Të gjitha rrugët të çojnë te frigoriferi

Dec 3, 2012 | 11:49
SHPËRNDAJE
Rene Rexhepi në restorantin “La Boheme” në Tiranë

Vizita disaorëshe e Rene Rexhepit në Tiranë.

Revolucioni i shefit danez në kuzhinën europiane.

Nën zhurmën e festimeve të 100-vjetorit, ardhja në Tiranë e shefit të kuzhinës së restorantit “Noma” në Kopenhagën, për të tretin vit i cilësuar si më i miri në botë, kaloi thuajse në heshtje. Gjithë aktivitetet e asaj dite e zbehën rëndësinë e ardhjes së një njeriu që, për shkak të 1001 angazhimeve, nuk mund të kthehet kurrë më. Sidoqoftë, ata që duan dhe kanë interes ta ndjekin, munden përmes internetit. Arrijnë të njohin kështu, qoftë edhe fare pak, prej filozofisë së punës së tij. Ndonjë  tjetër mundet edhe të vizitojë “Nomën”, vetëm se duhet të prenotojë që tani për të konsumuar një vakt që kushton afro 300 euro për person, por… duhet të presë të paktën 2 vite.
Rene Rexhepi, kuzhinieri më i famshëm për momentin në botë, mbërriti në Tiranë paraditen e 28 Nëntorit, bashkë me të atin, në restorantin “La Boheme”, ku kuzhinieri Bledar Kola, ka qenë nxënës i tij. “Nuk mendoja se do të vinte kjo ditë, që do të mund të vizitoja Shqipërinë me tim atë. Shëndeti i tij tashmë nuk është fort i mirë dhe nuk mund të udhëtojë më, si më parë. Dikur vinte në Shqipëri çdo vit, tani jo më”. Babai i Renesë është shqiptar Maqedonie, i emigruar në Danimarkë. Ka qenë ajri e fryma që ka marrë në atë tokë, atje në fshat te gjyshërit, që e bën Renenë atë që është sot. “Nëse nuk do të ishte për vendin e tim eti, për mënyrën se si jemi rritur, si na ka edukuar, unë nuk do të isha bërë kurrë kuzhinier. U jap këtë përgjigje të gjithë gazetarëve që më kanë pyetur, sepse kjo është gjëja e parë që duan të dinë. Pse zgjodhe kuzhinën? Kur shkoja në verë te gjyshërit, i shihja të mblidhnin gështenja, të milnin lopët, t’u këpusnin kokën pulave, të mbillnin e të korrnin, të piqnin bukën vetë. Aty jam ushqyer me dashurinë për tokën. Aty kam ngrënë bukë me domate, vaj e kripë, groshë, ndërsa në Danimarkë vetëm patate. E gjithë kjo kohë ka qenë vendimtare”.
Të njohësh sot mënyrën e tij të të punuarit, e beson se dashuria për kuzhinën, ka nisur pikërisht nga natyra. Zgjohet herët në mëngjes e shëtit nëpër pyje o nëpër brigje për të mbledhur ç’i nevojitet për pjatën që ka në kokë, a, nën hundë… Natyrisht që dashuria për natyrën, sado e madhe qoftë, nuk është shkop magjik. Rene ka punuar e studiuar me më të mirët. Adrian Ferra, paraardhësi për disa vite me radhë i çmimeve që sot po merr Rene, ka qenë mësuesi i tij. “Udhëtimi i parë më çoi në mitikun “Le Jardin des Senses” në Montpellier, pastaj te “El Bullí” të Ferran Adria. Të jesh pranë më të mirëve është vendimtare, sado që në fillim, kur më lindi ideja të hapja një restorant, “Nomën”, me kuzhinë nordike, njerëzit më vinin në lojë, askush nuk besonte. Shopenhauer thotë se në fillim të gjithë qeshin me ty, pastaj të kundërvihen, në fund thonë, ishte e qartë…”.
Sot, duhet të jesh me fat të drekosh apo darkosh në restorantin e tij, ku duhet thënë se gatuajnë shumë kuzhinierë të kombësive të ndryshme, natyrisht, të udhëhequr nga idetë e Renesë. Ai vetë, sa herë mundet, vazhdon ende të shërbejë nëpër tavolina. Madje është martuar pikërisht me një nga kamerieret e restorantit të tij, Nadian, me të cilën sot ka dy fëmijë.
Rene Rexhepi qëndroi në Tiranë vetëm për pak orë. Nuk do të ishin asnjëherë mjaftueshëm, por dolën sa për të ndarë një drekë me të ftuarit specialë të asaj dreke të gatuar nga një prej nxënësve të tij, Bledar Kola. Orët e para të pjesës së dytë të ditës i shkuan një vizite në pritjen e Kryeministrit e mandej atë të Presidentit. Pasdite vonë, u nis sërish për në fluturimet e tij anembanë botës, ku e ftojnë përditë e më shumë.

Uria dhe shpërdorimi, paradoksi i ushqimit
Një miliard njerëz të uritur e po aq obezë. Ndërsa 1.3 miliardë tonë ushqim përfundojnë në mbeturina. Ja disa zgjidhje nga guru-ja i ushqyerjes.
Emergjencat e ujit, e ardhmja e OMGJ, shpërdorimi i ushqimit, obeziteti dhe kequshqyerja: këto do të jenë tematikat e Forumit Internacional të Ushqyerjes më 30 nëntor. Do të jenë të ftuar ekspertë botërorë, që do të diskutojnë në Milano rreth paradokseve të ushqimit. Mes tyre, Umberto Veronesi, i cili thotë: “Sot bota ka 7 miliardë banorë. Thuajse 1 miliard prej tyre janë të uritur e po kaq janë obezë. A ka për të ngrënë për të gjithë? Po ka, nëse nuk përfshijnë edhe 3 miliardë kafshë që përfitojnë 1/3 e të gjitha rezervave bujqësore botërore”. Një nga objektivat për të përmirësuar jetën në tokë, është të pakësohet konsumi i mishit. Dietat vegjetariane bëjnë mirë për shëndetin dhe thuhet se të zgjasin jetën me 7 vite. Nga studimet rezulton se ushqimet më të shëndetshme janë bishtajoret, frutat, perimet. Mishi është produkti që dëmton më shumë ambientin: për çdo 1 kg mish, konsumohen 150 litra ujë dhe futen në atmosferë 36.4 kg CO2. Në forum nuk mund të lihej mënjanë shpërdorimi. 1.3 miliardë ton ushqim përfundojnë në plehra. Drejtori i Përgjithshëm i Konsumatorit Europian jep disa këshilla për të kufizuar shpërdorimin. “Shkoni ta bëni pazarin pas dreke, jo kur jeni të uritur, do të blini me siguri më pak. Të mos ju vijë zor të merrni me vete ato ç’kanë tepruar në restorant. Në Amerikë është një proces i zakonshëm. Përdorni pak fantazi në kuzhinë për të ripërdorur ushqimet e mbetura në një formë tjetër”.

Hamburger me thjerrëza, qiqra, djathë dhe qepë
Një hamburger i vërtetë vegjetarian. Një pjatë, që ndër të tjera pëlqehet shumë edhe nga fëmijët. Kështu mund të kalojë edhe ndonjë ditë tjetër e javës pa mish, përveç të hënës.

Në një tigan ngrohni pak vaj ulliri dhe shtoni qepën e grirë imët. Skuqeni në zjarr të ngadaltë derisa të marrë ngjyrë. Shtoni hudhrën, kumi pluhur e piperin dhe vazhdoni edhe për 30 sekonda. Hiqeni nga zjarri. Thjerrëzat dhe qiqrat vërini në një enë dhe shtypini ose futini në mikser. Shtoni aty masën e qepës, majdanozin dhe vazhdoni me mikserin, derisa të bëhet një masë homogjene. Shtoni një vezë, pak bukë pluhur, piper dhe arrë moskat. Jepini brumit formën e hamburgerit, kalojeni në pak miell dhe skuqini ose piqini. Mund t’i shërbeni njësoj si hamburgerin në panine me sallatë, domate dhe salcat e preferuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura