Dështimi i mbledhjes së të ardhurave në buxhet është thelluar edhe në qershor, duke e çuar shifrën e mosrealizimit në 134 milionë dollarë për Tatimet dhe Doganat. Treguesit fiskalë të Ministrisë së Financave, ashtu si edhe në muajt paraardhës, nuk tregojnë asnjë shenjë përmirësimi.
Përkundrazi, i vetmi përmirësim i të ardhurave është në një nivel zhgënjyes prej 0.1 për qind, nëse krahasojmë faktin e këtij viti me atë të një viti më parë.
TË ARDHURAT
Në total të ardhurat në buxhet deri në qershor 2015 ishin 1.82 miliard dollarë. Plani i financave për këtë periudhë ishte as më pak e as më shumë se 86 milionë dollarë më shumë, pra, 1.91 miliard. Krahasuar me faktin e një viti më parë, totali i të ardhurave është rritur me 77 milionë dollarë. Por “gropën” në buxhet e ka krijuar arkëtimi i dobët në Dogana dhe Tatime.
Të ardhurat Doganore dhe Tatimore në fund të qershorit ishin 1.2 miliard dollarë, kurse në plan 1.33 miliard dollarë. Tre nga zërat kryesorë në buxhet në pjesën e të ardhurave, akciza, tatimi mbi të ardhurat personale dhe TVSH-ja, mbajnë barrën kryesore të fundosjes që ka pësuar buxheti në pjesën e të ardhurave.
Krahasuar me planin e këtij viti, këto taksa kanë një mosrealizim total prej 100 milionë dollarësh. Konkretisht nga TVSH-ja u arkëtuan vetëm 570 milionë dollarë, kurse në qershorin e kaluar 610 milionë dollarë. Një tregues i tillë, përveçse reflekton atë që tha FMN-ja, që përjashtimet e shumta kanë dhënë efekt, tregon edhe një rënie të fortë të konsumit dhe investimeve. E njëjta gjë vlen edhe për tatimin mbi të ardhurat personale me një realizim të dobët dhe një rritje modeste.
Tatimi mbi fitimin është i vetmi zë në kahun e të ardhurave kryesore, që ka një realizim 11 milionë dollarë më shumë sesa plani. Zërat e tjerë të të ardhurave në buxhet që kanë pasur ecuri pozitive janë pjesa e sigurimeve shoqërore, si dhe shëndetësore. Të ardhurat jotatimore duket se kanë dhënë një kontribut jo të vogël në shuarjen e efektit negativ në total te të ardhurat, pasi janë 41 milionë dollarë më shumë sesa plani.
SHPENZIMET
Situata aspak e mirë e të ardhurave ka bërë që qeveria të ulë shpenzimet në muajin qershor, duke i mbajtur ato dukshëm më pak sesa plani. Kështu, totali i shpenzimeve ishte 1.95 miliard dollarë nga 2.17 miliardë dollarë që ishte plani, pra, 214 milionë dollarë më pak. Shpenzimet korrente janë ato që rezultojnë me 100 milionë dollarë më pak.
Konkretisht janë paguar 30 milionë dollarë më pak për interesa të borxhit. Kursimin më të madh qeveria ka vendosur ta bëjë te shpenzimet kapitale. Në fund të qershorit, shifrat tregojnë se ato ishin 40 milionë dollarë më pak sesa parashikimi në planin e miratuar për këtë vit. Një situatë e tillë duket se do të ketë efekt të fortë në ekonomi.
Një vit më parë qeveria ndoqi të njëjtën strategji, duke mbajtur nën kontroll shpenzimet dhe duke i shpërndarë këto vetëm në fund të vitit, por kjo nuk u këshillua nga FMN-ja. Deficiti fiskal deri në qershor të këtij viti është 126 milionë dollarë nga 254 milionë që kishte planifikuar qeveria të merrte hua në planin e saj fillestar. Pjesa më e madhe e këtij borxhi është marrë në tregun e huaj, gati 73 milionë dollarë, kurse pjesa e mbetur prej 53 milionë dollarësh është marrë në tregun vendas.
Nertila Maho
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al