“Të drejtat e autorit”, Saimir Kumbaro i drejtohet Gjykatës

Feb 14, 2020 | 11:55
SHPËRNDAJE

Ndryshimet në ligjin “Për të drejtat e autorit” gjatë 2016-ës, kur shefe e Kulturës ishte ende Mirela Kumbaro, bënë që të shtoheshin agjencitë që monitorojnë dhe pretendojnë të mbrojnë të drejtat e pronës intelektuale.Saimir-Kumbaro

Ndërsa në 2019-n këto agjenci kanë grumbulluar miliona, regjisori Saimir Kumbaro, në krye të Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit, tregon se si prej dyerve të organizatës që ai drejton, kompozitorët, regjisorët, skenaristët dhe drejtorët e fotografive dalin prej zyrës së FMAA-s thuajse “duarbosh”.

Në absurdin e situatës së krijuar, ku FMAA-së i duhet të shpërblejë 4 prej komponentëve krijues të audiovizualit me 200 mijë lekë të akorduara për vitin që lamë pas (të cilat nuk mjaftojnë, siç shprehet regjisori, as për shpenzimet mujore të zyrës), e ku platformat televizive tregohen indiferente ndaj së drejtës së krijuesve, duke u justifikuar me faktin se “llogaritë do t’i mbyllin” me SUADA-n (Sporteli Unik për Administrimin e së Drejtës së Autorit, agjencia që shpërndan honorarët), regjisorit nuk i mbetet tjetër veç t’i drejtohet Gjykatës. Pas injorimit të kërkesës së tij dhe kineastëve të tjerë, drejtuar QKK-së për ndalimin e transmetimit të filmave para ’90-s, FMAA ka hedhur në gjyq një prej platformave dixhitale, për të cilën Kumbaro pretendon se ka shkelur ligjin “Për të drejtat e autorit”. “Ky proces do të vijojë edhe me të tjerat derisa të merren masa apo të ndalohet shfaqja e filmave ’90-s”, shprehet regjisori për “Panoramën”.

Zoti Kumbaro, pas injorimit të thirrjeve tuaja publike për rishikim të ligjit dhe të funksionimit të agjencive ngritur rishtas vitet e fundit për mbrojtjen e “Të drejtës së autorit”, ju i jeni drejtuar Gjykatës. A jeni përpjekur të krijoni ura komunikimi me platformat televizive për të arritur një zgjidhje?

Për sa i përket platformës së parë që kemi paditur, unë kam biseduar dhe e ua kam shtruar paraprakisht çështjen. Madje, i kam paralajmëruar se nëse nuk marrin masa, do t’i hidhja në gjyq. Hasa në indiferencën totale të tyre dhe ndonëse përpiqen të justifikohen me faktin se paguajnë te SUADA, mund të them se deri tani nuk kanë paguar asnjë lekë. Përpos kësaj, pagesat që mund të bëhen janë të paspecifikuara, pra, nuk deklarohet shuma për secilin nga komponentët si regjisorë, kompozitorë, skenaristë dhe drejtorë fotografie.

Keni kërkuar ndihmën e Qendrës Kombëtare të Filmit dhe Ministrisë së Kulturës për zgjidhjen e çështjes?

Qendra Kombëtare, verbalisht, na jep të drejtë dhe jo pak herë ka parë si zgjidhje rrugën e drejtësisë, edhe pse nuk qe ky institucion që e ndërmori këtë hap. Në gjyq i hodhëm ne të FMAA-së, edhe pse i takonte QKK-së si administratore ta zgjidhte çështjen. Nga ana financiare, ky institucion është më i fuqishëm dhe normalisht do të kishte qenë mirë nëse do të kishte reaguar, edhe pse materialet e nevojshme për në Gjykatë unë i kam marrë nga AMA. Kam të gjitha DVD-të që tregojnë se kur dhe sa herë janë shfaqur filmat shqiptarë dhe shkeljet që janë bërë janë shumë të mëdha.Kjo që po na ndodh ne, nuk ka precedent në asnjë vend të botës. Ne si krijues, të gjendur në një situatë absurde mosshpërblimi, kemi kërkuar qershorin që lamë pas që të mos na shfaqen filmat, por jemi injoruar totalisht. Filmat tanë shfaqen në mungesë totale transparence dhe si rezultat të 4 komponentët e filmit mbeten thuajse të pashpërblyer.

Si po reagojnë kineastët ndaj kësaj situate?

Një nga të fundit që më është ankuar ka qenë Dhimitër Anagnosti, që është një regjisor me vlera. Vjen puna që edhe atij ia marrin filmin, ia cungojnë dhe askush nuk thotë asgjë. Erdhi e më tregoi për rastin e filmit “Gjoleka, djali i Abazit”. Filmin e kanë marrë siç ndodh rëndom në këto programet satirike, duke e copëtuar edhe montuar në varësi të tematikës. “Të paktën të më kishin pyetur, të më marrin leje në telefon”, më tha Anagnosti. Mirëpo, e njëjta gjë më ka ndodhur dhe mua, së fundmi me filmin “Koncert në vitin 1936”, ku koka e Bert Ndrenikës u zëvendësua me atë të Lul Bashës, ndërsa e Albert Verrisë me Berishën. Krahas keqpërdorimit, problemi kryesor qëndron te pirateria, e cila kulmin e ka arritur në 2019-n dhe vijon ende sot, pasi askush nuk thotë asgjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura