Të dielën, qytetarët votojnë për herë të tretë këtë vit

Nov 13, 2017 | 20:28
SHPËRNDAJE

Qytetarët do të votojnë për herë të tretë me radhë brenda këtij viti në zgjedhjet e balotazhit të së dielës, pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe rundit të parë të zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.

Në balotazhin e 19 nëntorit, kutive të votimit do t’u drejtohen 1 milion e 353 mijë e 613 qytetarë me të drejtë vote, raporton KTV.

vota-preview_1510599500-8680088

Shoqëria civile dhe njohës të qeverisjes lokale, thonë se me të përfunduar zgjedhjet e balotazhit, duhet nisur ndryshimet për reformën zgjedhore.

Besnik Tahiri nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, thotë se mbajtja apo jo e balotazhit i ka përparësitë dhe mangësitë e veta, por e sheh të nevojshme heqjen e tij.

Valmir Ismajli nga “Demokracia Plus”, mendon se për t’u larguar balotazhi duhet të bëhet edhe reforma zgjedhore. Me këtë, sipas tij, do të kurseheshin edhe paratë e shtetit.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, nuk e ka komentuar se a duhet apo jo të hiqet balotazhi.

Ajo ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e balotazhit, që do të mbahen në 19 komunat e Kosovës.

Përveç Pejës, komunat e tjera të mëdha do të shkojnë në balotazh për të zgjedhur të parin e komunës. LDK’ja garon në 12 komuna, PDK’ja në 9, Vetëvendosje në 6 komuna, AAK’ja në 5 komuna, ndërsa AKR’ja, Nisma dhe Alternativa garojnë me nga një komunë.

Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme më 11 qershor, i ka kushtuar buxhetit të shtetit 4 milionë e 944 mijë e 900 euro.

Për zgjedhjet lokale të 22 tetorit janë ndarë nga buxheti i shtetit 6.1 milionë euro, por kjo shifër mund edhe të rritet deri në shpalljen përfundimtare edhe të rezultatit të zgjedhjeve të balotazhit.

Në total, dy palë zgjedhjet i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 11 milionë euro.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura