Të infektuar me koronavirus, 270 persona ikën jashtë vendit për kurim. Ja shifra marramendëse e shpenzimeve

Nov 19, 2020 | 12:39
SHPËRNDAJE

Aeroporti i Rinasit, mbyllja koronavirusi (2)

Që prej muajit mars deri më tani janë 270 persona të prekur nga COVID-19, të cilët u nisën jashtë vendit për trajtim të specializuar, pjesa më e madhe prej tyre në Turqi.

“Përballimi i situatës së COVID-19 nuk ka qenë i njëjtë për të gjithë të prekurit nga ky infeksion. Disa prej pacientëve kanë zgjedhur të kurohen jashtë vendit si një mënyrë për të marrë shërbim shëndetësor më të specializuar. Prej fillimit të pandemisë, në muajin mars, 270 persona të infektuar me COVID-19, kryesisht në gjendje të rënduar janë nisur me avionë ”Charter” privat nga aeroporti Nënë Tereza për kurim jashtë vendit. Turqia rezulton të jetë shteti më i preferuar nga shqiptarët për kurim, pasi 200 prej të infektuarve e zgjodhën për të marrë shërbim më te specializuar. Ndërkohë, pjesa tjetër zgjodhën vende të tjera të Europës për t’u kuruar”, shkruan “Euronews Albania”.

Por, dërgimi i një të infektuari me COVID-19 jashtë vendit nuk është i përballueshëm nga çdokush.

Shpenzimet për të kryer këtë fluturim me “Charter” privat kapin shifra marramendëse me çmime që variojnë nga 25 mijë deri në 50 mijë euro përfshirë këtu edhe kurimin spitalor.

Po sipas “Euronews”, kërkesat për kurim jashtë vendit kanë ardhur në rritje në javët e fundit kjo edhe për shkak të fluksit në spitalet COVID si pasojë e shtimit të rasteve të personave të infektuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura