Të bësh apo të zhbësh

Jan 13, 2018 | 12:48
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRIleonidha mertiri

Në një shkrim timin të mbi dy vjetëve më parë, botuar në po këtë gazetë, me titull “Drojë apo kurajo”, në prag të miratimit nga Kuvendi i Kosovës të Ligjit për krijimin e Gjykatës Speciale, nënvizoja një fakt të rëndë- sishëm: Krijimi i kësaj Gjykate nuk mund të shihej si fyerje për Kosovën dhe shqiptarët, aq më keq si të atillë, që mund të errësonte luftën e lavdishme të çlirimtarëve. Përkundrazi ajo duhej vlerësuar si shprehje tjetër kurajoje, për t’i parë të vërtetat në sy, pa asnjë lloj paragjykimi dhe, sikurse u shpreh atë kohë kreu i diplomacisë gjermane, si e tillë, që i bënte favor historisë së Kosovës dhe gjeneratave të reja të saj.

Në qershor të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës nuk mundi t’i realizonte ndryshimet kushtetuese, që do t’i hapnin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për krime lufte, duke mos i arritur dy të tretat e votave të deputetëve. Këto oscilacione vazhduan sërish, derisa ajo do të miratohej më 3 gusht të po atij viti, me votat e deputetëve të Partisë Demokratike (PDK), Lidhjes Demokratike (LDK) dhe Listës Serbe.

Çuditërisht, sot jemi përballë një situate tjetër. Sikur të mos ishte vendosur asgjë më parë, liderët e Kosovës filluan të këmbëngulin për të mos marrë në konsideratë Ligjin për Gjykatën Speciale. Pra, të zhbësh atë që pas luhatjesh të shumta, e ke bërë më parë. A nuk ishin ata që e miratuan atë para dy vjet e gjysmë? Pendesë që hedh dritë në mungesën e seriozitetit. Të pendohesh apo të tërhiqesh nga ajo që ke vendosur, do të thotë të hedhësh pas krahëve detyrimet ndërkombëtare si Kosovë. Apo, siç thuhet me të drejtë në deklaratën e këtyre ditëve të Institutit të Kosovës për Drejtësi, të kontestohet rëndë subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit të Kosovës.

Kjo nuk mund të mos revoltonte partnerët tanë ndërkombëtarë më të besueshëm, në radhë të parë vendet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë. Në këtë mënyrë, vihet në pikëpyetje për ta përkushtimi i Kosovës për drejtësi dhe sundim të ligjit dhe ku interesat e individëve të veçantë vihen mbi ato të popullsisë. Shqetësimi i ambasadave të këtyre vendeve, akredituar në Prishtinë si dhe i qendrave të tyre, lidhet pikërisht me këto përpjekje për shfuqizimin e Ligjit mbi Dhomat e Posaçme dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pra, me Gjykatën Speciale. Prania sot, e të Dërguarit të Posaçëm për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, e Shefit të Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Francës, Thomas Bertin, shpreh të njëjtin shqetësim, por edhe përkujdesjen e njohur për Kosovën.

Përse kjo papërgjegjshmëri e udhëheqësve të Kosovës? Çfarë i shqetëson realisht ata? Nëse dikush prej tyre është marrë me prapë- sina dhe dyshohet të ketë bërë dhe krime, le të japë llogari para drejtësisë, pavarësisht kolltukut ku mund të jetë ulur e drejton sot përmes mitit të heronjve. Heronjtë janë heronj. Askush nuk mund t’i sfumojë sakrificat e mëdha të tyre. Ata kanë dhe duhet të kenë gjithë respektin dhe mirënjohjen e brezave për çka bënë me të vërtetë. Por, çdo spekulim pastaj, në emër të heroit, që iu gëzohet posteve të pamerituara, duke bërë ligjin e pasurimit të vetes, të të afërmve, madje, duke shkelur mbi njerëzit e thjeshtë apo qoftë mbi kundërshtarët politikë, nuk ka si të mos shkaktojë revoltë dhe deziluzionim të madh. Për këtë luftuan ata dhe shokët e tyre, ata që për lirinë e Kosovës nuk kursyen as jetën e tyre fare të re? E dhimbshme, por është një realitet i prekshëm pasurimi aq i shpejtë i disave, kapardisur në vila marramendëse.

Hashim Thaçi e justifikon qëndrimin pro të mëparshëm për krijimin e Gjykatës Speciale, me rrethanat imponuese nga partnerët ndërkombëtarë, që kërkonin të kënaqnin dhe aktorë si Rusia dhe Beogradi dhe që ky problem të mos përfshihej në axhendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Dhe më tej, ai e shikon këtë Gjykatë si “lojalitet të Kosovës ndaj propozuesve se sa si të nevojshëm dhe si bindje se diçka e tillë duhet të ndodhë”. Përpjekjet, nga kushdo që vinë, për të shfuqizuar a rinegocuar ligjin, për të cilin u ndalëm, nuk mund të jenë në interes të vendit. Askush nuk mund ta shohë Kosovën si parcelën e vetë e për ta mbajtur peng të tyre. Shqetësimi, i lidhur tërësisht me interesat e njërit e të tjetrit nuk mund të bëhet gjithashtu motoja për t’iu kundërvënë partnerëve strategjikë të Kosovës, duke cenuar raportet me ta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Europian, roli vendimtar i të cilëve është i njohur në momentet më të vështira të saj. Ndërhyrja me të drejtë e tyre dhe në këtë rast nuk cenon aspak sovranitetin e Kosovës, sikurse dëshiron ta interpretojë dikush. Përkundrazi. Është një afirmim i mëtejshëm i këtij sovraniteti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura