Të “fortët” e arrestuar në Shkodër, biznesmenë, sportistë dhe kreu i PBDNJ-së

Sep 7, 2018 | 16:17
SHPËRNDAJE

Të arrestuarit e dyshuar si elementë kriminalë janë persona që njihen në Shkodër, disa prej të cilëve për shkak të angazhimeve politike, në sport apo edhe në biznes, shkruan “Panorama”.

I arrestuari Erogen Brajoviç, kreu i PBDNJ në Shkodër
I arrestuari Erogen Brajoviç, kreu i PBDNJ në Shkodër

Njëri prej tyre, konkretisht Ilir Rustemi (Bajri), nuk është emër i panjohur për Policinë e Shtetit për shkak se ai rezulton me precedentë penalë. 42-vjeçari është pjesë e fisit Bajri në Shkodër, akuzuar nga opozita si një bandë kriminale e lidhur ngushtë me qeverinë.

Ai është vëllai i Safet Bajrit, i cili u bë para pak kohësh pjesë e debatit politik si shqiptari më i kërkuar në Belgjikë dhe si një element i rrezikshëm kriminal, që lëviz i lirë në një kohë që në këtë shtet rezulton i dënuar.

Arrestimet ne Shkoder
Arrestimet ne Shkoder

Më datë 28.01.2000, në fshatin Dobraç, dyshohet se ai ka vrarë me armë zjarri shtetasin Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër penale, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar me dy vjet burgim. Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, me vendim të datës 27 shkurt 2007, e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Ndërkaq, në vitin 1999, në lagjen “Dobraç” të qytetit të Shkodrës, Ilir Bajri, djali i xhaxhait të tij, Behar Bajri, dhe Frederik Totaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy qytetarëve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion.

Ilir Bajri dhe Behar Bajri kanë qenë të dyshuar për ngjarjen e datës 15.02.2001 në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi. Gjithashtu, Ilir Bajri është dyshuar se më 4 gushtit të vitit 2007, ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.

Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë. Ai u dënua me 15 vjet burg dhe më pas u arratis, pasi burgu i dha leje. Ai u arrestua sërish, por nuk ka të dhëna sesi e ka fituar lirinë më tej. Edhe në vitin 2016, Ilir Bajri dyshohet si pjesëmarrës në një shkëmbim zjarri në qendër të qytetit të Shkodrës.

Shumica prej ngjarjeve të mësipërme nuk u faktuan dot me prova dhe ai nuk ka marrë dënim për to.

Asmer Bilali
Asmer Bilali

I arrestuari tjetër, Astmer Bilali, është një ish-sportist i njohur në qytetin e Shkodrës. Për disa vite, ishte kampion kombëtar me Vllazninë, pjesë e ekipit kombëtar, por edhe fitues i medaljeve në aktivitete ndërkombëtare. Më përpara, Astmer Bilali është arrestuar pas një sherri në një fushë futbolli, por pasi kreu dënimin, u lirua. Kohët e fundit është shoqëruar me pjesëtarë të familjes Bajri.

Në vrasjen e 30- vjeçarit Arjan Ferracaku ka dyshime të forta se autorët kanë ngatërruar Ferracakun me Astmer Bilalin dhe se objektiv ka qenë pikërisht ishboksieri 29-vjeçar. Ndërsa i arrestuari Emrah Plaku është vetëm 22 vjeç dhe, sipas të dhënave, nuk ka precedentë të mëparshëm kriminalë.

Ai është i afërm i familjes Bajri. I arrestuari Erogen Brajoviç është ish-futbollist i Vllaznisë për disa vite. Më pas ka qenë anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës me partinë PBDNJ dhe aktualisht është drejtues i kësaj force politike në Shkodër. Brajoviç është një person aktiv në jetën publike të Shkodrës, i fokusuar jo vetëm te çështjet politike, por edhe ato sportive. Është i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ndërsa është edhe një biznesmen i suksesshëm i qytetit.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura