Të fitosh zgjedhjet gjatë rrugës për në BE

Apr 28, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

leonidha mertiriLEONIDHA MËRTIRI

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i fitoi zgjedhjet e fundit parlamentare. Partia Progresive Serbe (SNS), lider i së cilës ai është, sipas rezultateve të deritanishme, ka marrë rreth 50 për qind të votave. Partia Socialiste Serbe, me rreth 11.2 për qind, vjen pas Partisë Progresive Serbe. Ajo që bie në sy në këto zgjedhje është shfaqja dhe kthimi në skenën parlamentare të partive të djathta, të cilat në zgjedhjet e mëparshme ishin larg pragut zgjedhor.

Kështu, Partia Radikale Serbe e Vojislav Sheshelit, të akuzuarit të njohur për krime lufte, parashihet të jetë në vendin e tretë me 7.7 për qind. Parti të tjera nuk e arritën pragun si koalicion, si ato të ish-presidentit Boris Tadiç, Çedomir Jovanoviç, i njohur ky për deklaratat e tij, sipas të cilave, çështja e Kosovës është punë e kryer; Nenad Çanak, të cilët janë parë si liberalë në Serbi, por që, duke qenë edhe të përçarë si opozitë, nuk mund të mos ndëshkoheshin në këto zgjedhje.

Ende pa dalë mirë rezultatet përfundimtare, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Mogherini, në një bisedë telefonike me Vuçiçin, shprehu besimin se qeveria e re serbe do të vazhdojë rrugën europiane. Edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, duke vlerësuar në një konferencë shtypi zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, nënvizoi kënaqësinë që do të bashkëpunonin me qeverinë serbe, duke vazhduar së ndërtuari marrëdhënie të forta mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.

Sigurisht, kjo është një fitore reale e Aleksandër Vuçiçit, ish- ministrit të dikurshëm të Informacionit gjatë sundimit të diktatorit Sllobodan Millosheviç. Krahas triumfit në zgjedhje, media të ndryshme nxitojnë të kujtojnë dhe anën e vet të zymtë që lidhet pra, me të kaluarën e tij.

Themelimi më vonë nga Vuçiç i Partisë Progresiste Serbe, pa munguar dhe kërkimi i ndjesës për çka kishte kaluar, lëvizjet e mëvonshme, me fizionominë e një populisti, ndihmuan në rritjen e reputacionit, jo vetëm te një masë e madhe brenda vendit, por të fitojë besimin edhe të ndërkombëtarëve. Dhe, e tërë kjo, nuk ka qenë e lehtë për të, duke ngulmuar në të njëjtën kohë dhe në gjetjen e motiveve për kthesën e bërë.

Ndaj me të drejtë, sikurse citon në një nga numrat e fundit të gazetës franceze “Le Monde”, tek ai “ka ende njëfarë ambiguiteti, duke mos e fshehur kurrë se heqja dorë nga ultranacionalizmi dhe përqafimi i Europës ishin para së gjithash të përcaktuara nga nevojat ekonomike”. Ajo që bie dhe këto ditë në sy te Vuçiçi është fakti që, fitoren e koalicionit qeverisës ai e shikon dhe më tej të pandarë nga udhëheqja e shtetit në rrugën e integrimit europian dhe standardeve europiane të jetesës.

Sikurse u pa, edhe fushata e tij u parapri nga politika europiane, nga përpjekjet e Serbisë për integrimin e saj në Bashkimin Europian. Dhe, rezultati i zgjedhjeve tregoi se Vuçiçi ka përkrahjen e më shumë se gjysmës së elektoratit. Është dhe kjo një nga arsyet jo të pakta, me sa duket, që zgjedhjet e parakohshme, këto në sajë të këmbënguljes së tij, të shërbenin edhe si një referendum, nëse Serbia dëshironte të ishte një vend modern europian, që do të donte të ardhmen apo të kaluarën.

Në këtë rrugëtim ai nuk lë të shkëputura raportet e njohura tradicionale ndërshtetërore me Rusinë, të cilat shpesh glorifikohen, por edhe me vende të tjera, si Kina etj. Serbia është tashmë në hapat e parë të hapjes së kapitujve për anëtarësim në BE. Vuçiç do të ketë sërish përballë ultranacionalistët. Kthimi i ekstremistëve nacionalistë, tani dhe në Parlament, nuk do të jetë pa trazira.

Cili do të jetë qëndrimi i mëtejshëm i të moderuarit Vuçiç, siç e ka përcaktuar atë Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Po i aleatëve të tij në qeverinë e re, ku më të mundshmit mendohet të jenë socialistët e Ivica Daçiçit, të cilët dhe ata vetë, edhe pse patën rezultate të dobëta, janë të interesuar të bashkëqeverisin me Partinë Progresive Serbe. Integrimi europian i vendit kërkon përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme, duke lënë mënjanë çdo preferencë të deritanishme që mund t’i jetë bërë Serbisë.

Si mund të anëtarësohet ajo në BE, pa njohjen e pavarësisë së Kosovës? Kosova, ndërkohë, ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në. Të dyja janë pjesë e Europës. Në emër të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, ndërkombëtarët përpiqen të mbajnë zgjuar dialogun, duke u paradalë acarimeve të mundshme.

Për BE-në ky dialog është prioritet, sikurse mbetet dhe për këto vende, pa mënjanuar prej tyre problemet e mprehta që ekzistojnë në to.

Respektimi i standardeve europiane nga Serbia, jo duke u prirë nga standardet e dyfishta, larg çdo histerizmi, mbetet dhe më tej për Vuçiçin dhe qeverinë që pritet të krijohet këto ditë, në fokus të veprimtarisë së tyre, duke i dhënë në këtë mënyrë edhe procesit të demokratizimit në vend frymëmarrje më të gjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura