Të duash ËSHTË urgjente!

Aug 20, 2018 | 12:01
SHPËRNDAJE

RAIMONDA SHUNDI DERVISHI

“Ne duam ose shumë pak, ose shumë vonë”, është kjo nisja e monologut brilant të aktorit dhe regjisorit nobelist Roberto Benigni mbi dashurinë dhe konceptin e lumturisë. Natyrshëm që skeptikët apo ata që kanë qenë të privuar për shumë arsye nga ky bekim, e gjykojnë si moralizimn e radhës.

Është mëkat të kesh në posedim këtë çudi humane, të cilën mekanizmi ynë perfekt e ka fshehur qëllimisht diku në qoshet e pafundme të trupit tonë jetësor. Por, çfarë është dashuria? Është ndjenja më sublime që depërton shpirtin. Asgjë nuk është më e dyshimtë se ajo, përfshirë edhe vetë njeriun. Nëse nis ta përjetosh këtë magji, gjithçka rreth teje tjetërson vlerat, hiperbolizon bukurinë dhe sheh prezencën e atyre gjërave, që deri më parë as që kishin marrë vëmendjen tënde. Nuk ekziston asnjë mjet më i lexueshëm se zemra jote kur je në ELIZIRIN E DASHURISË.

Raimonda Dervishi Shundi
Raimonda Dervishi Shundi

Ndaj, është shumë herë më mirë të mos i kesh aktive armët që i përdorim pa fund në mbretërinë e mbijetesës, ndonëse shpirti ynë nxiton për dashurinë në një rrënim të madh. Por është një rrënim triumfues, adrenalitik. Dashuri do të thotë të japësh, e jo të marrësh. Por, nëse prej fatit edhe t’i mundesh të marrësh??… Ajo është vetë parajsa. Ndaj, duhet të jetë misioni yt i radhës dhe në këtë rast ose aksh,…. ky është momenti yt për ta gjetur atë. Kurrë nuk është vonë të lësh pas dorë gjithçka të rëndësishme që kishe në plan për t’iu nisur kërkimit të dashurisë e tok me të, lumturisë.

Kushdo e ka vetë në dorë këtë mundësi, kërkimin e asaj që e rimodelon në kufijtë e purifikimit. Është si uji që pastron organizmin tonë të helmuar nga ajo çka ne e bëjmë pis. Nëse je në kërkim të këtij bekimi, përpiqu t’u afrohesh kujtimeve më të pastra nga ajo çka ende nuk e ke fshirë prej blozës të së përditshmes. Kujto se dikur edhe ti ishe më i bukur kur krahasohesh me rrjedhën e ditëve të sotme ekzistenciale. Sytë e nënës, vëllait, motrës, mikut, qenit apo maces tënde të dashur, janë një pjesë e adresave ku t’i duhet ta kërkosh.

“Është aty lumturia,- thotë Benigni në monologun e tij,-është e fshehur diku dhe duhet ta kërkosh si ai qeni që kërkon kockën e tij të fshehur, është dhurata më e çmuar që kemi, ndaj është fshehur mirë”. Dhe teksa përhiqem të gjej lumturinë time, procesi i parë është dashuria, nëse fal dashuri, patjetër që do ta marrësh atë. Personat që kemi pranë janë ata që munden ta shijojnë transformimin tonë dashuror. Ndaj, mos u kurseni, FALNI dhe dhuroni dashuri, është hapi i parë. Llogaritë në e meritojmë ose jo, janë helmi i kurthit të radhës, e kjo na bën shumë të kursyer.

Koha e konsumimit dhe bota virtuale është një tjetër helm ku duhet t’i marrim vetëm të mirat që na ofron bujarisht, e kjo është e thjeshtë. Le të na shërbejë për t’u lidhur më shpejt me ata që kemi ose na kanë lënduar. Letrat e dikurshme tashmë janë kthyer në prakticitetin që vetëm kjo kohë ta kthen shumë shpejt të realizueshme. Shkruaj bukur dhe me dashuri për ata ç’ka ke frikë se vendos në evidencë DOBËSINË tënde. Thuaje se je e(I) rëndësishëm për mua.

Sinqeriteti është çarmatimi më i fortë që kemi. Njësoj si kur ishim fëmijë dhe fshihnin prapësitë tonë emocionuese. Rrëfimi na bënte shpeshherë krenar me veten, pavarësisht ndëshkimit pasi dolëm dinjitozë, si dhe kaluam një provë të fort kurajoje. Dashuria për të shtrenjtit tanë është komplekse pasi jemi ne që i kompleksojmë ato. Ja të përpiqemi t’i heqim barrët e tepërta. Nisim me një përqafim personit me ata që dukeshin “pak të dashur”, ose atij që na ka lënduar. Ja te përpiqemi të kalojmë kufijtë e inatit tonë për t’u përfshirë në reaksionin me epik personal, lumturimin.

Lumturohu teksa lumturon dikë që lumturia ishte zhdukur dhe pas kësaj…. vdekja largohet një hap me tej. Për ju që teksa mendoni sesi duhet të çliroheni nga brenga e mëkatit kur bëni bamirësi, mundohuni pak më shumë të mos lëndoni apo bëni keq, shiheni si objektivin tuaj prioritar të katarsisit, natyrisht pa iu ndarë edhe atij të bamirësisë.

Kjo ju bën më të mirë duke marrë kënaqësinë, krenarinë e merituar të të qenurit NJERI. Kështu i afroheni shumë pranë lumturisë së bekuar. Thjeshtësia është mrekullia që prekim çdo ditë, ajo na afron drejt origjinës e rrjedhimisht më afër dashurisë. “Adhuroni kënaqësitë e thjeshta”, këshillon Oscar Wilde. Unë po përpiqem, shpresoj që edhe ju që po më lexoni të bëheni pjesë e kërkimit tim. Ejani ta kërkojmë së bashku, është projekti më i bukur që po bëjmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura