Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Dec 29, 2014 | 15:02
SHPËRNDAJE

Dhuroni një libër kuzhine!
Nëse ende ju ka mbetur dikush që nuk e keni kënaqur me dhuratë, jo sepse s’donit por për shkak të dilemave, një libër kuzhine në këto ditë festash është një dhuratë e vlefshme. Përveçse mund të hyjë në punë përgjatë gjithë vitit, është i pranishëm gjithnjë në vendin e preferuar të të gjithëve, në kuzhinë, sidomos kur është e tejmbushur me aromat dhe ngrohtësinë e këtyre ditëve. Titullin mund ta zgjidhni vetë, sipas shijes së dhuratëmarrësit!

Pjatat e mërzitshme të çdo viti
Nuk e di në ju duken edhe ju po aq të mërzitshme ato pjatat e përvitshme që bëhen, sepse erdhi data e fundit e muajit të fundit. Ndërroni shije! Provoni të bëni diçka të re edhe nëse nuk do t’ju pëlqejë njësoj si e para. Receta për këto ne kemi shkruar vazhdimisht. Mund të jenë gjëra të vogla e aspak impenjative, por që i japin tjetër pamje tryezës. Edhe syri, edhe qiellza kanë nevojë për gjëra të reja. Bisedat e gatimeve këto ditë “lejohen” më shumë se kurdo, prandaj mund të shkëmbeni receta me njëra-tjetrën. Të klikoni internetin, ka alternativa pa fund.

Kadaifi i kripur
Për ta përgatitur, nuk keni nevojë as të harxhoni gjysmën e pasdites e as të konsumoni 2 kg sheqer. Me kadaifin, ashtu siç e blini, mund të mbështillni karkaleca të mëdhenj dhe t’i kaloni pak në pjekje ose skuqje të ngadaltë. Për shkak të thatësisë së kadaifit, duhet gjithnjë të shoqërohet nga një salcë e lehtë për pjata peshku. Salca kokteil është Ok. Përveç karkalecit, mund të bëni edhe copa salmoni apo të krijoni thjesht forma shportëzash, të cilat t’i piqni e t’i mbushni me djathëra o proshuta që ju pëlqejnë.

Të ndaluara!
-Më shumë se 2 të prera bakllava (sado e vogël të jetë copa)
-Vlen njësoj edhe për kadaifin
-Konsiderojeni ndonjëherë ëmbëlsirë edhe panetonen, mos e hani si mandarinat.
-Lëreni mëlçinë të “përballojë” dehjen e parë përpara se
të nisni të dytën.

Gjeli me shije tjetër
Ndoshta në fund ju do ta bëni gjelin ashtu siç e keni bërë gjithnjë, ose thjesht do ta piqni në furrë. Ne po ju sjellim gjithsesi një recetë, që ndoshta nuk e keni provuar më parë. Përsheshin mund ta bëni një ditë tjetër. Ata të pilafit pastaj, le të mos i hyjnë fare kësaj pune ;) E mëposhtmja është një nga recetat me shije më të afërt asaj klasikes por, nëse doni, mund të eksperimentoni edhe duke shtuar fruta të thata, mollë, kumbulla etj…

Përbërësit:
Një gjel rreth 2 kg
3 qepë të kuqe
4 patate të mesme
400 gr gështenja
një degë rozmarinë
vaj ulliri
50 gr gjalpë
kripë, piper
verë të bardhë

Për mbushjen:
Zemra dhe mëlçia e gjelit
100 gr salsiçe të freskët
1 vezë
100 gr bukë të grirë
70 gr djathë parmixhan
Arrëmyshk
Piper
30 gr gjalpë
verë të bardhë

Përgatitja:
Zieni gështenjat për 10 minuta (rreth 200 gr) pasi t’i keni hapur fare pak në një pikë. Pasi të ftohen, pastrojini nga lëkura. Gështenjat e tjera piqini sërish duke i prerë pak me thikë.
Në një enë shkrini gjalpë për të nisur përgatitjen e mbushjes. Po aty kaurdisni të brendshmet e gjelit me salsiçen e prerë në copa të vogla. Shuajini me pak verë të bardhë dhe lërini në zjarr të fortë për pak minuta sa të avullojë vera. Të gjithë masën kalojeni në frulator dhe shtojini bukën e grirë, djathin, vezën, arrëmyshkun dhe sërish pak verë të bardhë. Rregulloni shijen me kripë dhe piper.
Pasi të keni pastruar gjelin, përpiquni që t’i vendosni pak gjalpë nën lëkurë. Brenda pjesës së barkut vendosni mbushjen që përgatitët. Lidheni pjesën e hapur me fije kuzhine. Në tavën që do vendosni në furrë, vini pak vaj ulliri dhe lëreni gjelin të marrë së pari një skuqje të lehtë dhe shuajeni me verë. Pas kësaj rivendoseni në furrë deri në përfundim të pjekjes.
Pas më shumë se një ore, shtoni patatet dhe gështenjat që poqët, aq sa për t’i pastruar nga lëkura. Lërini në furrë edhe për një gjysmë ore. Servirjen mund ta bëni si të doni, edhe duke shtuar gështenja të tjera.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura