që ëndërroi të lundronte në detin e hapur të ideve, larg skemave e stereotipave që i impononte koha e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura