Të burgosurit ekspozojnë piktura në Galerinë e Arteve

Apr 30, 2015 | 21:34
SHPËRNDAJE

Një nga kthinat e Galerisë së Arteve shërbeu ditën e djeshme për të ekspozuar disa punë jo fort të zakonshme. Pikturat ose punimet artizanale realizuar me shtizë ishin të të burgosurve.

Kryesonin pikturat e realizuara nga puna krijuese në institucionet e burrave, prej nga doli edhe vendi i parë. Pikturën e shegëve, fituesi e realizoi në burg, sado që aty ndenji vetëm dy muaj. Meqenëse mori çmim e tashmë është i liruar, ia dhuroi punën e tij koleksionit të pikturave të të burgosurve. Fituesi Vesel Hoxha ka qenë ish-student i Akademisë së Arteve. Vendi i dytë shkoi për Albana Lazen, e cila realizonte punime artizanale me rruaza. Ky event është organizuar në vijim të aktiviteteve me karakter kulturor nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, për personat me liri të kufizuar. Ekspozita erdhi pas disa konkurseve të zhvilluara në të gjitha IEVP-ve, nga ku u përzgjodhën 50 punime.

PUNIMET ARTIZANALE TË GRAVE ME LIRI TË KUFIZUAR

Puna krijuese në IEVP “Ali Demi”, mundësimi i ushtrimit të prirjeve në punë artizanale, pikturë etj., është pjesë e veprimtarisë së përgjithshme dhe organizimit të jetës social–kulturore në funksion të rehabilitimit të të burgosurave. Në fillimet e tyre, gratë e burgosura i përdornin punimet artizanale me grep, shtiza dhe qëndisma si terapi dhe si një mënyrë për të kaluar kohën e lirë. Modelet e këtyre punimeve, të dënuarat ia “trashëgonin” njëra-tjetrës, apo i siguronin nëpërmjet revistave për punime të këtij lloji. Panairet dhe ekspozitat e punimeve artizanale (grep, shtiza, rruaza, pikturë) janë organizuar disa herë në vit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe me OJF të ndryshme brenda dhe jashtë institucionit.

KRIJIMET E BURRAVE ME LIRI TË KUFIZUAR

Në institucionet e vuajtjes së dënimeve penale dhe në qendrat e paraburgimit zhvillohen prej vitesh programet e “Terapisë së artit”. Të miturit e paraburgosur janë edukuar përmes artit si një mjet për të shprehur fantazinë, për të zbutur reagimin ndaj izolimit, si dhe për të nxitur përshtatjen me komunitetin e ri të personave me liri të kufizuar. Në të gjitha IEV Penale janë zhvilluar kurse arti në pikturë e skulpturë, që kanë nxjerrë në pah talente të reja Në sajë të këtyre kurseve, sot janë “trashëguar” teknikat e punimit në gur, kashtë, dru në IEVP Fushë-Krujë, Lushnjë, Elbasan etj. Ndërsa punimet në pikturë kanë stimuluar më së tepërmi të rinjtë dhe të miturit të vendosur kryesisht në IEVP Kavajë, “Mine Peza” (302) dhe Vlorë, kanë patur mundësinë t’i ekspozojnë punimet e tyre gjatë aktiviteteve.

NGA ANI JAUPAJ 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura