Të gjitha shifrat e zgjedhjeve të reja të 25 prillit 2021

Sep 6, 2020 | 21:39
SHPËRNDAJE

alfred pezaNGA ALFRED PEZA

Ka qenë një përkim i kërkuar ai i Presidentit të Republikës të dielën, kur duke dashur ti bëjë një dhuratë për ditëlindjen e 16 partisë së tij, ka hedhur firmën mbi dekretin për zgjedhjet e reja në Shqipëri. Ky sforcim i Ilir Metës për ti dhënë vetes më 6 shtator, “dy gëzime në një ditë”, është përjetuar me fishekzjarre në kampin e LSI. Me gëzimin që sjell padurimi, nga pritja e gjatë e këtij momenti, në kampin opozitar. Me qetësinë e shuarjes thjeshtë të një kurioziteti të pritshëm, në anën e mazhorancës.

Në 25 prillin e 2021, shqiptarët janë thirrur për të shkuar drejt kutive të votimit, për zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të radhës. Këto janë zgjedhjet e 10-ta për Parlamentin e ri, që Shqipëria ka zhvilluar pas 1990, kur u rrëzua komunizmi dhe u lejua pluralizmi politik.

Zgjedhjet e para demokratike u zhvilluan më 31 mars 1991. Të dytat, më 22 mars 1992 kur PD erdhi për herë të parë në pushtet. Të tretat, më 26 maj 1996. Të katërtat, më 29 qershor 1997 kur PS u rikthye në pushtet pas trazirave antifajde të marsit të atij viti në të gjithë vendin. Të pestat, më 24 qershor 2001.

Zgjedhjet e gjashta parlamentare, u mbajtën më 3 korrik 2005, të cilat rikthyen PD në pushtet pas 8 vitesh në opozitë. Zgjedhjet e shtata, u mbajtën më 28 qershor 2009. Ato të teta, më 23 qershor 2013 kur PS u rikthye në pushtet pas 8 vitesh në opozitë. Zgjedhjet e nënta, u zhvilluan më 25 qershor 2017.

Interesant është fakti se në 24 vitet e fundit, nga 1997 e deri më tani, kemi patur tri rrotacione të njëpasnjëshme të pushtetit, nga PS tek PD dhe anasjelltas, në çdo 8 vjet. Pra mazhorancat, e kanë mbajtur pushtetin sistematikisht nga 2 mandate 4-vjeçare, rradhazi. Kjo ka qenë një shenjë e stabilitetit politik të vendit, sepse edhe kalimi i stafetës së pushtetit nga e majtë në të djathtë dhe e kundërta, është bërë në mënyrë të qetë e demokratike. Nuk ka patur kontestime për legjitimitetin e tyre e për rrjedhojë, nuk janë shoqëruar me trazira dhe tensione sociale në vend.

Pak muaj përpara votimeve të 30 qershorit 2019, opozita u kujtua të digjte mandatet e deputetëve të saj në Parlament, për të krijuar një situatë ekstremisht të paprecedentë në këto 30 vjet, shoqëruar më pas, edhe me bojkotin e zgjedhjeve lokale. Qëllimi ishte delegjitimimi i zgjedhjeve të parlamentare të 2017, me synimin për të marë një pazar politik, e për rrjedhojë fitoren e pushtetit në tavolinë.

Ky qëllim nuk u arrit, sepse 39 deputetë të pjesës së dytë të listave të PD, LSI dhe partive të tjera aleate me to, zunë vendet që u takonin në Parlament, duke krijuar opozitën e re institucionale. Ky zhvillim po sjell për pasojë, krijimin e të paktën 2 partive të reja politike. Njëra e drejtuar nga Muslim Murrizi dhe Halit Valteri, e tjetra nga Rudina Hajdari.

Nga sot deri në ditën e zgjedhjeve të reja të pranverës së ardhëshme, kanë mbetur edhe 7 muaj e gjysëm. Ose 33 javë. Ose, edhe 231 ditë të tjera.

Në votimet e 25 prillit 2021, PS synon fitoren e mandatit të tretë qeverisës radhazi, çka do të ishte një rekord i pa arritur asnjëherë më parë nga ndonjë parti apo koalicion, në këto 30 vitet e post komunizmit. Shanset për këtë, janë më të larta se kurrë, nisur nga mbështetja që gëzojnë socialistët në opinionin publik dhe qeveria e Kryeministrit Edi Rama, e cila del e favorizuar për këtë në të gjitha sondazhet profesionale të zhvilluara deri më sot.

Pas ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut të këtij viti, të votuara në Parlament, në zgjedhjet e reja ka risi me hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, ku qytetarëve i jepet mundësia të votojnë jo vetëm për siglën e partisë apo koalicionit, por edhe për emrin e deputetit që ata dëshirojnë që të dërgojnë me votën e tyre në Parlament.

Risi tjetër, është edhe regjistrimi i koalicioneve parazgjedhore. Të gjitha partitë që do bëjnë pjesë në një koalicion, do garojnë me listë të përbashkët, kandidatësh për deputetë. Deri tani PS është e sigurtë që do të jetë, si edhe më 2017, e vetme. “Opozita e Bashkuar”, ende nuk është deklaruar zyrtarisht. Por, mundësia është që PD të garojë me një listë më aleatët e saj më vete dhe LSI, me disa parti të tjera më vete. Edhe partitë e reja, parlamentare, më vete.

Në këtë mënyrë, në fletën e votimit pritet të jenë shënuar, jo më pak se 3 koalicione dhe jo më shumë se 5. Kjo është aritmetika e këtyre zgjedhjeve të reja, të sapo dekretuara nga Kreu i Shtetit./alpenews

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura