Të bësh dashuri në film është njësoj si në jetë? Josif Sina nudo në shfaqjen me dyer të mbyllura: Rrëfej të vërteta që ia themi vetëm pasqyrës

Sep 27, 2020 | 22:15
SHPËRNDAJE

Nga Klotilda Harka/ Ai është protagonisti i shfaqjes “Bosh” që po komentohet këto ditë në Tiranë, pasi ka nuditet dhe nuk lejohen fotot e videot.

Josif Sina është modeli i mashkullit ndryshe në këtë shfaqje të pazakontë, i cili me filozofinë dhe botën e tij shpirtërore ka vendosur të sfidojë mentalitetin, duke bërë një thirrje të fortë artistike për të reflektuar së bashku e për të mos humbur ndjeshmërinë e të qenit njeri prej gjaku e shpirti.

Në këtë intervistë për “Panorama Plus” Josifi rrëfen botën e artistit që sjell vizionin e së ardhmes.

Ejani dhe në intimitet të shijojmë gjithçka që duhet të mbetet intime. Plus 18, ka nuditet, ndalohen fotot dhe videot!, këto janë fjalët me të cilat t’i fton publikun në shfaqjen tuaj…Kemi të bëjmë me një performancë më shumë se të guximshme duke u nisur nga ftesa?

Kjo shfaqje që u dha mbrëmë në një hapësirë alternative siç është “Tunèl tarrace”, në tarracën e Biblotekës Kombëtare është performanca e një grupi të rinjsh, që na ka mbledhur së bashku dashuria e pakushtëzuar për profesionin, dhe dëshira për të shpërndarë vizionin dhe karakterin tonë artistik! Shfaqja ka një ndërthurje të teatrit, kërcimit kontemporan dhe muzikës techno. Filozofia që sjellim është se mund të shndërrohemi nga masa, por nuk duhet të humbasin ndjeshmërinë, emocionin, mendimin, lirinë dhe qenit njeri. Ftesa jonë ishte të reflektojmë së bashku për heshtjen dhe indiferencën tonë!

E ç’fshihet pak kësaj ftese për intimitet, ç’ndodhi në minutat e shfaqjes +18?

Intimiteti ka të bëjë me sinqeritetin e personazhit për të folur për ato pika në jetën e tij, që mund t’ia thoshte vetëm pasqyrës. Kemi një personazh, i cili është i izoluar nga prindërit, komuniteti apo shoqëria ku jeton, në një dhomë të ndërtuar hallkë pas hallke nga mentaliteti i prapambetur, i mykur në kohë si një ujë i pisët dhe i ndenjur që kundërmon erë, nga dogmat dhe supersticionet, nga injoranca dhe frika e tepruar për të pranuar të renë, ndryshimin apo të panjohurën.

Dhe sigurisht nga një derë e izoluar hermetikisht, që është krenaria e kësaj shoqërie për të gjitha cilësitë e lartpërmendura. Shfaqja është + 18 për arsyen e qartë që karakteri, në pjesën më të madhe të shfaqjes është nudo.

Të thuash të vërteta lakuriqe në këtë realitet kompromisesh, është si të luftosh me mullinjtë e erës apo ambicia jote si artist është të bësh revolucion?

Mendimi im është që shprehja: Të luftosh me mullinjtë e erës, është të kesh humbur shpresën për të luftuar! Dhe unë kam shpresën dhe do mundohem ta them gjithmonë të vërtetën lakuriqe, nëpërmjet artit që ekzekutoj deri në momentin e fundit, qoftë edhe nëse gjithë bota të dojë të jetë e shurdhër. Sikur vetëm dy apo tre vetë ta shohin të vërtetën time, do të ndjehem mjaftueshmërisht i lumtur dhe do ia kem arritur qëllimit tim, dhe do ta kem transmetuar diku vizionin tim! Bota e kompromiseve është krijuar dhe është zhvilluar nga ne, nga qenia humane, dhe ne si qenie humane kemi fuqinë që të kryejmë transformime!

Si model me pamjen që bie në sy pasi shfaqesh ndryshe, ç’lloj karakteri përfaqëson?

Unë zgjohem çdo ditë duke menduar me veten që kam shumë, po shumë për të mësuar. Bota, qenia humane është pafundësisht komplekse dhe kam aq shumë për të mësuar. Motoja ime në jetë është të jem në paqe me veten dhe ta dua veten, pasi kush do veten ka dashuri për gjithë botën. Por nuk di a do mund të gjeja një fjalë apo një fjali për të përkufizuar veten!

Demonstron një ndërthurje të maskilitetit fizik me sensualitetin shpirtëror. A është ky mashkulli i së ardhmes?

Mendoj që lufta më e madhe botërore janë përkufizimet. Kam përshtypjen që duhet një studim psikologjik për këtë çështje, por sipas mendimit tim çdo qenie humane duhet të njohë veten në çdo pikë fizike dhe psikologjike mashkull a femër qoftë. Njerëzit në përditshmëri harrojnë dhe përtojnë të merren me veten, dhe përfundojnë duke mos ditur se kush janë, ose duke u bërë kopje të shëmtuara të dikujt që nuk ka lidhje me ta.

Po në kinema cili rol mendon se të shkon më mirë përshtat?

Rolet e deritanishëm janë kopsitur mjaft mirë nga aktorët që kanë punuar, kanë luftuar me veten dhe botën për t’i arritur ato dhe zakonisht. Kur shoh filma nuk i shoh me atë sy. Le të shpresojmë që do jetë një rol diku aty, që është duke pritur. Atëherë do kem kënaqësinë ta prezantoj!

Nëse do prekje Hollyvoodin, cili do të ishte kasti që do të përshtatej?

Hollywood-i si industri sot është ëndrra ime si një aktor që sapo e kam nisur karrierën, dhe do isha përulësisht i lumtur të isha pjesë e një kasti mes asaj kategorie artistësh.

Të bësh dashuri në film është njësoj si të bësh në jetë, ndodh që aktrimi takohet me realitetin?

Unë me filmin jam në një marrëdhënie dashurie, erotike, platonike. Filmi është një jetë e jetuar për pak kohe, kështu që në momentin që e mishëron karakterin, ti dashuron njësoj si në jetë ndoshta edhe më shumë. Dhe pse çdo marrëdhënie dashurore është shumë e ndryshme dhe unike.

Filozofia jote apo perceptimi për tërheqjen fizike? Duke qenë se je dhe model, për ty si duhet të jeta femra që të shkon në krah nëse do të realizonit një set fotosh?

Tërheqja fizike është ajo që sjell lidhjen shpirtërore. Për mua tërheqja fizike nuk ka të bëjë me atë që ti sheh mbi lëkurë, nuk është vetëm një prekje dhe aq. Të gjitha shqisat mobilizohen kur ndodh tërheqja fizike. Lidhja ndërmjet ty qenieve njerëzore lind nga ajo çfarë sheh, nga aroma, nga zëri që dëgjon, dhe pastaj dy trupa lidhen me njeri-tjetrin aq fort sa besoj vërtet që bëhen një i vetëm.

/Panoramaplus.al

      

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura