Të humbasësh besimin te politikanët

May 31, 2018 | 11:51
SHPËRNDAJE

leonidha-mertiri-150x150LEONIDHA MËRTIRI

Duket, besimi i italianëve te politikanët e tyre, sikurse treguan dhe  zgjedhjet e fundit parlamentare, vazhdon të zbehet edhe gjatë kësaj periudhe. Ardhja në pushtet e garniturës së re populiste të së djathtës e së majtës, megjithëse ende pa frenat e qeverisjes, nuk e ka ngritur diagramin e besimit, pavarësisht rezultateve në zgjedhje dhe qëndrimit tashmë të një gjendjeje të amullt. Treguesit e të ardhurave për frymë, sot në Itali, janë po ata të tetëmbëdhjetë viteve më parë. Mungesa e qeverisë nuk mund të mos krijojë krisje dhe te vetë qytetarët.

Giuseppe Conte, edhe pse u mandatua nga Presidenti Sergio Mattarella për Kryeministër, pas marrëveshjes së dy partive në koalicion, nuk arriti dot të krijojë qeverinë e re, të pritur prej tre muajsh bisedime. Droja e Presidentit u ngrit mbi këtë marrëveshje. Ajo lidhej me emërimin e Paolo Savone si ministër i Ekonomisë, për shkak të problemeve që ky mund të krijonte në tregun financiar dhe në ekonominë e vendit. Ai u trembej gjithashtu qëndrimeve të Savonës për daljen e Italisë nga Eurozona, euroskepticizmit të tij të njohur e insistues për Eurozonën.

Në këtë mënyrë, Italia vazhdon të mbetet në qerthullin e ngërçit politik. Kjo nuk mund të mos zgjonte nervozizëm te partitë e koalicionit, krerët e të cilave e shohin presidentin e tyre si marionetë të Bashkimit Europian apo që pas këtyre vendimeve qëndrojnë Franca dhe Gjermania. Lëvizja “5 Yje” e Luigi di Maio dhe “Lega de Nord” e Matteo Salvinit, me moton-”E para për një luftë të ashpër kundër korrupsionit dhe e dyta me “E para- Italia”, me politikën e tyre, vështirë t’u kthehen premtimeve të bujshme e populiste, të bëra gjatë fushatës, edhe pse njerëzit u besuan aq sa mund t’u besonin në përgjithësi atyre, përballë zhgënjimit ndaj politikanëve të mëparshëm.

Këto premtime, pavarësisht paragjykimeve, qysh atëherë mbanin erë mosbesimi: ulje e ndjeshme e taksave, rritje e shumë shërbimeve sociale, ulje e moshës së pensionit… Hamendjet gjithashtu të nacionalistëve të të dy krahëve, lidhur me marrëdhëniet me Bashkimin Europian, janë reflektuar herë pas here. Vendimet e BE-së për refugjatët nuk shihen si edhe të tyre, ndaj të cilëve nacionalistët italianë janë për dëbimin e refugjatëve dhe të emigrantëve. Edhe në politikën e jashtme të këtyre partive populiste, ka qëndrime jo të njëjta me ato të BE-së. Marrëdhëniet e tyre të ngrohta me Rusinë kanë bërë që ato të jenë më shumë në prehrin e kësaj të fundit.

Ata nuk janë pajtuar me sanksionet e BE-së kundër saj. Tani për tani, Italia vazhdon të jetë në ngërç. Ndërkohë, kjo nuk e shmang dot shqetësimin e BE-së, ku Italia është pjesë e tij dhe pavarësisht se ai përsërit sigurinë, se Italia do të vazhdojë të ndjekë rrugën e vetë europiane. Madje, presidenti i Komisionit Europian, Jean – Claude Juncker, duket se i ka shpeshtuar superlativat për Italinë që “meriton respekt dhe se Komisioni Europian është gati të punojë me Italinë me përgjegjësi dhe respekt të përbashkët”. Por kaluan tre muaj dhe ende nuk po formohet qeveria e re, sikur kjo të sinjalizonte për zgjedhje të reja në një periudhë të shpejtë, duke qenë kështu skenari më i përfytyruar, por dhe i preferuar për Salvinin dhe Di Maio.

Nga ana tjetër, votimi i buxhetit të vitit të ardhshëm e bën më urgjent zgjidhjen e krizës, që Italia nuk duhet të vonohet në krijimin e qeverisë. Kandidaturë pas kandidature, tani po pritet formimi i qeverisë nga ish-zyrtari i lartë i djeshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Carlo Cottarelli. Pra, sërish, edhe nëse do të mbarojë kjo odise e deritanishme, jo të gjitha partitë, duke përfshirë dhe partitë e mëdha, do t’i japin votëbesimin Cottarellit, si ushtrues i detyrës së Kryeministrit. Balanca e tyre anon më shumë nga rikthimi në zgjedhje.

Një situatë e tillë ndoshta do të favorizonte “Forca Italia” dhe vetë Silvio Berluskonin, i cili shpreson më shumë te kjo e nesërme, me që mungoi një fitues real, i dukshëm dhe dominues, duke mos pasur gjithashtu shumicën në zgjedhjet e tre muajve më parë, sikurse qenë dy grupimet populiste. Dështimet për krijimin e qeverisë së re, duke ia dedikuar këtë dhe presidentit të vendit, i kanë bërë krerët e populistëve të përgatisin opinionin për zgjedhje të reja.

Duket se, pranohet apo nuk pranohet ish-zyrtari i lartë i FMN-së për ushtrues të detyrës së Kryeministrit, Italia vështirë t’u shmanget këtyre zgjedhjeve. Një fitore e përsëritur e populistëve do t’i jepte krahë optimizmit të tyre. Por mbetja në të njëjtit tregues, pa një progres të mëtejshëm, sërish nuk do ta zgjidhte ngërçin për të dalë nga vorbulla e deritanishme. Çështja është që italianët të mos e humbasin dhe më tej besimin te politikanët e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura