Të dënuar në Itali për drogë, si u arrestuan vëllezërit nga Vlora që u vunë në shënjestrën e OFL. Operacioni zgjati 3 ditë

Feb 18, 2020 | 9:41
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Pas sekuestrimit të disa mjeteve luksoze dhe të blinduara në Vlorë, OFL ka nisur kërkesat e para atje për deklarimin e burimit të pasurisë.

OFL bjondja

Dy vëllezërit, Mikel dhe Altin Çuçaj, 43 e 45 vjeç, kanë marrë letër nga Operacioni Forca e Ligjit, në kuadër të aktit normativ për masat pasurore ndaj individëve të dënuar dhe akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda.

Vëllezërit nga Vlora rezulton të jenë dënuar nga Gjykata e Torinos në Itali, me nga 14 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

“Në vijim të veprimeve, bazuar në aktin normativ nr.1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve: Altin Çuçaj, banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’; Mikel Çuçaj, banues në Vlorë, pasi është dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për ‘Trafikim të lëndëve narkotike’.

Këta individë, si subjekt i ligjit special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut për veprime të mëtejshme. OFL bën me dije se formularët e plotësuar nga personat që u është kërkuar vetëdeklarimi janë dorëzuar në SPAK, sipas përcaktimit në aktin normativ nr.1, të datës 31 janar 2020. Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi”, tha dje zëdhënësja e OFLsë gjatë deklaratës së radhës.

VËLLEZËRIT

Më 12 shtator të vitit 2011, një operacion i përbashkët i Policisë shqiptare dhe asaj italiane që zgjati tri ditë, arrestoi në 8 qytete 15 shqiptarë të shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge, prostitucion, vrasje e armëmbajtje pa leje.

Ky operacion i realizuar me asistencën e oficerëve italianë të kontaktit, nisi në Laç me arrestimin nga Forcat Speciale RENEA, të një personi të shumëkërkuar nga Italia për vrasje dhe i arratisur nga burgu i sigurisë së lartë në Milano.

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgoj, doli vetë në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se për të gjithë personat e arrestuar do të nisë hetimi i pasurive, të cilat do të sekuestrohen. Mes të arrestuarve në atë kohë ishin edhe vëllezërit Altin e Mikel Çuçaj.

“Ky operacion i rëndësishëm është organizuar dhe zhvilluar nga data 8 shtator 2011 deri më datë 11 shtator 2011, nga strukturat e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Departamentin për Sigurinë Publike, Drejtorinë e Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar, si dhe Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, Berat, Vlorë dhe Tiranë. Kurorëzimi me sukses i këtij operacioni është bërë i mundur në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet policore italiane dhe Zyrën e Ndërlidhjes Interforze të Policisë italiane në Shqipëri”, u shpreh Burgaj gjatë deklaratës së tij.

Gjithashtu, ish-kreu u Policisë së Shtetit shprehej në atë kohë se, “Nga strukturat e Policisë së Shtetit do të hetohen dhe pasuritë e këtyre shtetasve, duke konkluduar sipas rastit dhe me sekuestrimet e tyre në përputhje me aktet ligjore”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura