Tavo në Gjirokastër: Pas zgjedhjeve, LSI merr 40 për qind të pushtetit

Jun 13, 2013 | 10:31
SHPËRNDAJE

Kandidati i LSI: Do krijojmë një lob për qytetin.

Kandidati i LSI-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ka zbardhur dje detaje të marrëveshjes mes PS-së dhe LSI-së. Gjatë një takimi me mbështetës të Gjirokastrës, Tavo deklaroi se LSI-ja do të marrë 40% të pushtetit në qeverisjen e përbashkët me socialistët, në rast se koalicioni i majtë fiton zgjedhjet e 23 qershorit. “Në marrëveshje të qeverisjes me Partinë Socialiste, pas zgjedhjeve të 23 qershorit kemi një ndarje të përgjegjësive të administrimit të pushtetit, ku 40% e këtyre përgjegjësive i takojnë LSI. 40% e administratës do administrohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Jemi të bindur që më 23 qershor nuk ka për të lëvizur asnjë votë e gjirokastritëve. Unë, si deputet i ardhshëm i qarkut të Gjirokastrës, marr përsipër që të ndërmarr një iniciativë për të unifikuar të gjithë deputetët që do të dalin nga këto zgjedhje më 23 qershor, të majtë dhe të djathtë për të bërë një lob për Gjirokastrën”, u shpreh Tavo. Deklarata e kandidatit të LSI-së në qarkun e Gjirokastrës vjen pak javë pas deklaratës së kolegut të tij kandidat në qarkun e Beratit, Nasip Naço, se Ilir Meta do të jetë Kryeministri i ardhshëm i vendit. Kjo deklaratë krijoi debat politik në ditët e para të fushatës zyrtare elektorale. Që nga ajo ditë, Naço ka këmbëngulur se kryeministër i ardhshëm duhet të jetë Ilir Meta, për shkak të përvojës së tij dy herë kryeministër. Por deklarata e Naços krijoi tension edhe te Partia Socialiste, përfaqësues të së cilës sa herë i është dhënë mundësia, e kanë prezantuar Edi Ramën si kryeministrin e ri të pas 23 qershorit. Lëvizja Socialiste për Integrim në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike 2009-2013 kontrolloi 20 për qind të pushtetit në marrëveshje të mbajtur dhe zbatuar nga Partia Demokratike. Duket se oferta për t’u larguar nga Partia Demokratike nga ana e Partisë Socialiste ka qenë dyfishim i pushtetit që ushtronte në koalicion me Partinë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura