Të ardhurat dështojnë edhe në prill, mblidhen 85 milionë USD më pak se plani, nisin shkurtimet e buxhetit

May 15, 2015 | 14:45
SHPËRNDAJE

Prilli ishte një muaj tjetër dështimi në mbledhjen e të ardhurave në buxhet.

Treguesit fiskalë paraprakë për muajin e katërt të vitit tregojnë se deri më tani arkës i mungojnë 85 milionë dollarë, krahasuar me planin e miratuar nga qeveria për vitin 2015 dhe kjo vetëm nga të ardhurat doganore dhe tatimore. Deri në muajin mars performanca e dobët fiskale u pranua edhe nga qeveria, duke theksuar se paraprakisht kishte një pritshmëri të tillë, por kur pritej një përmirësim minimal në prill, situata rezulton edhe më e përkeqësuar.

TË ARDHURAT

Të ardhurat e munguara sipas planit nga administrata doganore dhe tatimore duket se janë kompensuar nga të tjerë zëra në buxhet. Në total diferenca fakt-plan është me 37 milionë dollarë për katër muajt e parë të vitit. Në një analizë më të hollësishme të zërave rezulton që tatimi mbi vlerën e shtuar, taksa kryesore që identifikon konsumin në vend, të ketë pësuar rënie të dukshme si krahasuar me një vit më parë, ashtu edhe krahasuar me planin e Financave. Konkretisht, deri në prill nga TVSH-ja janë arkëtuar 369 milionë dollarë, kur në vitin 2014 u arkëtuan për të njëjtën periudhë 406 milionë dollarë. Në planifikimin e Financave pritej që kjo shifër të ishte 379 milionë dollarë. Negativisht si me planin, ashtu edhe me faktin e 2014, është edhe taksa mbi të ardhurat personale. Pozitivisht te të ardhurat ka ndikuar akciza dhe tatimfitimi. Një ecuri e mirë e arkëtimit të të ardhurave për këta dy zëra në buxhet është i pritshëm, kur paketat fiskale të dy viteve të fundit kanë mbështetur pikërisht rritjen e tyre. Konkretisht, nga tatimfitimi deri në prill u arkëtuan 102 milionë dollarë, kur plani ishte 88 milionë dollarë. Ndërsa një vit më parë arkëtimi ishte 79 milionë dollarë.

SHPENZIMET

Qeveria, e gjendur në situatë të vështirë nga ecuria e dobët e të ardhurave, ka vendosur në funksion të vetmin mekanizëm që ka nën kontroll, që është ajo e uljes së shpenzimeve. Në planin e saj qeveria duhet të kishte shpenzuar deri në muajin prill 1.36 miliardë dollarë, por në fakt ka shpenzuar 1.23 miliardë dollarë. Pra vihet re një frenim me 120 milionë dollarë në kahun e shpenzimeve. Kështu, 60 milionë dollarë kursime nga plan-fakti janë bërë nga shpenzimet korrente, kurse 10 milionë dollarë nga ato operative dhe të mirëmbajtës. Nga fondet speciale që lidhen me rritjen e pagave dhe pensioneve janë kursyer deri tani nga planfakti 30 milionë dollarë. Gjithsesi, kjo është bërë për të mbajtur nën kontroll deficitin, i cili deri në muajin e katërt të vitit ishte 70 milionë dollarë. Ministria e Financave, e cila më herët ka deklaruar se do të rrisë të ardhurat përmes luftës ndaj informalitetit, ka deklaruar dje aksionin te pjesa e prodhimit të cigareve në vend. Në ligjin për akcizat është bërë ndryshimi që detyron importuesit dhe prodhuesit e letrave dhe filtrave të cigareve të marrin autorizim nga Doganat. Nga ana tjetër, për çdo import duhet që të vendoset edhe garancia bankare.

Nertila Maho 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura