“Të bërtitura dhe të qara”/ Ja pamjet kur 39-vjeçari tenton të godasë me makinë çiftin e bashkëshortëve. Momenti i ndërhyrjes së policisë

Apr 19, 2021 | 12:27
SHPËRNDAJE

“Panorama.al” ka siguruar videon e sherrit në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ku pas një sherri për motive banale një nga personat tentoi të godasë me makinë çiftin e bashkëshortëve.

Në video shihet momenti kur shtetasi Taulant Mekollari, 39 vjec i jep gaz makinës dhe i afrohet mjetit të çiftit për ta përplasur.

Po ashtu në video dëgjohen edhe të  qara dhe të bërtitura.  Në këtë moment ka ndërhyrë një efektiv i forcave të policisë, i cili ishte civil, por që ka arritur të neutralizojë autorin.

SI KA NDODHUR NGJARJA

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në bulevardin “Migjeni” po konfliktoheshin dy shtetas, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.

Rastësisht në vendngjarje është ndodhur një punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, i cili ka ndërhyrë menjëherë. Falë ndërhyrjes së tij në kohë është bërë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit që mund të përfundonte në një vrasje të dyfishtë, pasi shtetasi T. M. po tentonte të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij. Në ndihmë të punonjësit të “Shqiponjave” kanë mbërritur më pas edhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të cilët kanë bërë të mundur prangosjen e shtetasit T. M.

KONFLIKTI

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit T. M dhe G. M. fillimisht kishin debatuar për motive të dobëta në rrugën “Besim Alla” dhe pas disa minutash, tek bulevardi “Migjeni” ishin konfliktuar përsëri  me grushte me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, shtetasi T. M. ka marrë mjetin e tij dhe ka tentuar dy herë të godiste me mjet shtetasin G. M. dhe bashkëshorten e tij, por pasi nuk ia ka arritur qëllimit, ka dëmtuar më pas mjetin e shtetasit G. M.

ARRESTIMI

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. M., 39 vjeç, për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë”, “Shkatërrim i pronës me dashje‘’dhe’’Plagosja e lehtë me dashje’’.

Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 36 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje’’.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura