“Të gjithë fëmijëve që si heronj të vërtetë po qëndrojnë mbyllur në shtëpi”, mjeku Flamur Topi publikon tregimin “Miqtë e padukshëm”, njohuri për vaksinat e vaksinimin

May 1, 2020 | 10:53
SHPËRNDAJE

Foto FT

Gjithe femijeve, te moshes se lodrave, kukullave, perrallave dhe librave, qe me shume durim, si heronj te vertete, prej javesh, po qendrojne mbyllur ne shtepi, se bashku me prinderit e tyre, qe viruset e Sars Cov2, mysafiret me te urryer, ardhur nga shume shume larg, te mos gjejne as nje dere te hapur prej nga, miliardat pa mbarim te tij, te munden te hyjne brenda!…

Tregimi, do t’i njohe me miq te mrekullueshem te te gjithe femijeve te Botes, luftetaret trima leukocite, qe vigjelojne dite dhe nate ne mbrojtje te jetes!

Per shkak te tyre, rralle, shume rralle, sarset e mallkuar, guxojne te sulmojne te vegjelit!

Sapoqe e bejne kete, ushtrite e bashkuara te vete Trupit, me ne krye komandantet trima, Leukos dhe Limfo, u dalin perpara dhe ndeshen tejet ashper, per jete a vdekje me ta!

Thuajse gjithnje, ne luftrat e “pergjakeshme” me mikrobet dhe viruset, mbrojtesit natyrale te vete organizmit, ndihmohen fuqishem nga antikorpet, apo trupat mbrojtese te vaksinave!

Ne ditet tona, shkencetaret e tere Botes po punojne fuqishem dite dhe nate, per krijimin per here te pare te nje vaksine mbrojtese ndaj pandemise se Covid-it 19!

Zbulimi i nje vaksine eshte ne cdo rast nje pune fort e mundueshme dhe e veshtire, qe kerkon disa vite perpjekje!

Kete here, per shkak te humbjeve te medha te jeteve njerezore, shkencetaret po bejne te pamunduren te shpejtojne dhe fitojne kohen e cmuar qe, te pakten deri ne fund te vitit, vaksina kunder shkaktareve te Covid 19, te jete gati!

Po c’jane vaksinat? Si behen, si prodhohen ato? Cfar ngjet ne trup kur i iniektojme? Mikrobet apo viruset e vaksines qe bejme, jane te fuqishme apo te dobesuara enkas? Forcat mbrojtese natyrale te vete trupit, i pranojne, apo duke i vleresuar si trupa agresive te huaja, u dalin perpara dhe ndeshen ashper e fuqishem me ta?

Ja pra, sa shume njohuri do te mesoni per vaksinat dhe vaksinimin, duke lexuar tregimin e kendshem “Miqte e padukshem”…

“Miqte e padukshem”, eshte shkeputur nga libri i suksesshem me tregime dhe novela per femije, me te njejtin titull, i autorit mjek, Flamur Topi.

Botimet Enciklopedike”Arben Xoxa” 2004.

MIQTË E PADUKSHËM

Një ditë në shkollë erdhën teta infermieret. Shpejt u mor vesh se ato do t`u bënin vaksinën. Këtë lajm të vegjëlit e pritën me të thirrura. Kur e kishin mbaruar vaksinimin dhe u ulën të dëgjonin një përrallëz, Dori, një djalë i vogël, fytyrë-tërhequr, me sy e vetulla të zeza dhe me qerpikë të gjatë, pyeti mësuesen.

– Mësuese, ç`është vaksina? Përse na e bëjnë?

Mësuesja vuri buzën në gaz.

– Mirë atëhere, në vend të përrallëzës, sot po ju tregoj për vaksinat… Ju e dini sa të këqija e të egra janë mikrobet! Ato shkaktojnë shumë sëmundje dhe i bëjnë njerëzit të vuajnë, bile edhe të vdesin para kohe. Këta armiq, trupi është mirë t`i njohë në kohë, çfarë janë e si janë, çfarë armësh kanë, si luftojnë, çfarë vendesh të trupit pëlqejnë më shumë, çfarë dëmesh sjellin e shumë të tjera. Që të arrihet kjo, mikrobet duhen futur brenda trupit, por më parë ato lihen pa ngrënë, në të nxehtë ose në të ftohtë, i ligështojnë me helme, ua bëjnë të vështirë frymëmarrjen. Shkurt, i dobësojnë aq sa të mos na shkaktojnë dëm, por vetëm të na japin informatat e duhura… Sht, sht! Mbani vesh e dëgjoni… Dy komandantët e rruazave të bardha, Leukosi e Limfoja, diçka po bisedojnë me njëri-tjetrin.

***

Leukosi kishte vënë dylbitë në sy e po shihte tutje, në horizont. I vrenjtur, edhe Limfoja po shihte andej.

– Po më duken kaq të dobët e të ligështuar, kaq të pafuqishëm e të drobitur, sa mendja më thotë që janë mikrobe të ndonjë vaksine…- foli Leukosi, duke i hequr dylbitë nga sytë e duke ia dhënë Limfos.

– E drejtë, Leukos! Ashtu janë… Mikrobe të dobësuar vaksine…

– I kanë hedhur mjekët me topin “gjilpërë”, që t`i njohim mirë dhe nesër t`u bëjmë ballë sojit të tyre…

Pra, të mos i sulmojmë?…- pyeti Limfoja, pa i hequr dylbitë nga sytë.

– Jo! T`i ndjekim me kujdes ditë e net! Të mësojmë sa më shumë për këta mysafirë të panjohur…

– Ashtu do të bëjmë!-tha qetë Limfoja, duke hequr dylbitë nga sytë e duke hedhur vështrimin nga repartet e tij të zbulimit. Pastaj bëri vetëm një shenjë në drejtim të horizontit, aty ku nxinin armiqtë e dobësuar dhe në heshtje e në rregull shembullor, mijëra zbulues u nisën për udhë…

***

Për një ditë e një natë mikrobet e vaksinës u lanë të lira që të lëviznin e të shkonin ku të dëshironin. Me kujdes të madh, për të mos u parë, limfocitët zbulues do të ndiqnin me vëmendje çdo veprim ose zakon të të huajve. Ç`koraca kishin veshur, çfarë pëlqenin të hanin më shumë, si stërviteshin, me çfarë armësh, në ç`rrugë marshonin, në atë të gjakut, të limfës, apo të nervave e për shumë të tjera. Asgjë nuk duhet t`u shpëtonte…

Të nesërmen e ditës së dytë, kur e mblodhën ca veten, skeletonët e zinj nisën marshimin për në grykën e fëmijës. Në hyrje të gypit të frymëmarrjes u ndalën e nisën të qëllonin me shigjeta muret e tij.

Tek i pa, Leukosit iu drodh zemra.

– Kam dëgjuar për këta. Janë mikrobet e tmerrshme të Difterisë! Me cipa të trasha e të hirta, përpiqen ta mbyllin tubin e frymëmarrjes së fëmijëve, që këta të mos marrin dot frymë, të mbyten e të vdesin…

– Këta të mallkuar, më parë u merrnin jetën njerëzve! – tha Limfoja plot urrejtje.

– Edhe sot mund ta bënin këtë, se janë tepër të rrezikshëm. Por mjekët po na ndihmojnë t`i njohim në kohe e si duhet. Nesër, kur të sulmojnë, jo këta doçër, por fiset e egra të tyre, do ta kemi më të lehtë t`i mundim…Dhe tani, Limfo, është çasti që ushtarët e tu të hyjnë në luftim me këta bastardë. Le të mësojmë edhe nga ndeshja e drejpërdrejtë me ta…

***

Beteja me mikrobet e vaksinës nisi të nesërmen në mbrëmje. Të dobësuar ishin vërtet, megjithatë luftuan deri në frymën e fundit, deri në ushtarin e fundit.

Ushtarët mbrojtës të trupit patën humbje të vogla. Por sa shumë gjëra mësuan! S`kishte më të panjohura, s`kishte më të fshehta. Tani, po të donin, le të urdhëronin e të vinin mikrobet e vërtetë të Difterisë…!

***

Dy vjet më vonë Dorin e vogël e sulmuan mikrobet e komandantit Difterion. Këto nuk qenë të dobëta, të ligështuara e të rraskapitura si ato të vaksinës. Përkundrazi! Ishin të bëshme, të ushqyera mirë, të fuqishme e të armatosura deri në dhëmbë. Mezi po u durohej të shtrinin rrjetat e tyre mbytëse.

Tek i pa, komandanti Leukos nuk humbi kohë.

– Limfo! Këto egërsira nuk duhen lënë të ecin as një centimetër në brendësi të trupit! Duhen shpartalluar menjëherë, pa u lënë kohë të shumohen…

– S`ka problem! – u përgjigj Limfoja. – Trupat speciale, që u ndeshën më mikrobet e vaksinës, janë gati për luftim. Tani ata dinë shumë…

– Atëhere, Limfo, mos humb kohë. Në krye të trupave speciale të mbrojtjes, dilu armiqve përpara!…

– Si urdhëron! – Limfoja nderoi ushtarakisht dhe doli jashtë.

***

Trupat speciale të mbrojtjes i goditën rrufeshëm armiqtë në pikat më të dobëta, që ua njihnin mirë tashmë.Mikrobet nuk e pritnin atë sulm të befasishëm. Në pak orë ushtria e Difterionit u shpartallua e u zhduk e tëra…

Sa u gëzuan ushtarët mbrojtës të trupit dhe komandantët e tyre Leukos e Limfo!…

Këto beteja të mëdha Dori i vogël as që i ndjeu fare. Shkoi në shkollë si çdo ditë, hëngri, mësoi, fjeti, luajti dhe asqë mund t`i shkonte ndër mend se miqtë e tij të padukshëm, miqtë e vërtetë, po e ndihmonin me të gjitha forcat. Disa prej tyre dhanë edhe jetën për të…

Mësuesja papritur vuri buzën në gaz. Të gjithë fëmijët po e dëgjonin gojëhapur e s`ia ndanin sytë.

– A ju pëlqeu tregimi për vaksinat? – i pyeti ajo.

– Shumë, shumë! – iu përgjigjën ata njëzëri.

– Unë, mësuese, do t`i bëj gjithnjë vaksinat.

– Edhe unë, edhe unë!

– Unë s`do të kem më frikë!…

Mësuesja qeshte tek i dëgjonte dhe u përkëdhelte flokët e butë. E ata flisnin, flisnin pareshtur. Asaj i shëmbëllenin me cicërima të ëmbla zogjsh të vegjël në një ditë të bukur pranvere.

– Sa të mirë janë, sa të bukur, sa të dashur! – tha ajo buzëgaz dhe krahëhapur i futi në gjirin e saj e i shtrëngoi fort, fort.

Fjalorth

1-Leukocitet, apo rruazat e bardha: Jane pjese perberese e gjakut. Kane rrol te madh mbrojtes ndaj mikrobeve dhe viruseve. Baze e rendesishme e imunitetit.

Pandemia e Covid-19, po deshmon gjithnje e me shume se, ne pritje te vaksines dhe mjekimit te efektshem, mbeshtetja ne forcat e vete trupit, (Imunitetit) eshte e vetmja menyre e arte e perballimit te virusit Sars-Cov2!

Mjaft, te beni krahasimin midis dy ekstremeve te moshave: femijeve, qe thuajse nuk semuren dhe te moshuarve me imunitet mjaft te dobesuar, qe semuren lehtesisht dhe ne shume raste humbasin jeten!…

2-Leukos (personazh): Kryekomandanti i ushtrise mbrojtese te leukociteve.

3-Limfo (personazh): Komandant i trupave speciale te leukociteve, gardes se tyre,

limfociteve T, vrasesve te medhenj te mikrobeve dhe viruseve.

4-Difterion (personazh):

Komandanti i mikrobeve agresive, mjaft te rrezikshem te Difterise, shkaktarit te shume vdekjeve te te vegjelve ne te shkuaren.

Fale vaksinimit te rregullte, kjo semundje mjaft e rende, haset rralle ne ditet tona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura